Një kronologji e katastrofave ajrore më të rënda të shekullit XXI

Një avion Boeing 787-8 Dreamliner, që po udhëtonte drejt Londrës, u rrëzua të enjten në Indi me 242 persona në bord, dhe sipas policisë “nuk duket të ketë të mbijetuar”.
Më poshtë është një listë e fatkeqësive ajrore më vdekjeprurëse të shekullit XXI, përjashtuar sulmet e 11 shtatorit 2001:
298 të vdekur, Ukrainë (2014)
Më 17 korrik 2014, fluturimi MH17 i Malaysia Airlines u rrëzua mbi Ukrainën lindore të kontrolluar nga rebelët, gjatë rrugës nga Amsterdami për në Kuala Lumpur.
Të gjithë 298 personat në bord humbën jetën, përfshirë 193 shtetas holandezë.
Në maj 2025, agjencia e OKB-së për aviacionin civil (ICAO) fajësoi Rusinë për rrëzimin e avionit, akuzë që Moska e hodhi poshtë si “të njëanshme”.
275 të vdekur, Iran (2003)
Më 19 shkurt 2003, një Ilyushin Il-76 i prodhimit rus, që i përkiste Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), u rrëzua pranë Kermanit, në Iranin juglindor.
Të 275 personat në bord humbën jetën.
Avioni u zhduk nga radarët rreth një orë pas ngritjes dhe kishte kërkuar ulje për shkak të motit të keq.
265 të vdekur, New York, SHBA (2001)
Më 12 nëntor 2001, një Airbus A300 i American Airlines u rrëzua në lagjen Queens të Nju Jorkut menjëherë pas ngritjes nga aeroporti JFK, duke vrarë 260 persona në bord dhe pesë të tjerë në tokë.
Avioni ishte nisur drejt Republikës Dominikane, në qytetin Santo Domingo.
257 të vdekur, Algjeri (2018)
Më 11 prill 2018, një avion transporti Ilyushin Il-76 u rrëzua pak pas ngritjes nga një bazë ushtarake në jug të Algjerit, duke vrarë të 257 personat në bord.
Shumica e pasagjerëve ishin ushtarakë dhe anëtarë të familjeve të tyre.
Rrëzime në det
Tre aksidentet e radhës më vdekjeprurëse ndodhën në det:
8 mars 2014 – Fluturimi MH370 i Malaysia Airlines, me 239 persona në bord, u zhduk gjatë rrugës nga Kuala Lumpur për në Pekin.
Pavarësisht një kërkimi të gjerë në Oqeanin Indian jugor, avioni nuk u gjet kurrë.
1 qershor 2009 – Një Airbus A330 i Air France, fluturimi AF447 nga Rio de Janeiro për në Paris, u zhduk mbi Atlantik në një zonë turbulencash.
Në bord ishin 228 persona.
U deshën dy vjet për të gjetur rrënojat.
25 maj 2002 – Një Boeing 747-200 i China Airlines u rrëzua në ngushticën e Tajvanit, duke vrarë 225 persona.
Avioni ishte nisur për në Hong Kong, por u shpërbë në ajër rreth 20 minuta pas ngritjes nga Taipei. /TRT World/