Nga shitja e pasurisë së konfiskuar në buxhet kanë hyrë gati 1.2 milionë euro

Nga shitja e 20 automjeteve të konfiskuara dhe 10 objekteve të banimit, nga muaji mars deri në fund të dhjetorit janë futur në buxhetin e shtetit 1.162.000 euro. Kështu ka bërë të ditur Driton Nebiu, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, i cili ka dhënë llogari për punën e bërë që nga muaji mars kur u emërua në këtë pozitë. Ai shpjegoi se Agjencia menaxhon me pronat e konfiskuara, përfitimet pasurore dhe sendet e konfiskuara me vendim të formës së prerë në procedurë penale dhe kundërvajtëse, si dhe sendet e konfiskuara përgjithmonë në procedurë administrative.

Gjatë kësaj periudhe, 150 automjete u janë dhënë autoriteteve shtetërore, institucioneve, ministrive, komunave, institucioneve publike të mirëqenies dhe shëndetit publik dhe në këtë mënyrë buxheti i shtetit është ndihmuar edhe për të kursyer mbi 500.000 euro. Në të njëjtën kohë, ushqime, tekstil dhe sende të tjera u shpërndanë nëpër shkolla, kopshte.

Nebiu tha se me ardhjen e tij në detyrë është pritur me magazina të tejmbushura me mallra të konfiskuara të cilat janë grumbulluar pa u ruajtur siç duhet, ka pasur edhe mallra të prishura dhe të skaduara.

“Punonjësit me vetëmohim iu futën punës, pjesën më të madhe e pastruam dhe atë që ishte e përdorshme ua dhuruam institucioneve, të cilat bënë kursime në thesarin e shtetit” – tha Nebiu, i cili shtoi se nuk do të mbetet asnjë pronë e papërpunuar.

Sipas informacioneve të Drejtorisë doganore, bëhet fjalë për mallra të konfiskuara të padeklaruara në vlerë prej rreth 3 milionë euro, të cilat gjenden në depot publike dhe depot e Drejtorisë së Doganave.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button