Nga protesta tek festa, përthyerja simbolike e një praktike devocionale bektashije

Tradicionalisht, mistikët, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim bektashinjtë, i kanë zgjedhur shtëpitë e tyre spirituale në periferi të qendrave urbane. Edhe në Shqipëri, ndër teqetë më të rëndësishme dhe më të hershme janë ato të Frashërit, Fushë-Krujës, Melanit, Alipostivanit etj., që janë jashtë qendrave të banuara, siç ka dhe raste më të pakta të teqeve brenda qyteteve, si në Krujë, Gjirokastër etj. Pikërisht veçimi nga qyteti është, para së gjithash, një shmangie e politikës.

Elton HATIBI, Tiranë

Termi “pelegrinazh” është relativisht i vonë në fjalorin e tarikatit bektashi, kur e dimë se themeluesi i tij, pjesë përbërëse të emrit ka termin “haxhi”, që shënon pikërisht Bektash Veliun. Si pak shenjtorë të tjerë të Islamit, themeluesi i bektashizmit njihet që në emër si një haxhi që e ka kryer detyrën fetare të vizitës së Qabes në Mekë. Përveç këtij pelegrinazhi në Mekë, që është një nga kushtet themelore të besimit – për ata që kanë mundësi, vizitat e varreve të shenjtorëve dhe “njerëzve të mirë” konsiderohen si “ziaret”, literalisht një vizitë devocionale, sipas dëshirës, për të përkujtuar të ndjerin në prani të Zotit, duke përfituar shpirtërisht një përtëritje besimi. Kështu mund të përkufizohet teorikisht dhe rituali i “pelegrinazhit” të përvitshëm bektashi në malin e Tomorit. Me termin “pelegrinazh”, që përkon si kohë përdorimi, mes termash të tjerë, me rrethanat e ristrukturimit kombëtar të tarikatit, fillon dhe fenomeni i përkufizimit shkollar të praktikave dhe identitetit të tarikatit. Përherë e më tepër përshkrimin e kredos, ritualistikës dhe praktikave të bektashinjve do t’i mësojmë edhe nga autorë të huaj, që riformulojnë të dhënat që kanë marrë nga kontakti me dinjitarë ose dashamirës bektashinj, kjo deri në fillimet e regjimit komunist, kur dalëngadalë u shua për gjysmëshekulli çdo e dhënë për bashkësitë fetare në Shqipëri.

Rizgjimi fetar, pas rënies së regjimit komunist, pati një dinamikë interesante për të gjitha komunitetet fetare në vend. Veç strukturave institucionale, për nevojat e komuniteteve lokale, në një hark kohor pak mujor u rihapën, dhe në disa raste u ringritën, mjaft objekte kulti. Në këtë frymë ringritjeje identitare fetare rinisi dhe pelegrinazhi në malin e Tomorit, i cili ishte ndërprerë për një periudhë gati gjysmëshekullore. Që nga koha e dëshmive të para të kësaj ngjarjeje, në një vështrim të përgjithshëm, ritualistika nuk ka ndryshuar pothuajse aspak. Mbase vetëm frekuentimi i ngjarjes ka marrë një karakter më të gjerë nga çfarë ka qenë në fillimet e veta. Siç na rrëfen studiuesi rumun Burileanu, që e vizitoi zonën në fillim të shekullit të njëzetë, në mesin e gushtit, një masë e madhe njerëzish popullon malin Tomor dhe sakrifikon bagëti të imta pranë majës së tij, me ç’rast hoxha (dervishi) lexon lutjet. Ndërkohë dëshminë më të plotë për karakterin e pelegrinazhit na e sjell Eqrem bej Vlora në librin e tij “Ditarnga Berati në Tomor dhe kthim”. Ai e përshkroi i pari edhe varrin cenotaf të Abaz Aliut në majën e malit, si një vend i rrethuar me gurë, ku vizitorët me nderim hidhnin monedha si lëmoshë për të varfrit.

