Një tërmet i fuqishëm 8,8 ballë godet Rusinë

Një tërmet me magnitudë 8.8 ballë goditi Gadishullin Kamchatka të Rusisë të mërkurën, duke gjeneruar paralajmërime për cunami në të gjithë rajonin e Oqeanit Paqësor, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS), raporton Anadolu.

Epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej 20.7 kilometrash dhe 119 kilometra në zonën lindje-juglindje të Petropavlovsk-Kamchatsky. Tërmeti ishte i cekët dhe mjaftueshëm i fuqishëm sa për të shkaktuar valë ose një cunami.

Guvernatori i Kamchatka-s, Vladimir Solodov tha në Telegram se tërmeti “ishte serioz dhe më i forti në dekada të tëra dridhjesh”. Disa njerëz në Kamchatka u plagosën pas tërmetit, tha ministri rajonal i shëndetësisë Oleg Melnikov për agjencinë shtetërore të lajmeve ruse Tass.

“Të gjithë pacientët janë në gjendje të mirë. Nuk janë regjistruar lëndime serioze për momentin”, citohet të ketë thënë Melnikov. Një urdhër evakuimi u shpall për qytetin e vogël Severo-Kurilsk në rajonin Sakhalin pas një paralajmërimi për cunami.

Valët e cunamit përmbytën pjesë të qytetit Severo-Kurilsk pas tërmetit të fuqishëm, raportoi RIA Novosti, duke cituar Ministrinë e Situatave të Emergjencave të Rusisë.

Ndërkohë, Zyra e Guvernatorit në Sahalin ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për rajonin Kamchatka pas tërmetit të fuqishëm dhe cunamit.

– Paralajmërim për cunami në fuqi në Hawaii, Kaliforni

Sistemi i Paralajmërimit për Cunami i SHBA-së lëshoi një paralajmërim për valë cunami përgjatë disa brigjeve të Rusisë, Japonisë, Alaskës dhe Hawaiit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se është në fuqi një paralajmërim për cunami për ata që jetojnë në shtetin e Hawaiit për shkak të “një tërmeti masiv” që ndodhi në Oqeanin Paqësor.

“Një paralajmërim për cunami është në fuqi për Alaskën dhe bregdetin e Paqësorit të Shteteve të Bashkuara. Japonia gjithashtu mund të ndikohet”, tha ai në platformën e tij “Truth Social”.

Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave të Honolulus bëri thirrje për evakuimin e disa zonave bregdetare në Hawaii. “Merrni masa! Priten valë shkatërruese cunami”, shkruhej në X.

Shërbimi Kombëtar i Motit në Zonën e Gjirit të San Franciscos tha se një paralajmërim për cunami ishte në fuqi për bregdetin e Kalifornisë.

“Qëndroni larg ujit! Qëndroni larg plazheve dhe rrugëve ujore! Qëndroni larg bregut derisa zyrtarët vendas të thonë se është në rregull të ktheheni”, thuhej në X.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom tha më vonë se një paralajmërim për cunami është në fuqi përgjatë disa pjesëve të Bregut Verior të Kalifornisë nga Kepi Mendocino deri në kufirin me Oregonin.

Newsom tha se zyra e tij po koordinohet me zyrtarët lokalë. “Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe ndiqni udhëzimet nga personeli i urgjencës”, tha ai në X.

Roja Bregdetare e SHBA-së në Oqeani lëshoi një urdhër që të gjitha anijet tregtare të evakuohen nga të gjitha portet tregtare në Hawaii. “Të gjitha portet janë të mbyllura për trafikun e anijeve hyrëse”, tha ajo në X.

– Japonia dhe Indonezia lëshojnë paralajmërime për cunami

Japonia dhe Indonezia lëshuan gjithashtu paralajmërime për cunami pas tërmetit të fuqishëm, duke nxitur thirrje urgjente për evakuime bregdetare. Agjencia Meteorologjike e Japonisë paralajmëroi se valët e cunamit deri në tre metra mund të godasin zonat nga Hokkaido në Wakayama dhe Ishujt Ogasawara, sipas Agjencisë së Lajmeve “Kyodo”.

Një valë 30 centimetrash u vu re tashmë në Nemuro, Hokkaido lindor. Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit, Yoshimasa Hayashi, bëri thirrje për evakuim të menjëhershëm në zona më të larta, ndërsa shërbimi hekurudhor u pezullua gjithashtu në disa zona.

Autoritetet indoneziane lëshuan gjithashtu alarm për cunami dhe i këshilluan banorët pranë bregdetit të kërkonin vende më të larta. Agjencia indoneziane e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës tha se tërmeti kishte potencialin të shkaktonte cunami në disa rajone të vendit me status alarmi ose lartësi vale më pak se 0.5 metra, sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve “Antara”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button