Netanyahu pretendon përparim në negociatat për shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pretenduar “përparim të rëndësishëm” në negociatat për një armëpushim në Gaza dhe shkëmbim të të burgosurve, transmeton Anadolu.

“Është shumë herët për t’u dhënë njerëzve shpresë. Ne aktualisht po punojmë pa pushim për këtë”, tha Netanyahu në një video të publikuar nga zyra e tij.

Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gideon Saar, gjithashtu pretendoi përparim në bisedimet për armëpushim.

“Kohëve të fundit janë bërë disa përparime dhe në dritën e përvojave të kaluara nuk dua ta ekzagjeroj”, tha Saar në një konferencë për media në Kuds.

Sipas gazetës ‘The Jerusalem Post’, Netanyahu mbrëmë zhvilloi një takim për të diskutuar negociatat për armëpushim.

E përditshmja tha se grupi palestinez Hamas ka qenë duke hartuar një përgjigje të re ndaj propozimit të të dërguarit amerikan, Steve Witkoff dhe se “kjo mund të çojë potencialisht në një përparim në negociata”.

Mbi pretendimin e Izraelit deri më tani nuk ka pasur ndonjë koment nga Hamasi ose SHBA-ja.

Izraeli vlerëson se 56 pengje mbeten në Gaza, përfshirë 20 që besohet se janë gjallë. Ndërkohë, sipas grupeve të të drejtave palestineze dhe izraelite, të paktën 10.100 palestinezë mbahen në burgjet izraelite në kushte të vështira, përfshirë raportime për tortura, uri dhe neglizhencë mjekësore.

Hamasi vazhdimisht ka ofruar lirimin e të gjitha pengjeve izraelite në këmbim të përfundimit të luftës, tërheqjes së plotë të trupave izraelite nga Gaza dhe lirimit të të burgosurve palestinezë. Megjithatë, Netanyahu i ka hedhur poshtë këto kushte, duke këmbëngulur në çarmatimin e fraksioneve palestineze të rezistencës dhe duke kërkuar kontroll të rinovuar mbi Gazën.

Opozita izraelite dhe familjet e pengjeve kanë akuzuar Netanyahun për zgjatjen e luftës për të qetësuar partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë dhe për të ruajtur pushtetin.

Duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndjekur një ofensivë brutale kundër Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 55 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e luftës kundër civilëve në enklavën palestineze.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button