Nepal, të paktën 2 të vrarë dhe 45 të plagosur gjatë protestave pro-monarkisë

Të paktën dy persona janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur gjatë protestave pro-manarkisë në Nepal, duke nxitur autoritetet të vendosin shtetrrethim në disa pjesë të kryeqytetit Kathmandu, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i policisë së Nepalit, Kumar Acharya, tha se dhjetëra ndërtesa dhe automjete u dogjën në protesta.
‘The Kathmandu Post’ raportoi se gazetari Suresh Rajak gjithashtu humbi jetën pasi protestuesit i vunë flakën një ndërtesë në Tinkune derisa ai po filmonte protestat kur ndodhi ngjarja.
Siç raporton ‘Himayan Times’, edhe 29-vjeçari Sabin Maharjan u qëllua nga policia gjatë protestave dhe u shpall i vdekur në Spitalin Mësimor Universitar Tribhuvam.
Autoritetet përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe të vërtetë për të shpërndarë turmën, duke plagosur dhjetëra protestues.
Videot e protestave që qarkulluan në mediat sociale treguan përleshje mes protestuesve dhe policisë, me demonstrues që vandalizojnë ndërtesa dhe u vënë flakën objekteve në rrugë.
Autoritetet vendosën një shtetrrethim në zonën Baneshwar-Tinkune të kryeqytetit Katmandu dhe në lagjet përreth.
Kryeministri Sharma Oli ka thirrur një mbledhje urgjente të kabinetit pas protestave.
Monarkia shekullore u shfuqizua në vitin 2008, dy vjet pasi mbreti i atëhershëm Gyanendra u detyrua të braktisë sundimin e tij autoritar dhe të paraqesë demokracinë pas protestave të gjata në vitin 2006.
Që atëherë, Gyanendra ka jetuar si një qytetar privat pa fuqi apo mbrojtje nga shteti. Ai ka ende njëfarë mbështetjeje në mesin e njerëzve, por pak mundësi për t’u rikthyer në pushtet.
Kombi i Himalajeve u shpall shtet laik në vitin 2007 me një kushtetutë të përkohshme.