Ky pelegrinazh realizohet për nder të Abas Aliut, njërit prej martirëve të tragjedisë së Qerbelasë, ngjarje ku u martirizua Imam Hysejni, nipi i profetit Muhamed, bashkë me disa dhjetëra familjarë dhe mbështetës të tij. Në betejën e Qerbelasë u ndeshën grupi i vogël i mbështetësve të Imam Hysejnit dhe një armatë e kalifit Jezid, autoriteti i kohës i bashkësisë së myslimanëve. Ky moment tragjik i historisë myslimane shërben si shkas i një skizme mes pushtetit politik, që mishërohej tek institucioni i kalifit, dhe ithtarëve të familjes profetike, të cilët martirizimin e tyre e qendërzojnë si rezistencë ndaj këtij pushteti. Përkujtimi i përvitshëm i tragjedisë së Qerbelasë ka marrë përmasa nga më të ndryshmet në kulturat myslimane me afiliacion shiit, ku më spektakolaret janë procesionet që kulmojnë ditën e Ashurasë, në të cilat pjesëmarrësit vetëfshikullohen me kamxhikë, ose shfaqjet teatrale (ta’zieh), ku riprodhohet në publik ngjarja historike për një audiencë të gjerë.

Pavarësisht denominimeve të veçanta, ngjarja historike, pra, shërben si etos për praktika fetare dhe interpretime teologjike, si në fraksionet e shiizmit, ashtu dhe në rastin tonë, në tarikatin bektashi, ngjashëm si në shumicën e urdhërave të tjerë mistikë. Përtej përthyerjeve teologjike që ndajnë shkollat e mendimit mysliman, vështrimi i mistikëve e rrok ngjarjen si praktikë përkujtimi tragjik, me ç’rast sipas kalendarit përkujtimor kryhet një ndalesë ushqimore disaditore (matem), që kulmon me ngrënien e ëmbëlsirës tradicionale të ashures. Nata përpara ndarjes së ëmbëlsirës përkujtohet nga një ritual i veçantë, që mbart edhe recitimin e një vajtimi dhe lutjeje për martirizimin e Imam Hysejnit (mersie). Pjesë e lutjeve dhe recitimeve ceremoniale është dhe mallkimi i Jezitit, i konsideruar si urdhëruesi i tragjedisë, si dhe i autorëve të tjerë, të cilët tradita i përshkruan sipas rolit të tyre në ngjarje. Kështu Jezidi shndërrohet në simbolin e tiranisë dhe errësirës që e mbyt virtytin dhe dëlirësinë. Kundrejt qasjes politike, që e sheh të paevitueshme përballjen me tiraninë, mistika e shndërron këtë në një përballje të brendshme, të dimensionit shpirtëror, një simbolikë të madhe, që vjen si shembull konkret nga historia për t’i rezistuar përmasës tiranike që mbartim në vetet tona. Gjithashtu, po ta përkufizojmë me termat e Hamid Dabashit (Shi’ism, a religion of protest), ngjarja simbolizon një revoltë metafizike të pafundme kundër tiranisë, ku Hysejni dhe Jezidi janë përfaqësuesit kozmikë të kësaj beteje. Duke e përkujtuar në publik këtë ngjarje historike, mistika ndërton narrativa që evidentojnë virtytet e larta të anëtarëve të familjes profetike, vendin që gjejnë ata te Zoti, e gjitha kjo në funksion të shprehjes së dashurisë (tevela), njëkohësisht duke përbuzur dhe urryer kundërshtarët e tyre (teberra).

Ndryshe nga qasja teologjike shiite, në mistikë nuk implikohet sociologjikisht ndjenja e fajit që duhet të bartet nga gjithë bashkësia e besimtarëve. Siç vëren Dabashi, sërish në përmasën metafizike, nga etosi i Qerbelasë gjejmë “suksesin moral në dështimin politik”. E zhveshur nga kjo mbivendosje emocionale dhe e shndërruar në gurthemel të mistikës islame, përftojmë një simbolikë për natyrën e pushtetit, një natyrë që korrupton pambarimisht, një mësim mistik në përputhje me refuzimin sheriatik të rendjes së verbër ndaj veprimtarive tokësore. Suksesi i vërtetë është në botën tjetër dhe arrihet duke kontrolluar pasionet, për të mbërritur si kulm përballjen me tiraninë. Dynjaja me gjithë implikimet korruptive të saj është e predestinuar të humbasë, thjesht duhet të zgjedhësh përfshirjen në hirin e Zotit, që të garanton parajsën.

