Një nënë palestineze nga Gaza lufton për mbijetesë, pasi humbi të dy duart në sulmin izraelit

Një nënë e re palestineze që humbi të dy duart në një sulm izraelit po përballet me sfidat e rënda të kujdesit për vajzën e saj dyvjeçare në Gazën e shkatërruar nga lufta.

Nibal al-Hisi, 25-vjeç, me origjinë nga kampi i refugjatëve Jabalia u plagos më 7 tetor 2024, kur bombardimet goditën strehën e saj në kampin e refugjatëve Al-Bureij në Gazën qendrore. Zona ishte caktuar si “zonë e sigurt” sipas urdhrave të evakuimit izraelit. Shpërthimi ia preu të dy duart dhe i shkaktoi lëndime në mëlçi dhe këmbë.

Jeta e saj ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme në datën që shënon përvjetorin e parë të shpërthimit të konfliktit të fundit. “Kur ke një lëndim, kjo do të thotë që je e privuar nga liria jote, sikur të jesh e burgosur”, tha Al-Hisi për Anadolu.

“Nuk mund të punosh ose të bësh asgjë vetë. Nuk mund të dal kur të dua. Nuk mund ta mbaj veten. Kur kam nevojë për diçka, as nuk mund ta blej”. E varur tërësisht nga familja e saj për gjithçka, të hajë, të pijë, të lëvizë, madje edhe kujdesin personal bazë, nëna e re përshkroi se si humbja e duarve e ka penguar të kryejë detyrat themelore të nënës.

“Dua të jem në gjendje të ha vetë, të pi diçka vetë dhe të kujdesem për vajzën time. Dua të ndihem e pavarur. Ndjenja e pafuqisë është shumë e vështirë”, thotë ajo.

Një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor në Rripin e Gazës për t’i dhënë fund dy viteve të luftës gjenocidale izraelite që ka vrarë gati 71 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023.

Lufta gjenocidale izraelite ka shkatërruar strukturën shoqërore të Rripit të Gazës. Sipas të dhënave nga qendra e informacionit e Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 22 mijë gra kanë mbetur të veja ndërsa 58 mijë fëmijë kanë humbur njërin ose të dy prindërit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button