Njeriu i cili i kaloi fatkeqësitë e jetës i pamposhtur

Gjatë një bisede që nuk mund ta harroj deri sa t’m’i mbulojë dheu sytë, Alija Ize­t­be­goviqi më tha: “Po qe se do të më ofrohej me një mrekulli të jetoja përsëri – nuk do të pranoja. Po qe se do të isha i detyruar të pranoj, do të jetoja njësoj siç kam jetuar!” Kush do të mund të thoshte diçka të tillë? Vetëm ai, vetëm ai i cili fatkeqësitë e jetës i ka kaluar i pamposhtur. Ai i cili ka arritur të bëhet Njeri, ndërsa jetën e tij e ka shn­dë­rr­uar në krijimtari, domethënë në vepër.

Shkruan: Abdullah SIDRAN*, Sarajevë

Duhet patjetër të besojmë, sepse ndryshe as nuk mund të jetohet. Për këtë arsye edhe besojmë se si ekziston parimi kozmik, sipas të cilit jeta e njeriut nuk është e pa­ku­ptimtë. Materia nga e cila jemi të krijuar dhe mundësia që na jepet me jetën, në asp­ektin kozmik, janë të posaçme, plotësisht unikate dhe varet nga ne, nga çdonjëri prej nesh një nga një dhe mëvetësishëm se ç’do të bëjmë me jetën tonë. Siç ka shkruar li­dhur me këtë H. Hesse, çdonjërit, që nga lindja, i është dhënë mundësia të bëhet nje­ri dhe çdo qenie njerëzore është plumb i natyrës drejtuar Njeriut!

Është brengosëse njohuria jonë se sa shumë të rrallë janë ata që kanë pasur sukses në këtë çështje, edhe më brengosëse tjetra: është tragjike sa shumë njerëz për detyrën e tyre në Tokë nuk kanë lidhje, kalojnë jetën e tyre si bretkosë, mushkonjë, dele ose br­e­shkë jetëgjatë.

Në mesin e shumë njerëzve që kam njohur, mund të numërohen në gishta ata të cilët kanë dashur dhe kanë ditur ta kryejnë plotësisht detyrën e tyre të kësaj bote. Njëri prej tyre është edhe i ndjeri Alija Izetbegoviq. Dallimi gati njëzetvjeçar në moshë, që ishte i pikëllueshëm për mua në të ashtuquajturin stil jete, aspak nuk ka qenë pengesë për respekt dhe mirëkuptim të thellë dhe të ndërsjellë. Ky dallim ndikoi që mos të takohemi as shumë rrallë as shumë shpesh. Mirëpo, me­gji­th­atë takimet ishin të rregullta dhe jo të rralla. Pra, ato zhvilloheshin mu ashtu si duhej.

Mbase çdo njeri, kur i afrohet pleqëria apo parandien se po i afrohet vdekja, të ka­lu­arën e tij e sheh vetëm përmes detajeve dhe pamjeve të rastit. Nga kjo e kaluar pa asnjë cilësi reale, pamjet dhe detajet shpalosen sipas një “logjike” joreale, jashtë çdo ko­ntinuiteti dhe lidhjeje shkak-pasojë. Po shtypa sustën në tru, atë sustën ku është i shk­ruar emri i Alija Izetbegoviqit, ajo që paraqitet para syve të mi është fytyra e tij gjatë shqiptimit të aktgjykimit: Në vigjilje të shqiptimit të aktgjykimit, me të cilin menduam se do të lirohej nga akta­kuza. Në anën e djathtë, shoh fytyrën e tij në gjysmëprofil: mburrje dhe mos­për­fi­llje, mospërfillje dhe krenari. Ç’paraqet kjo tjetër pos: Bosnja, Bosnja, Bosnja!?

