Një vit nga tragjedia në Koçan, Aliu: Mësimet nga tragjedia duhet ta përmirësojnë sistemin

Sot mbushet një vit pas tragjedisë në Kochani, ku në një zjarr në diskotekën diskotekën “Puls” më 16 mars 2025 humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.
Lidhur me përkujtimin e kësaj tragjedie, sot në Shkup u mbajt një konferencë për të përkujtuar viktimat dhe për të diskutuar mësimet institucionale pas një prej tragjedive më të rënda në historinë e fundit të vendit, përcjell INA.
Paralelisht, në Koçan u mbajt një liturgji për të ndjerët, ndërsa familjarët dhe qytetarët përkujtuan viktimat e zjarrit që shpërtheu gjatë një mbrëmjeje në diskotekë, ku sipas hetimeve në objekt kishte më shumë vizitorë se sa lejohej, përfshirë edhe të mitur, ndërsa ishin përdorur mjete piroteknike pa leje. Objekti, sipas autoriteteve, kishte funksionuar ilegalisht për më shumë se një dekadë, pa përmbushur kushtet minimale teknike dhe pa sistem adekuat kundër zjarrit.
Procesi gjyqësor për rastin është në vazhdim me aktakuzë ndaj 35 personave dhe tre kompanive, përfshirë ish-ministra të ekonomisë, ish-kryetarë komunash, inspektorë dhe zyrtarë të tjerë, ndërsa institucionet po përballen me presion publik për zbardhjen e plotë të përgjegjësive.
Duke folur në konferencë, kryeministri Hristijan Mickoski, deklaroi se në një shoqëri demokratike tragjeditë nuk duhet të mbeten pa përgjigje dhe se publiku ka të drejtë ta dijë të vërtetën. Ai tha se dita e zjarrit ishte ndër më të vështirat në jetën e tij si njeri dhe si kryeministër, duke theksuar se përgjigjen për pyetjen se kush është përgjegjës duhet ta japin prokuroria dhe gjykatat, e jo opinioni publik apo “gjykime të shpejta”. Sipas tij, familjet e viktimave kanë të drejtë të dinë si ndodhi tragjedia dhe institucionet kanë detyrimin të sigurojnë drejtësi përmes një procesi profesional dhe të pavarur nga presionet.
Në fjalimin e tij ai lexoi emrat e 63 viktimave dhe vlerësoi solidaritetin e mjekëve, ekipeve të shpëtimit, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë gjatë përpjekjeve për të shpëtuar të plagosurit. Mickoski paralajmëroi gjithashtu realizimin e projekteve infrastrukturore dhe zhvillimore për Koçanin dhe rajonin, me synimin që qyteti të ketë më shumë perspektivë për të rinjtë.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, vlerësoi reagimin e shërbimeve shëndetësore në orët e para kritike pas zjarrit, duke falënderuar më shumë se 400 punonjës shëndetësorë nga sektori publik dhe privat që, sipas tij, bënë përpjekje të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetë.



