Nga java e ardhshme ndalohet qarkullimi i kamionëve mbi 15 tonë në rrugët shtetërore

Nga 1 korriku deri më 31 gusht, në rrugët shtetërore të Maqedonisë do të zbatohet një regjim i përkohshëm veror i komunikacionit, me të cilin ndalohet lëvizja e automjeteve të rënda transportuese me masë të përgjithshme mbi 15 tonë, gjatë ditëve të fundjavës dhe në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta, njoftoi Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM), përcjell Zhurnal.mk.
Ndalimi do të vlejë në këto termine:
Të premten nga ora 17:00 deri në 22:00,
Të shtunën nga ora 09:00 deri në 18:00 dhe
Të dielën nga ora 09:00 deri në 22:00.
Në ditët me temperatura ekstreme të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndalimi do të vlejë edhe nga e hëna deri të enjten në periudhën prej orës 11:00 deri në 17:00.
Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihma humanitare, grurë dhe kultura drithërore, mallra të prishshme, naftë dhe derivate të saj, transport të materialeve të rrezikshme, si dhe për automjetet që realizojnë transport për kompani që kanë kontrata për zbatimin e projekteve në rrugët shtetërore me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore.
Në rrugën magjistrale A2, në segmentin Shkup – Ohër – Shkup (me vlefshmëri deri më 1 shtator), ndalohet qarkullimi i automjeteve të rënda transportuese me masë të përgjithshme mbi 7.5 tonë gjatë fundjavave, në këto intervale:
Të premten nga ora 15:00 deri në 22:00,
Të shtunën nga ora 07:00 deri në 12:00 dhe nga ora 18:00 deri në 24:00 dhe
Të dielën nga ora 07:00 deri në 22:00.
LAMM thekson se ky regjim i posaçëm i komunikacionit po vendoset gjatë verës me qëllim shmangien e bllokimeve në komunikacion në drejtim të destinacionit më të vizituar turistik në Republikën e Maqedonisë, zvogëlimin e vonesave në pikat e pagesës së taksës rrugore dhe në përgjithësi një rrjedhje më të shpejtë të automjeteve dhe lëvizje të papenguar të turistëve.
Edhe ky kufizim nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihma humanitare, grurë dhe kultura drithërore dhe mallra të prishshme.