Si manifestim religjioz, përderisa kryhet për nder të Abas Aliut, “pelegrinazhi” ose “ziareti” në malin Tomor është në kuadrin e gjerë e të pandarë të etosit me sfond ngjarjet e Qerbelasë. Pra, përkujtohet një fragment i ngjarjes me një qendërzim në personin e Abas Aliut. Sipas traditës, Abas Aliu, si flamurtari i betejës së Qerbelasë, në një moment dramatik sakrifikohet brutalisht në përpjekje për të sjellë ujin e dëshiruar nga foshnjat dhe gratë në kampin e rrethuar. Për të përkujtuar këtë moment, në majën e malit Tomor është ngritur edhe një përmendore që mishëron Abas Aliun hipur mbi kalë, me dy foshnja në prehrin e tij, si simbolikë e sakrificës ndaj tyre. Pikërisht nisur nga kjo ndodhi, teologjia e bektashinjve ka akomoduar dhe një kult të veçantë për foshnjat e martirizuara të Qerbelasë, të konsideruara si të pafajshme (mahsumi pak), momenti më tragjik i kësaj masakre. Në një këndvështrim tjetër, narrativa lokale e ka shkëputur disi personin e Abas Aliut nga tradita e konsoliduar fetare. Në këtë narrativë të re, ai mbërrin në Tomor hipur mbi kalë, duke i ikur vendit shkretinor, atje ku ka edhe mauzoleumin e tij historik. Kjo narrative e re gjen jehonë që në fillim të shekullit të njëzetë, e stilizuar edhe nga autorë të rëndësishëm si Naim Frashëri, për t’u amplifikuar gjithnjë e më tepër si një mit autentik nga autorë dhe udhëtarë të huaj që e vizituan Shqipërinë e asaj kohe.

Me rinisjen edhe një herë të pelegrinazhit në malin e Tomorit, edhe për shkak të karakterit lokal që kishte pasur tradicionalisht, aktivitetit do t’i mungojë jehona e konsiderueshme publike. Por, me kohë, vizita në Tomor u shndërrua në aktivitetin më të rëndësishëm fetar të bektashinjve. Ky masivizim do t’i atribuohet pikërisht dimensionit popullor spontan të aktivitetit. Nuk ka një ritualistikë të sanksionuar fetarisht, por ata më të përkushtuarit dhe që kanë mundësi ekonomike, si moment kulmor kryejnë kurbanin e bagëtisë në vendin e caktuar. Pjesa më e madhe e vizitorëve, ndërkaq, sipas rastit, lutet për begati dhe fat, ndez qirinj në Teqenë e Kulmakut dhe varret aty. Më të pakët janë ata që ngjiten në majën e malit dhe japin disa shuma të hollash si lëmoshë në Tyrben e Abas Aliut. Kjo është në përgjithësi ritualistika. Megjithatë, siç vërejnë edhe antropologët që janë marrë gjerë me ngjarjen si rast studimor, një pjesë e vizitorëve nuk kanë një qartësi dhe formim të mirë për natyrën dhe domethënien e pelegrinazhit. Shpesh shumë prej tyre thjesht vijnë familjarisht të organizuar dhe kryejnë një formë “pikniku fetar”, duke iu bashkangjitur farefisnisë që e organizon vizitën në mal. Kjo formë pelegrinazhi imitativ turistik, me përmbajtje të vogël spirituale, është e kuptueshme të ndodhë në një shoqëri që ende përjeton efektet e propagandës ateiste të regjimit të shkuar. Për këtë qëllim tejspiritual, për të plotësuar atmosferën festive, janë ngritur edhe një numër lokalesh që ofrojnë gatime dhe pije alkoolike për vizitorët e shumtë aty. Një autor tejet i interesuar gjatë këtyre dekadave për çështjet identitare të Islamit, si Mustafa Nano, pikërisht në një artikull të fundit evidentonte si sjellje tejet të natyrshme gjatë pelegrinazhit gostitjet idilike nga grupe të rinjsh, që gjithashtu ia marrin këngës gjatë netëve të qëndrimit në Tomor. Zbrazëtia shpirtërore e shumë pjesëmarrësve në pelegrinazh, përveçse me përvojën vetjake dhe komunitare aty, plotësohet gjithashtu nga atmosfera festive, së cilës i mbivendoset një përmasë përkatësie social-politike.

