Një mijë euro për të kaluar muajin në Maqedoninë e Veriut
Jeta e qytetarëve sa vjen e bëhet më e shtrenjtë. Shporta minimale sindikale për muajin qershor ka arritur në 60.325 denarë dhe është rritur për 235 denarë, nga muaji i kaluar. Një familjeje 4 anëtarshe vetëm për ushqim dhe pije i duhen 21.952 denarë.
“Sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, në qershor një familje 4 antarëshe për ushqim dhe pije duhet të ndajë 21.952 denarë ose 36.4% nga vlera e përgjithshme e shportës minimale. Për veshmbathje 4962 denarë, për ujë, energji elektrike 6014 denarë, për higjienë personale dhe për mirëmbajtjen e higjienës shtëpiake 1827 denarë, për shëndetësi 1069 denarë dhe për transport 4871 denarë”, thonë nga LSM-ja.
Për komunikim, një familjeje prej 4 anëtarësh për muajin qershor, i janë të nevojshme 3240 denarë, nga vlera e përgjithshme e shportës konsumatore, për rekreacion dhe kulturë 4378 denarë, për arsim 7022 denarë, për restorante dhe hotele 3 890 denarë dhe për mallra dhe shërbime të tjera 1100 denarë.
Sipas përllogaritjeve të LSM-së, për ato familje që jetojnë në banesë me qera, do ju duhen edhe 15 375 denarë shtesë.
Shporta konsumatore e muajit maj ishte 60.090 denarë.