Një person nga Kumanova dhe tjetri nga Tetova janë arrestuar, detaje të reja nga aksioni antidrogë
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/shkoll-780x470.webp)
Janë kapur 188,6 kg marihuanë, që si destinacion përfundimtar kishte Turqinë, autoritetet e RMV-së dhanë informacione shtesë në lidhje me sekuestrimin e marihuanës në pikën kufitare “Bogorodicë”. Janë arrestuar dy persona, njëri nga Kumanova dhe tjetri nga Tetova, shkruan Portalb.mk.
Lidhur me aksionin, deklarata për media në vendkalimin kufitar dhanë drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev dhe drejtori i Drejtorisë doganore, Boban Nikollovski, duke theksuar se rasti është rezultat i bashkëpunimit të zgjeruar dhe veprimeve të mirëkoordinuara të policëve dhe doganierëve.
Sipas drejtorit të Doganave, Boban Nikollovski, kamioni me targa të Shkupit kishte hyrë në vendin tonë përmes pikës kufitare “Bllacë” më 8 shkurt.
Autoritetet thonë se kjo sasi e drogës në tregun e zi arrin vlerën e 707 mijë eurove.
“Drejtoria e doganës ka gjetur gjurmët dhe ka parandaluar një kanal ndërkombëtar të kontrabandës me drogë. Në aksionin e përbashkët me Byronë për siguri publike në vendkalimin kufitar Bogorodicë janë sekuestruar 188 kilogram e 636 gram lëndë narkotike marijuanë e cila është dashur të përfundojë në Turqi. Dy persona janë privuar nga liria dhe kundër tyre në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli është ngritur kallëzim penal për kryerjen e veprës penale nga neni 215 i Kodit penal, prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve. Ky është rasti i parë ku në të ardhmen me përpjekje të përbashkëta premtojmë luftë edhe më të ashpër kundër krimit”, tha Nikollovski.
Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj këtyre personave për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se si bashkëpunëtorë kanë kryer vepër penale – Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 1 i Kodit Penal.