Një iftar lufte

Dhjetë vjet më vonë. Dobrinjë, 1993. Komandanti Ismet Haxhiq, me nofkën Mu­te­ve­lija, ftoi në iftar Kryetarin dhe djalin e Kryetarit, Bakirin me ushtri. Propozoi që Kry­etari të marrë edhe dikë “nga sarajevasit”. (Kush e di – e di, kush nuk e di, është e kotë t’i shpjegohet se si në atë kohë hyrja në territorin e mbyllur hermetikisht nga çet­ni­kët në Dobrinjë ishte e barabartë me ndërmarrjen heroike, në të cilën nuk hyhej pa ne­vojë të domosdoshme). Është dimër, drita sapo kishte filluar të zbardhë, Bakiri vozit, Aliu pranë tij, unë mbrapa. Asnjë përcjellje, asnjë “eskortë”, vetura “golf” e vje­t­ër e Bakirit, mirëpo, fatmirësisht arritëm shëndosh e mirë. I ulur pas djalit, mezi pres t’ia jap dhuratën Alisë. Pasi mendova gjerë e gjatë, vendosa t’ia dhuroj librin e Czeslaw Mi­losz-it Mendja e robëruar. Dëshiroj të flasim për ketmanin(“Ketman” – filozofi pr­a­kt­ike e kamuflimit, e lindjes, e llojit të vet, që lejon për të mbijetuar, për të mbetur gja­llë dhe për të vazhduar luftën kur të piqen kushtet, pra diçka që lejon një lloj të caktuar të prezantimit të rrejshëm. Kjo paraqet, pra, vetëm një nivel të filozofisë ketman për të cilën dijetarët thonë se është diçka edhe më e thellë dhe më e gjerë nga ajo që e thamë më lart). Ia jap librin në mënyrën “jepja tjetrit” dhe ai vetëm e kapi me dorë dhe ia dorëzoi nik­oqirit, Ismetit, si dhuratë për bibliotekën e Dobrinjës. Hapu tokë të futem. Aliu i thotë: “E di, Avdo, ketmani bën fjalë për pakicat. E ne, në Bosnjë nuk jemi pakicë.” Kisha hequr nga mendja më të rëndësishmen: ai mu për këtë kishte vuajtur burg, të mos kamuflohej. Më vonë, shumë më vonë, u pajtuam rreth faktit të pamohueshëm: se në nivelin lokal jemi shumicë, mirëpo në nivelin europian jemi pakicë e pashpresë.

Me letrarët – në mënyrë letrare

Po të njëjtin vit, si Kryetar i Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, na pranoi neve, letrarëve, në bisedë në kuadër të një delegacioni shumetnik. Në një atmosferë mi­që­so­re, një nga shkrimtarët vendosi “ta nxehë” muhabetin, andaj me qortim e prezantoi çë­sh­tjen e lëshimit “tonë” ndaj Kroacisë, Franjo Tugjmanit dhe “politikës së tij bo­sh­nj­a­ke”. Kryetari buzëqeshi dhe replikoi me kundërpërgjigje: “A ju kujtohet ajo poezia e bu­kur e Kranjçeviqit për një të mjerë, një prostitutë?”. Shkrimtarët heshtën, asnjërit nuk iu kujtua, ndërsa ai pas një pushimi të shkurtër vazhdoi: “Në këtë poezi ka një rre­sht: Do të kishte nder, po të mos kishte stomak.” Më vonë bisedova për këtë me miqtë e mi shkrimtarë dhe u pajtuam për një gjë: kush është indiferent ndaj Aliut, pas takimit me të bëhet simpatizues. Kush është simpatizues, bëhet dashamirë. Nëse tanimë ka qe­në dashamir, bëhet fanatik.

E kam parë duke qarë, publikisht

Ky ishte koncerti i njëqindtë jubilar i kuartetit me tela, i njëqindti – në gjendje shte­t­rrethimi! Katër shkurt 1994. Salloni solemn në sallën e Kryesisë! Ishte i ulur në re­n­din e parë dhe të gjithë vumë re se si iu afrua një grua dhe i pëshpëriti diçka në vesh. Më vonë e kuptuam: nga rruga dëgjoheshin sirenat e automjeteve ushtarake, të po­li­ci­së, ndi­hmës së shpejtë… Koncerti përfundoi, Aliu ngrihet në këmbë, kthehet drejt nesh, drejt publikut, qan dhe tregon se në Markala ka ndodhur masakër i lla­h­t­a­r­sh­ëm… Nuk lejoi të ndërpritej koncerti, i vetëdijshëm për rëndësinë e kontributit të nje­rë­zve të ku­l­tu­rës dhe të artit në mbrojtjen e qytetit. Lotët në sy as nuk i fsheh as nuk i fshin.

