Një zë nga diaspora: Dibra meriton dinjitet dhe ndryshim

Nga Zhaneta Grazhdani – mërgimtare dhe intelektuale nga Dibra, që jeton e vepron në Belgjikë
Dibranë e familjarë të mi,
ç’është kjo atmosferë që po mbizotëron andej? Ç’po ndodh me këtë ankth, frikë e siklet në këto ditë vendimtare për Dibrën?
Vetëm pse dikush guxon të shprehë haptazi mbështetje për një kandidat, apo thjesht bën një “like” apo komenton diçka, duhet të ndjehet nën presion?
Më keq se në komunizëm! Kush do t’ju nxjerrë nga puna pse shprehni mendimin tuaj? A është kjo “demokraci”? Apo frikë nga hija e vetes?
Ku është ajo Dibra e Madhe, ajo plot krenari, mençuri e dinjitet?
Si është e mundur që të jenë zbehur vlerat, intelektualizmi, shpirti i lirë i dibranit?
Unë, si një qytetare jo partiake, por që herë pas here kam simpatizuar ndonjë kandidat — sidomos kur bëhet fjalë për njerëz të afërt — e shpreh hapur mendimin tim.
Këtë herë, po ta kisha mundësinë të votoja, do të votoja për Fisnik Melën, dibranin që është edhe dhëndri im. Ai është i ri, me energji e vizion të qartë për Dibrën. Ka përkrahjen e partisë në pushtet, çka mund të sjellë edhe më shumë mundësi e fonde për ta rimëkëmbur Dibrën tonë të dashur, që ka pësuar shumë vite dëmtimesh e harresë.
Shoh shumë të rinj që sot po marrin përgjegjësi e pozicione kyçe në Dibër.
Pse të mos bashkohen këta të rinj e të krijojnë një frymë të re zhvillimi, përtej partive, fesë apo interesave të ngushta?
Dibra ka nevojë për bashkim, për vizion, për frymë të re.
S’kam asgjë kundër kandidatit të pavarur Ramadan Imeri — e kam kojshi, njeri i mirë e gjithmonë i gatshëm për ndihmë. Por nëse do të duhej të zgjidhja, do të isha me Fisnikun, sepse në fillim është familja, dhe e shoh tek ai një mundësi reale për ndryshim.
Megjithatë, çdo dibran ka të drejtë të mendojë e të zgjedhë ndryshe — pa frikë, pa shantazh, pa inat.
Dibra ka shumë halle, por shpresoj që kjo rinia e re që po ngrihet të arrijë t’i zbusë e t’i zgjidhë ato.
Ju atje do të merrni atë që do votoni, por edhe ne që jemi larg vuajmë kur shohim si është katandisur vendlindja jonë.
Mos na gjykoni që shprehemi lirshëm – e bëjmë nga dashuria për Dibrën.
Me shpresë se këtë herë ndryshimi do ja vlejë,
suksese të gjithëve!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button