Nëndetësja bërthamore amerikane zbarkon në Europë

Nëndetësja bërthamore amerikane USS Newport News, e pajisur me raketa lundrimi Tomahawk, është ankoruar në Islandë për herë të parë, mes shqetësimeve në rritje të Uashingtonit dhe NATO-s për aktivitetin ushtarak të Rusisë në Arktik dhe Veriun e Largët.
Komandanti i Marinës Amerikane në Evropë dhe Afrikë deklaroi se mbërritja e nëndetëses sulmuese në portin islandez është një sinjal strategjik për kundërshtarët, duke theksuar praninë e Shteteve të Bashkuara në rajon, si dhe një mbështetje për aleatët e saj.
Sipas tij, Uashingtoni e konsideron Islandën, anëtare themeluese e NATO-s që nga viti 1949, si një element kyç për strategjinë amerikane në Arktik, për shkak të pozicionit gjeostrategjik. Gjatë Luftës së Ftohtë, trupat perëndimore, përfshirë SHBA-në, ishin të stacionuara në Islandë për të monitoruar aktivitetet e nëndetëseve sovjetike dhe më vonë atyre ruse.

“SHBA mbajtën një bazë detare këtu për dekada dhe u mbështetën te Islanda për të monitoruar operacionet e nëndetëseve sovjetike dhe më pas ruse”, tha komandanti.

Ai shtoi se është thelbësore që Shtetet e Bashkuara të ruajnë një prani të fortë në rajonin që shtrihet nga Groenlanda në Islandë dhe Britaninë e Madhe, një pikë kyçe e përcaktuar në Strategjinë Arktike të Pentagonit për vitin 2024.

Strategjia amerikane thekson jo vetëm interesin ushtarak dhe ekonomik të Rusisë në Arktik, por gjithashtu ngre alarmin për përpjekjet e Kinës për të zgjeruar ndikimin e saj në rajon. Sipas SHBA-së, Islanda mbetet një element strategjik në përpjekjet për siguri dhe parandalim, ndërsa dy rivalët kryesorë, Rusia dhe Kina, kërkojnë të projektojnë pushtet në këtë zonë të ndjeshme.

“Uashingtoni dhe Reykjaviku ndajnë një qëllim të përbashkët për të mbajtur tensionet të ulëta në Arktik, ndërsa janë plotësisht të vetëdijshëm për përpjekjet e Rusisë për të forcuar praninë e saj ushtarake në rajon”, deklaroi Erin Sawyer, e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Islandë.

Në vitin 2023, një nëndetëse bërthamore amerikane kishte hyrë në ujërat territoriale të Islandës, por këtë herë USS Newport News u ankorua pranë skelës dhe ekuipazhi i saj zbarkoi në breg. Nëndetëset e klasit Los Angeles, aktualisht rreth 40 në shërbim aktiv, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të flotës së nëndetëseve të shpejta të Marinës Amerikane.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button