Nesër është 62-vjetori i tërmetit katastrofik që goditi Shkupin më 1963

Nesër, Shkupi shënon 62-vjetorin e tërmetit katastrofik që goditi qytetin më 26 korrik 1963, duke shkaktuar vdekjen e 1.070 personave dhe plagosjen e 3.000 të tjerëve.

Në Muzeun e Qytetit të Shkupit, sonte në ora 20:00, do të hapet ekspozita “Shkupi gjatë tërmetit dhe më pas”, në nderim dhe kujtim të viktimave të tragjedisë që e la qytetin në gërmadha 62 vjet më parë. Kjo ekspozitë do të ketë karakter të përhershëm dhe do të jetë e qasshme për çdo vizitor.

Ashtu si çdo vit, qyteti e kujton këtë tragjedi që e ndryshoi përgjithmonë Shkupin.

Tërmeti i vitit 1963 konsiderohet si një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë e qytetit, por njëkohësisht u bë një moment i rëndësishëm solidariteti ndërkombëtar dhe ndihme për rimëkëmbjen e komunitetit.

Tërmeti ndodhi në orën 5:17 të mëngjesit, ndërsa dridhje më të lehta u regjistruan deri në orën 5:43. U shkatërruan 15.800 banesa dhe u dëmtuan 28.000 të tjera. Mbi 200.000 njerëz mbetën pa strehë.

Pas tragjedisë, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar bëri apel për ndihma në ushqime, ndërsa Bashkimi Interparlamentar i bëri thirrje parlamenteve dhe qeverive të ndihmojnë në rindërtimin e qytetit. Organizata humanitare nga shumë vende nisën grumbullimin e ndihmave për Shkupin. Kombet e Bashkuara morën përsipër një plan ndihmash afatgjata për qytetin e shkatërruar.

Më 23 shtator 1963, 35 vende kërkuan që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ta përfshinte në rend dite çështjen e masave për Shkupin. Më 27 shtator, Asambleja i dha përparësi veprimeve ndërkombëtare për ndihmë. Më 14 tetor, ajo miratoi njëzëri një Rezolutë për ndihmë ndaj qeverisë jugosllave në rindërtimin e qytetit. Gjatë debatit, folën përfaqësues nga mbi 20 vende nga të gjitha kontinentet. Kjo ditë mbetet e njohur në analet e Kombeve të Bashkuara si “Dita e Shkupit”.

Gjatë historisë së tij të gjatë, qyteti është shkatërruar disa herë dhe është rindërtuar. Në hapësirën mes fshatrave Zllokuçan dhe Bardovc ekzistonte qyteti romak Skupi, metropol i Dardanisë, i cili u shkatërrua plotësisht nga një tërmet në vitin 518, me magnitudë 10–11 shkallë. Nga ky tërmet u rrënuan 24 kështjella urbane dhe u formuan çarje të mëdha në tokë. Shkupi u rindërtua në vendndodhjen e sotme.

Një tjetër tërmet katastrofik ndodhi në vitin 1555, me intensitet rreth 10 shkallë, duke e shkatërruar sërish qytetin.

Tërmeti i fundit i madh ndodhi më 26 korrik 1963, para 62 vjetësh, kur Shkupi u godit nga një tërmet me fuqi prej 9 shkallësh sipas shkallës Merkali (ose 6 sipas Rihterit), me epiqendër në sheshin “Maqedonia”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button