Në Zubin Potok Policia gjen armë, municione, uniforma e pajisje të tjera ushtarake
Polica e Kosovës ka njoftuar së ka gjetur armë, uniforma, municion dhe pajisje tjera në qytetin e Zubin Potokut, sot, më 20.11.2024.
“Me datën 20.11.2024 rreth orës 12:00 njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikeve – Mitrovicë Veri në koordinim me njësitë policore Mitrovicë Veri me autorizim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore Mitrovicë në fshatin Drobnjak Komuna Zubin Potok janë gjetur uniforma dhe pajisje tjera ushtarake”- ka njoftuar Policia e Kosovës.
Polica me autorizimin e Prokurorisë së Mitrovicës ishte nisur për të kërkuar të dyshuarin me iniciale S.M. lidhur me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin Potokut i cili rast ishte hetuar në vitin 2018 por nuk e kishte gjetur.
“Ka kërkuar të dyshuarin me iniciale (S.M.) si person në kërkim në lidhje me rastin e laboratorit të drogës në fshatin Qukiq të Zubin Potokut i cili rast ishte hetuar në vitin 2018” – thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia e Kosovës ka gjetur uniforma ushtarake, pjesë të pushkëve të gjata, jelekë taktikë, një tytë e pistoletës, një palë pranga dhe 1,471 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
“Dëshmitë të cilat janë gjetur dhe janë marrë nga Policia janë: pjesë të pushkëve të gjata, jelek taktik, një tytë e pistoletës, një palë pranga dhe 1471 fishekë të kalibrave të ndryshëm”- thuhet në komunikatën e Policisë.
Ndërkaq në vendin e ngjarjes është ftuar njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive dhe janë kontrolluar tri vende të ndryshme, ku janë gjetur pajisje të ngjashme.