Fytyra plot gjallëri në çastin e vdekjes

Jam i shtrirë në spital, i pastruar nga nikotina dhe nga pjesët malinje në stomak, në të vërtetë i mavijosur nga gjilpërat e injeksioneve, mirëpo jam mirë, shumë mirë, nuk i tre­mbem vdekjes por pres fletëlëshimin nga spitali edhe disa ditë. Në ndërtesën fqi­n­je – Aliu. Lufton për jetë.

Predrag Matvejeviqi, që kishte ardhur nga Roma për disa punë të tjera, duke kaluar rrugës, më erdhi në vizitë. Ai ishte profesor, doktor dhe shkrimtar. Një fenomen shu­më i rrallë intelektual europian. Nga viti 1983 e deri në daljen e Aliut nga burgu, ka shk­r­uar dhe dërguar me qindra letra qindra qendrave botërore për ta shpëtuar nga bu­r­gu, për t’ia hequr vuajtjen e burgut ose të paktën që t’ia zvogëlojë burgimin.

I bëj me dorë, nga dritarja, në ndërtesën fqinje: lart e kemi Alinë! A mund të hy­j­më? Ndërhyri Predragu. Shkojmë ta shohim. Përgjegjësi i sigurimit kërkoi të presim për një çast, shkoi tek Aliu dhe u kthye duke e hapur rrugën dhe duke treguar dre­j­ti­m­in me një lëvizje të gjerë të dorës.

Fytyra e Aliut shumë e bukur, sy të çiltër dhe të mençur, me dukje paksa të pi­kë­ll­u­ar, siç shihja edhe më parë në sytë e tij dhe për këtë arsye në atë çast nuk i dhashë rë­n­dë­si të veçantë. Predragu shqiptoi një fjalë të harruar: me gjallëri! “Fytyra jote është plot gjallëri, do t’ia dalësh mbanë edhe me këtë.” “Mbanë apo jo”, i thotë Aliu, “dua ta dish se të konsideroj njeri të madh!”. Kur u ndamë, njërën dorë ma zgjati mua, tjetrën Pre­dragut dhe kështu, dorështrënguar, këmbyem edhe disa fjali gazmore.

Porosi lotësh

Katër ditë më vonë. E heq veshjen e spitalit, vishem me rroba “civile” dhe pres fletëlëshimin nga spitali. Në dhomën time hyn mjekja Zilha, që punonte në ndërtesën fqinje. Ajo thotë: “Ju ka përshëndetur Kryetari dhe ju lut që të ruheni. T’i dëgjoni kë­shi­llat e mjekëve. Ky popull… fëmijët tuaj ende kanë nevojë për ju. “Lotët nuk më le­j­u­an që t’i mbaj në mend të gjitha fjalët siç i tha ajo. Kthehem nga dritarja dhe gjoja qe­të­sisht them: “Sikur të mos ruhesha, nuk do të isha këtu. Ruhem dhe do të ruhem.” Kur e ktheva kokën, shoh: edhe ajo qante.

