New York, gjatë protestave në mbështetje të emigrantëve të parregullt arrestohen 65 persona

Në New York të SHBA-së dhjetëra persona u arrestuan në protestat e mbajtura në mbështetje të emigrantëve të parregullt të ndaluar nga Zyra e Imigracionit dhe Doganave (ICE), transmeton Anadolu.

Sipas “New York Post”, mijëra njerëz u mblodhën në sheshin “Foley” në zonën Lower Manhattan të Manhattanit për të protestuar kundër praktikave të deportimit të ICE-s në të gjithë qytetin dhe vendin.

Duke mbajtur pankarta me mbishkrimet “Shpërbëni ICE-n” dhe “ICE shporru nga New Yorku” dhe duke brohoritur slogane të tilla si “Tullë-tullë bëhet mur, ky sistem racist duhet të shembet!”, demonstruesit përparuan duke bllokuar rrugët përreth Federal Plaza.

Midis policisë dhe demonstruesve pati përleshje të ashpra pasi protestat në New York dolën jashtë kontrollit në orët e mbrëmjes. Demonstruesit hodhën shishe uji dhe objekte të ndryshme drejt policisë ndërsa policia ndërhyri me sprej me piper kundër protestuesve.

Theksohet se 65 persona janë arrestuar gjatë incidenteve dhe të njëjtit përballen me akuza për “prishje të rendit publik” dhe se numri i ndalimeve mund të rritet.

Protestat masive në New York përkuan me demonstrata të ngjashme edhe në qytete të tjera të mëdha si San Francisko, Seattle dhe Çikago.

Protestat kundër ICE-s në Los Angeles

Administrata e Donald Trumpit ka reaguar ashpër ndaj ngjarjeve ndërsa demonstratat në mbështetje të emigrantëve të parregullt të arrestuar nga ICE vazhdojnë në Los Angeles të SHBA-së.

Gjatë protestave kundër ICE-s u arrestuan shumë protestues ndërsa herë pas here janë shënuar përleshje midis forcave të sigurisë dhe protestuesve. Shumë automjete u dogjën duke u bërë të papërdorshme nga disa protestues.

Presidenti amerikan Trump njoftoi fillimisht se ka mobilizuar rreth 2.000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare në rajon për të kontrolluar situatën në Los Angeles. Ai më vonë njoftoi se ka mobilizuar edhe 2.000 pjesëtarë të Gardës dhe 700 marinsa shtesë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button