Në këtë transformim njëshekullor nga një fenomen lokal në një pelegrinazh kombëtar, natyrshëm është përfshirë dhe politika. Gjithnjë e më shpesh autoritete shtetërore deri në rangun e presidentit kanë qenë pjesë e këtij pelegrinazhi. Me mbulimin mediatik që i është bërë ngjarjes në vitet e postkomunizmit, politika e ka parë pelegrinazhin si një mundësi të frytshme për t’u përfshirë në ceremonialin e përvitshëm. Më këtë rast, për të shënuar edhe fillimin zyrtar të aktivitetit, autoritetet fetare, ngjashëm si në ngjarje të tjera publike, organizojnë një ceremoni hapëse, ku personalitete të shumta, më shumë laike se fetare, i përshëndesin pjesëmarrësit e ritualit, ndërsa përmes medias, edhe besimtarët e tjerë ose edhe gjithë bashkëkombësit. Nuk mungojnë dhe grupe muzikore ose ansamble valltarësh të veshur me kostume tradicionale, të cilët performojnë për të pranishmit në skenën e improvizuar. Skenografia festive nga viti në vit i ngjan gjithnjë e më tepër një tribune si të atyre të tubimeve të mirëfillta politike, që zhvillohen gjatë garave elektorale, ku përveç mesazheve fetare, përçohen dhe ato me karakter ambig, që deshifrohen nga komentatorët politikë.

Kjo përfshirje rituale e politikës, përveç shfrytëzimit të karakterit rajonal të ngjarjes, që mbledh mijëra pelegrinë, ka në sfond edhe një shtysë tjetër që buron nga perceptimi i bektashizmit si një version liberal i Islamit. Që në fundin e epokës osmane, autorë të shumtë kanë evidentuar natyrën dhe specifikat e tarikatit në dallim me pjesën tjetër të Islamit të konsideruar si ortodoks. Duke njohur edhe historinë e persekutimit të bektashinjve gjatë mbretërimit të Mahmudit II, është përhapur ideja, jo e pambështetur, se bektashinjtë ishin më të përfshirë në lëvizjen nacionaliste shqiptare se myslimanët e tjerë. Në këtë këndvështrim, që përfshin mistikën, “të pakapshmen” si ide, “liberalen” ose heterodoksinë në sjelljen sociale, me patriotizmin e rrjedhimisht me ndryshimin, është ndërtuar dhe përfytyrimi i këtij islami më të pranueshëm ose më modern. Që në fillim të shekullit të njëzetë, autorë si Hasluck-u e kanë popullarizuar idenë e “muslimanëve jokomformistë të Shqipërisë”, në dallim nga fanatikët sunij, që në kohën kur ajo shkroi, sipas saj, sundonin Shqipërinë. Autorë më modernë, si Albert Doja, shohin te misticizmi i bektashinjve një qasje konfliktuale me autoritetin ose dogmën zyrtare, që politikisht shfaqet në një “teologji çlirimi” të një projekti nacionalist. Sigurisht këto teori, që janë të shpeshta dhe përsëritëse në studimet për bektashizmin, janë platforma ideore ngacmuese për politikanë ose autoritete të ndryshme për të gjetur forma bashkëshoqërimi me këtë variant “të pranueshëm” të Islamit. Në ndihmë të kësaj qasjeje vjen edhe përhapja diskursive me teori “pellazgjike”, me tempuj të Dodonës në majë të malit, rrjedhimisht dëshmuese të lashtësisë etnike shqiptare, që shërbejnë si sfond i sfumuar i kësaj ngjarjeje fetare islame.

