Një sondazh i ri tregon se 60 për qind e amerikanëve janë kundër ndihmës ushtarake të SHBA-së për Izraelin

Një shumicë e qartë e amerikanëve nuk e aprovon dërgimin e ndihmës ushtarake nga SHBA për Izraelin, ndërsa ky i fundit po kryen një gjenocid në Gaza, sipas një sondazhi të ri të publikuar të mërkurën nga Universiteti Quinnipiac.

Sondazhi tregon se 60 për qind e amerikanëve janë kundër dërgimit të armëve për Izraelin, ndërsa vetëm 32 për qind mbështesin ndihmë shtesë.

Ky është niveli më i lartë i kundërshtimit dhe më i ulëti i mbështetjes për ndihmën ushtarake të SHBA-së për Izraelin që nga 2 nëntori 2023, kur Quinnipiac e bëri këtë pyetje për herë të parë, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit.

Një shumicë e jashtëzakonshme e demokratëve – 75 për qind – janë kundër dërgimit të ndihmës ushtarake për Izraelin. Po ashtu, 66 për qind e të pavarurve janë kundër. Tek republikanët, mbështetja është më e lartë, me 56 për qind që janë pro dhe 36 për qind kundër. Megjithatë, sondazhe të tjera tregojnë se republikanët më të rinj po largohen nga mbështetja për Izraelin.

Vlen të theksohet se mbështetja për Izraelin në SHBA po zvogëlohet ndërkohë që rritet mbështetja për palestinezët. Kur u pyetën ku qëndrojnë simpatitë e tyre, 37 për qind e votuesve amerikanë thanë se përkrahin palestinezët, 36 për qind përkrahin izraelitët, ndërsa 27 për qind nuk kishin opinion.

Universiteti Quinnipiac tha se ky sondazh shënon një nivel rekord të mbështetjes për palestinezët që nga dhjetori i vitit 2001, hera e parë që Quinnipiac filloi të bëjë këtë pyetje.

Gjithashtu, 50 për qind e votuesve besojnë se Izraeli po kryen gjenocid në Rripin e Gazës, ndërsa 35 për qind nuk mendojnë kështu. Për një shumicë të madhe të demokratëve – 77 për qind – lufta e Izraelit konsiderohet gjenocid.

Tek republikanët, ky numër është vetëm 20 për qind, ndërsa 51 për qind e të pavarurve e konsiderojnë luftën e Izraelit një gjenocid.

“Mbështetja për palestinezët po rritet ndërsa dëshira për të financuar ushtarakisht Izraelin bie ndjeshëm. Dhe një vlerësim i ashpër i mënyrës se si Izraeli po zhvillon fushatën në Gaza përdor një fjalë të tmerrshme,” tha analisti i sondazhit të Universitetit Quinnipiac, Tim Malloy.

Sondazhi pasqyron ndarjen e thellë mes qytetarëve amerikanë dhe ligjvënësve që vazhdojnë të mbështesin armatimin e Izraelit. Partia Demokrate ndodhet në një pozicion gjithnjë e më të vështirë, ndërsa baza e saj po largohet dukshëm nga mbështetja për Izraelin.

Në korrik, shumica e senatorëve demokratë, së bashku me dy aleatë të pavarur, mbështetën rezoluta për të bllokuar shitjen e bombave dhe pajisjeve udhëzuese prej 675 milionë dollarësh, si dhe dërgimin e 20,000 armëve sulmuese për Izraelin. Të gjithë republikanët votuan kundër këtyre rezolutave, të cilat nuk kaluan. Megjithatë, numri i votave demokratike pro përfaqëson një rekord.

Diferencat brenda Partisë Demokrate u bënë të dukshme këtë javë, kur komiteti kombëtar i partisë shqyrtoi dy rezoluta që do të përcaktonin se si partia do të reagojë ndaj gjenocidit të Izraelit.

Një rezolutë e prezantuar nga një anëtar 26-vjeçar i Komitetit Kombëtar Demokratik, e cila kërkonte embargon e armëve dhe ndalimin e ndihmës ushtarake amerikane, u rrëzua. Partia ende nuk ka arritur një platformë të unifikuar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button