Ngërç në bisedimet SHBA-Kinë për tarifat

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar të enjten se negociatat tregtare me Kinën janë “pak të bllokuara”.
Ai sugjeroi që Presidenti Donald Trump dhe homologu i tij kinez Xi Jinping mund të përfshihen.
“Do të thoja se ata janë pak të bllokuara. Besoj se do të zhvillojmë më shumë bisedime me ta në javët e ardhshme dhe besoj se në një moment të caktuar mund të kemi një telefonatë midis presidentit dhe Xi”, tha ai.
Dy ekonomitë më të mëdha në botë ranë dakord këtë muaj të pezullojnë tarifat reciproke për 90 ditë, një ulje e papritur e tensioneve në luftën e tyre të ashpër tregtare pas bisedimeve midis zyrtarëve të lartë në Gjenevë.
Sipas armëpushimit të 12 majit, Uashingtoni ra dakord të ulë përkohësisht tarifën mbi importet kineze në 30 për qind nga 145 për qind, ndërsa Kina tha se do të ulë tarifën e importit mbi mallrat amerikane në 10 për qind nga 125 për qind.