Vriten 23 palestinezë në sulmet izraelite ndaj shkollave në Gaza

Izraeli bombardoi tendën, shkollën që strehon palestinezët e zhvendosur dhe ata që prisnin për ndihma humanitare.
Të paktën 23 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën sot herët në një seri sulmesh izraelite në të gjithë Rripin e Gazës.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan shkollën “Mustafa Hafez” në qytetin perëndimor të Gazës, e cila strehonte familje të zhvendosura, raportoi agjencia palestineze e lajmeve “Wafa”.
Sulmi vrau 13 persona dhe la dhjetëra të plagosur, thanë mjekët.
Gjithashtu forcat izraelite hapën zjarr ndaj palestinezëve që prisnin për ndihma humanitare në Gazën perëndimore, duke vrarë gjashtë persona, shtuan ata.
Në Gazën jugore, tre persona, përfshirë një grua, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën pasi një sulm izraelit goditi tendat e familjeve të zhvendosura në zonën Al-Mawasi të qytetit Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
Një tjetër palestinez u vra dhe tre të tjerë u plagosën në një sulm të veçantë izraelit pranë një qendre kujdesi në Jabalia, në Gazën veriore.
Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar luftën gjenocidale në Gaza, duke vrarë më shumë se 57.000 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, që nga tetori i vitit 2023.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për luftën e tij në enklavë.