Nga nesër, transportuesit e mallrave në rajon bllokojnë pikat kufitare

Nga e hëna, transportuesit e mallrave do të organizojnë protestë të koordinuar në pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, duke përfshirë Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, duke paralajmëruar bllokim të qarkullimit të automjeteve transportuese.
Shoqata maqedonase e transportit “Makam-trans” tha në një deklaratë se protesta është kundër sistemit të ri për regjistrimin e ditëve të qëndrimit të profesionistëve të transportit në zonën Shengen.
Sipas paralajmërimit, qarkullimi i mallrave do të ndalohet, ndërsa automjetet e udhëtarëve dhe autobusët do të lëvizin pa ndërprerje.
Organizatorët paralajmërojnë që protesta mund të zgjasë deri në shtatë ditë, me mundësi të ndërpritet më herët nëse arsyet për të cilat është organizuar tejkalohen.
Sipas tyre, protesta ka për qëllim tërheqjen e vëmendjes për pasojat afatgjata të regjistrimit të ditëve të qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen (rregulla 90/180 ditë), gjë që, sipas transportuesve, mund të çojnë në rritje të kostove të transportit, pengesa logjistike dhe ndikim negativ mbi ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se do të sigurojë qarkullim të pandërprerë për automjetet e udhëtarëve dhe autobusët, ndërsa do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, me theks të veçantë në automjetet që transportojnë ilaçe, bagëti dhe materiale të rrezikshme.
Organizatorët kërkojnë që shoferët të mos llogariten si turistë dhe të trajtohen si punonjës ndërkufitarë që kryejnë detyrën e tyre themelore, transportimin e mallrave. Ata paralajmërojnë se nëse nuk gjendet një zgjidhje deri në prill 2026, protestat do të shndërrohen në një grevë më të gjerë, me ndërprerje të plotë të transportit të mallrave.
Sipas shoqatës “Makam-trans”, protestat janë një mesazh për Komisionin Evropian dhe autoritetet e Shengenit, por edhe për kompanitë që kërkojnë transport, për të kuptuar ndikimin e rregullave të reja dhe për të lobuar për ndryshime në sistemin e regjistrimit të kohës së qëndrimit të profesionistëve të transportit.