***

Nëse drama jetësore e Alija Izetbegoviqit nuk mundet plotësisht dhe në mënyrë me­taforike të identifikohet me dramën historike të Bosnjës, ajo identifikohet me sig­u­ri, në të gjitha fushat e rëndësishme dhe me tërë gjatësinë e rrugëtimit personal, në më­nyrë metaforike dhe tekstuale, me dramën historike dhe me fatin e popullit mu­sl­i­m­an boshnjak. Historia e Bosnjës është histori e grindjes për Bosnjën. Grindje dhe mo­him nga të huajt dhe nga fqinjët. Historia e boshnjakëve është rrëfenjë për një pro­ces të dhembshëm dhe të vështirë për vetënjohje dhe vetëkonfirmim. Me shumë bre­dh­je, me identifikime të gabuara, përballë orientimeve dhe kompaseve historike të për­kohshme dhe të pasigurta. Mirëpo, në dramën historike të popullit boshnjak për­h­e­rë ka ekzistuar konstanta. Çfarë konstante? Vetëdija për vetveten si diçka e ndry­s­h­me. Nëse nuk dimë se ç’jemi, në mënyrë solide dhe organike e dimë se çka nuk jemi. Be­simi bazë të cilit i përmbahej Izetbegoviqi, në mënyrë të padyshimtë tregonte se çka guxonte njeriu të bëjë dhe të jetë, edhe më qartë udhëzonte se ç’duhet të bëjë njeriu që të jetë dhe të bëhet Njeri. Derisa shumicës së “besimtarëve” të sapozgjuar, nga të gjitha be­simet e këtushme, u dilte shkumë nga goja duke pështyrë “ish regjimin”, “ko­mu­ni­z­m­in”, etj. – Izetbegoviqi e vendos në utopi ku edhe e ka vendin, ndërsa “hap front” ku­n­dër Darvinit, i bindur në origjinën hyjnore të njeriut e jo në origjinën shtazore. “Ka­pe­lën e Sikstinës nuk ka mundur ta pikturojë dhe Luftën dhe Paqen nuk ka mundur ta shk­ruajë dora e njeriut të Darvinit!”.

Njerëzit më kompetent se unë, historianët, kur të vijë koha, do të merren me vle­rë­si­min e jetës dhe të veprës së Izetbegoviqit. Me këtë rast, më lejoni t’i përmend, sipas pe­rceptimit tim, dy fakte historike, dy rezultate historike deri te të cilat populli bo­sh­n­j­ak ka arritur gjatë kohës së udhëheqjes së Izetbegoviqit. Ky popull, i dënuar për shf­a­ro­sje si në paqe ashtu edhe në luftë, politikisht është trajtuar si bashkësi fetare (jo po­p­ull, jo komb!), ia ktheu vetes emrin e vërtetë historik që ia kishin grabitur: boshnjakë. Sado që dukej se Fenë e vë mbi Kombin, Izetbegoviqi e kuptoi në çastin e duhur se të jesh mysliman dhe boshnjak paraqesin dy përgjigje të sakta të dy pyetjeve të ndryshme! Pa përkrahjen e tij, populli boshnjak akoma do të priste fitoren së bashku me bijtë e tij më meritorë për të: Adil-beg Zulfikarpashiq, Muhamed Filipoviq, Alija Isakoviq… E dyta: me emrin personal e jo me emrin fetar dhe me një ushtri me dyqind mijë njerëz, po­pulli boshnjak u bë faktor politik. Nuk e di ç’do të thotë fjala popull politik dhe kam frikë se populli boshnjak akoma nuk ka arritur deri në atë shkallë, nuk e di nëse është mirë të arrijë aty (ja ata atje, në lindje, dyqind vjet popull politik, çfarë të mire u solli kjo?) – mirëpo pa dyshim, gjithsesi është fakt i rëndësishëm historik se jemi bërë fa­k­tor, të njohur nga bota si të tillë, i cili duhet të merret patjetër parasysh dhe hesapi nuk do të jetë i gabueshëm dhe i kotë.

Gjatë një bisede që nuk mund ta harroj deri sa t’m’i mbulojë dheu sytë, Alija Ize­t­be­goviqi më tha: Po qe se do të më ofrohej me një mrekulli të jetoja përsëri – nuk do të pranoja. Po qe se do të isha i detyruar të pranoj, do të jetoja njësoj siç kam jetuar!” Kush do të mund të thoshte diçka të tillë? Vetëm ai, vetëm ai i cili fatkeqësitë e jetës i ka kaluar i pamposhtur. Ai i cili ka arritur të bëhet Njeri, ndërsa jetën e tij e ka shn­dë­rr­uar në krijimtari, domethënë në vepër.

Sarajevë, 28 tetor 2004

Nga boshnjakishtja: Liman Avdiu

* Abdullah Sidran (1944-2024) është shkrimtar i njohur boshnjak. Ky shkrim është botuar si hyrje në vëllimin e katërt të kompletit të veprave të Izetbegoviqit në gjuhën shqipe nga SHBA “Logos-A” më 2013.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button