Nepal, rritet në 112 numri i jetëve të humbura nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës
Gjatë tre ditëve të fundit, rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet si pasojë e reshjeve në Nepal kanë marrë jetën e të paktën 112 personave, ndërkohë 68 të tjerë mbeten ende të zhdukur, transmeton Anadolu.
Siç raportojnë mediat lokale, Ministria e Punëve të Brendshme e Nepalit konfirmoi 112 vdekje, 68 persona të zhdukur dhe 100 të plagosur.
Fatkeqësia ka goditur rëndë Luginën Kathmandu, ku janë regjistruar 48 vdekje të konfirmuara, 15 të plagosur dhe 21 persona ende të zhdukur.
Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar dhe zyrtarët paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet derisa përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë.
Përmbytjet dhe rrëshqitja e tokës kanë përmbytur autostradat kryesore, duke bllokuar mijëra pasagjerë dhe duke shkëputur të gjitha lidhjet rrugore me kryeqytetin Kathmandu. Qindra shtëpi dhe ura janë fundosur ose shkatërruar, duke shkaktuar zhvendosjen e shumë familjeve.
“Do të duhen të paktën tre deri në katër ditë për t’i pastruar rrugët”, tha zëdhënësi i policisë, Dan Bahadur Karki, duke iu referuar përpjekjeve për rihapjen e autostradave.
Dje, 14 trupa u gjetën nga dy automjete të mbuluara nga rrëshqitja e tokës në Jyaple Khola në rrethin Dhading, përgjatë autostradës Tribhuvan, një rruge jetike që lidh kryeqytetin me pjesën tjetër të vendit.
Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen treditore të shkollave duke filluar nga sot dhe kanë shtyrë të gjitha provimet e nivelit universitar të planifikuara deri të martën.