Këmbëngulja e përvitshme për të pasur në qendër të ceremonisë edhe figura të rëndësishme politike, që janë instrumente sekularizues të pelegrinazhit, e dublon mesazhin autentik shpirtëror që humbet mes rreshtave ligjërimorë të autoriteteve fetare. Politikanët shqiptarë, në vitet e postkomunizmit, kanë pasur një reputacion jo të lakmueshëm publik, kjo si rezultat i kohëzgjatjes shumëvjeçare në skenën politike të vendit. Politikanë të shumtë në pushtet ose opozitë, ndër vite, janë akuzuar mes tyre si të përfshirë në skandale korruptive, e deri në akte kriminale, pa kontribuar për të sqaruar akuzat e ndërsjella mes tyre. Qëndrimi i shpeshtë në pushtet, rokadat në postet publike dhe aleancat e dyshimta mes tyre kanë krijuar perceptimin e ngulitur gjerësisht në publik për natyrën amorale të politikës në vend. Me të drejtë, përfitimi i paligjshëm nga pushteti dhe jo shërbimi ndaj qytetarëve mendohet si shtysa për këtë këmbëngulje irracionale për të qëndruar me çdo mjet në politikë. Këtë atmosferë mosbesimi ndaj politikës e ushqen edhe pasuria dhe luksi i dukshëm i politikanëve që shoqërohet shpesh me një sjellje arrogante në publik kur u preken interesat ose u cenohet imazhi. Në gjithë këtë atmosferë morale të traditës politike shqiptare, e cila është e pandashme nga trendet e përgjithshme social-kulturore të shoqërisë, është i paevitueshëm përdorimi politik i ngjarjeve me impakt social, siç është pelegrinazhi në malin Tomor.

Tradicionalisht, mistikët, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim bektashinjtë, i kanë zgjedhur shtëpitë e tyre spirituale në periferi të qendrave urbane. Edhe në Shqipëri, ndër teqetë më të rëndësishme dhe më të hershme janë ato të Frashërit, Fushë-Krujës, Melanit, Alipostivanit etj., që janë jashtë qendrave të banuara, siç ka dhe raste më të pakta të teqeve brenda qyteteve, si në Krujë, Gjirokastër etj. Pikërisht veçimi nga qyteti është, para së gjithash, një shmangie e politikës. Edhe vizitat e rëndësishme në vende si mali i Tomorit apo mali Sarisalltëk, përveç dëshmisë së përpjekjes islamizuese të këtyre kulteve të krishtera me nënshtresë të fortë pagane, janë dhe “arratisje” lart në lirinë e natyrës, larg përshtjellimit me përdhesen që na rrethon në përditshmëri dhe që mishërohet më së dukshmi edhe te politika. Politika është ajo që kërkon të të përfshijë jashtë vullnetit tënd, që kërkon “sakrificë” për një kauzë grupi, që i kundërvihet interesave të grupeve të tjera. Pra, përmes ndarjes dhe konfliktit përpiqet për “interesin” e përgjithshëm. Përkundrazi, feja, në këtë rast praktika mistike e bektashizmit, kërkon që me ngjitjen drejt malit të zhveshësh dalëngadalë simbolikisht veçantitë individuale, për të mbërritur majën, me largimin e plotë të egos dhe afrimin me hyjnoren, ngjashëm me sakrificën e Abas Aliut në përballje me tiraninë, i cili, përtej rrezikut të qartë, ndërmori rrugëtimin për ndihmë ndaj më të dobëtëve.

Në përputhje me interpretimet e shumta ndaj bektashizmit si një variant fetar i veçantë i Islamit, edhe pelegrinazhi i manifestuar në Tomor është një pelegrinazh autentik, që formën e ka të ngjashme me atë të dëshmuar në fillimet e veta, por që ka ndryshuar në përmbajtje. Me politikën që përpiqet për t’u dukur edhe në këtë ngjarje madhore fetare në vend dhe e manifestuar me një spontanitet ritualistik nga pjesëmarrësit e shumtë, pamja e malit Tomor në ditët e fundit të gushtit është një shfaqje fetare që e anashkalon mësimin historik dhe mistik nga e merr legjitimitetin shpirtëror. Kjo luhatje paradigmatike pikërisht në truallin e vet historik është një dobësi që vjen si rezultat i asgjësimit të frymës mistike gjatë regjimit ateist. Rrëfimet e mëdha të shembujve mistikë dhe të domethënieve të tyre në universalitetin e njeriut dhe në marrëdhënien me Zotin janë të një karakteri thjesht përshkrues dhe informues. Tashmë rëndësi të dorës së parë ka forma dhe pjesëmarrja, përfshirja dhe ndihma e gjithë aktorëve të mundshëm shoqërorë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button