NEWBORN-i mveshur me tematikë të re: “Shërim, forcim dhe rritje”, reflektohet rrugëtimi i Kosovës
Krijuesi i monumentit, Fisnik Ismaili, ka zbuluar konceptin artistik për këtë vit bazuar në artin tradicional japonez “Kintsugi”, që sipas tij reflekton rrugëtimin e Kosovës gjatë viteve.

Monumenti i pavarësisë NEWBORN i vendosur në qendër të kryeqytetit Prishtinë, simboli më i njohur i shtetësisë së Kosovës, ka marrë një pamje të re dhe një mesazh të përditësuar me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Krijuesi i monumentit, Fisnik Ismaili, ka zbuluar konceptin artistik për këtë vit, sipas tij i bazuar në artin tradicional japonez “Kintsugi”, teknikë kjo që simbolizon “shërimin, forcimin dhe rritjen e vlerës pas sfidave dhe vështirësive”.
Mesazhi i këtij koncepti reflekton rrugëtimin e Kosovës gjatë viteve, duke përballuar sfida me qëndrueshmëri dhe duke u forcuar në procesin e zhvillimit të saj.
Monumenti NEWBORN, i vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, është një skulpturë tipografike dhe një pikë referimi simbolike që përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e cila për pesë vjet qëndroi me pamjen e njëjtë dhe më pas është ringjyrosur çdo vit për t’iu përshtatur temave të ndryshme që nxjerrin në pah situata dhe aspirata të shoqërisë kosovare.



