“Nëse vazhdon rritja e çmimit të naftës, çmimet e produkteve në Maqedoni mund të rriten deri 15%”

Situata tek bizneset është alarmante që tani. Ekonomia ende nuk është ngritur në këmbë pas Covid-19 dhe krizës energjetike dhe nëse dikush pret që kjo të mos përhapet në ekonominë e vendit, atëherë gabon. Këtë në emisionin Biznis 21 e tha Romeo Kostadinov, zëvendëskryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike. Në takimin me kryeministrin u është premtuar se do të ketë masa, por Kostadinov thotë se ne importojmë ushqim dhe lëndë të para, ndërsa çmimet më të larta do t’i rrisin edhe çmimet e produkteve te ne. Sipas tij, nëse të hënën përsëri do të rriten çmimet e karburanteve, efektet mbi çmimet e një pjese të produkteve në markete do të fillojnë të ndihen një javë më pas.
“Tani për tani nuk ka qëllim për rritje, sepse subjektet ekonomike ende mund të përballen me këtë në afat të shkurtër”, tha Rome Kostadinov – Nënkryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike.

– nëse të hënën përsëri rritet çmimi, atëherë?
“Atëherë tashmë kemi edhe një javë që është e pasigurt para nesh dhe pas asaj jave pritni që do të duhet të rriten çmimet e produkteve të caktuara”, pohoi Rome Kostadinov – Nënkryetar I Lidhjes Së Odave Ekonomike.

-Sa?
“Pyetja është nëse kjo rritje prej 14,5 mbetet, atëherë llogaritni se 10 deri në 15 për qind sigurisht do të ketë rritje të disa artikujve që varen nga importi, varen nga transporti dhe nga energjentët”, shtoi Rome Kostadinov – Nënkryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike.

Kostadinov thotë se ekonomia mund të përthithë një shok dyjavor nga çmimet e karburanteve dhe të heqë dorë nga fitimi, por nuk ka fuqi më të madhe akumuluese. Ka edhe paralajmërime nga kompani se do të ndërpresin punën nëse turbulencat globale vazhdojnë.

Sipas Bllagica Petreski nga Finance Think, nuk duhet të nxiten pritjet për inflacione. Hulumtimi i tyre ka treguar se nëse tensionet përfundojnë shpejt, efekti i rritjes së çmimeve të naftës mbi nivelin e përgjithshëm të çmimeve tek ne do të jetë i moderuar. Efektet do të jenë më të mëdha nëse kriza zgjat. Por sipas saj, tani edhe hapësira për veprim të shtetit është e kufizuar.

“Megjithatë hapësira për veprim është vërtet shumë e kufizuar dhe nuk është, si të them, aq bujare. Nuk do të mund të kemi masa kaq bujare si ato që i pamë gjatë Covid-it dhe gjatë krizës energjetike, në kuptimin që ato masa të jenë jashtëzakonisht lineare dhe të zgjasin shumë gjatë, pastaj të kemi paketë të parë, të dytë, të tretë, të pestë. Në këtë situatë ne nuk mund ta përballojmë atë luks”, tha Bllagica Petreski – drejtore ekzekutive e Finance Think.

Sipas ekspertit të energjetikës Konstantin Dimitrov, barra që të gjithë do ta ndiejmë duhet të ndahet në mënyrë proporcionale.

“Duhet të marrin një pjesë nga këto dhe të ndihmojnë shtetin edhe supermarketet, të ulin fitimin, sepse të gjithë do të preken, ndërsa edhe qytetarët do të paguajnë diçka më shumë. Duhet të ndahet në mënyrë të arsyeshme mes të gjithë faktorëve që janë në këtë. Edhe ata që blejnë, edhe ata që shesin, edhe ajo që hyn. Karburanti ndikon. Sa ndikon në çdo produkt mund të kontrollohet, sa mund ta rrisë çmimin është gjithashtu çështje analize për çdo produkt që është në supermarket”, deklaroi Konstantin Dimitrov – Profesor Universitar.

Sipas tij, në këtë pasiguri globale ajo që si shtet duhet të bëjmë është të gjejmë mekanizma për zbutjen e goditjejeve ndaj kompanive dhe qytetarëve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button