Një polic nga Gazi Baba kapet duke zhvatë 20.000 euro, do të shkarkohet nga puna

Një zyrtar policor është privuar nga liria për kryerjen e veprës penale “zhvatje”. Është paraqitur kallëzim penal dhe do të pasojë edhe suspendimi nga vendi i punës.

Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), pas një kallëzimi paraprak nga një qytetar për kryerjen e veprës penale “zhvatje” nga zyrtari policor H.Z. (48) nga Sektori i Punëve Kriminalistike Gazi Baba, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së ka ndërmarrë masa dhe aktivitete përkatëse për zbardhjen e rastit. Qytetari ka raportuar se H.Z., së bashku me persona të tjerë, në disa raste i kanë kërkuar 20.000 euro, para që pretendohej se djali i ankuesit ua kishte marrë atyre.

Pas kësaj janë ndërmarrë masa dhe është kryer përpunim kriminalistiko-teknik i mjeteve monetare, ndërsa më 25.12.2025, në zonën e Qendrës, menjëherë pas dorëzimit të parave, H.Z. është privuar nga liria dhe gjatë kontrollit tek ai janë gjetur 20 kartëmonedha nga 50 euro.

“Personi është mbajtur në stacion policor, ndërsa Njësia për Kriminalitet të Dhunshëm, Sektori për Kriminalitet të Dhunshëm pranë SPB Shkup, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër H.Z., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘zhvatje’, sipas nenit 258 të Kodit Penal. Departamenti për Kontroll të Brendshëm kundër H.Z. do të paraqesë propozim për inicimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore dhe do të shqiptojë masën e detyrueshme të largimit nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore. Ndërkohë, gjyqtari i procedurës paraprake i ka caktuar të dyshuarit masa kujdesi”, bënë të ditur nga MPB-ja.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button