Në Xhaminë e Madhe të Granadës në Spanjë, pothuajse çdo të premte një person pranon islamin

Xhamia e Madhe në Granada, territori i fundit islam në Spanjë gjatë periudhës islame andaluziane (711-1492), ku pothuajse çdo të premte dikush bëhet musliman, vazhdon të jetë një vend popullor për vizitorët nga e gjithë bota gjatë muajit të Ramazanit, raporton Anadolu.
Në pjesën e pestë të lajmit ‘dosier’ me titull “Ramazani në Evropë” gazetari i AA-së shpjegon rëndësinë e Xhamisë së Madhe dhe aktiviteteve të saj gjatë muajit të Ramazanit, xhami kjo e cila ndodhet në Albaicin, një lagje muslimane nga periudha mesjetare e vendosur pikërisht përballë Pallatit Alhambra, një nga veprat më të mëdha të mbetura nga periudha islame andaluziane.
Emir Hisham Melara, i cili ka rreth një vit që është drejtor i Xhamisë së Madhe, deklaroi se numri i muslimanëve në Granada, përfshirë rajonet përreth ka arritur në 40 mijë. “Pothuajse çdo të premte, dikush në xhaminë tonë bëhet musliman duke shqiptuar Shehadetin. Shumë njerëz të të gjitha moshave dhe grupeve të ndryshme konvertohen në Islam”, tha Melara.
Ai theksoi se numri i muslimanëve në Granada po rritet me shpejtësi çdo ditë. “Ne po vërejmë një rritje shumë serioze të numrit të njerëzve që bëhen muslimanë duke shqiptuar Kelime-i Shehadetin në xhaminë tonë. Për shembull, këtu në dhjetor 2024 gjithsej 15 persona, përfshirë gra, u bënë muslimanë. Edhe në muajin shkurt që kaloi, në xhaminë tonë 10 persona pranuan islamin duke shqiptuar Shehadetin”.
“Xhamia e vetme ku ezani thirret me zë të lartë nga minarja”
Melara tha se Xhamia e Madhe, që është e vetmja xhami ku ezani thirret me zë të lartë nga minarja në mesin e rreth 1.700 vend-adhurimeve që përdoren nga muslimanët në Spanjë, e shohin si një “dhuratë” për veten e tyre.
“Është vërtet një mrekulli që kjo xhami është këtu. Është një pikë kthese historike. Pas rënies së Granadës, tokës së fundit të periudhës islame andaluziane në vitin 1492, Islami u zhduk në këto troje, në Gadishullin Iberik. Ka një rëndësi shpirtërore që muslimanët të vijnë në ditët e sotme në Granada dhe të adhurojnë këtu”, u shpreh ai.
Melara rikujtoi se xhamia ishte e para në Evropë që u ndërtua nga muslimanët vendas.
“Xhamia e Madhe ka edhe cilësinë se është xhamia e parë e ndërtuar nga spanjollët muslimanë. Prandaj ka rëndësi historike. Në një vend si Granada, vendi i fundit ku kanë jetuar muslimanët në Spanjë, farat e mbjella nga kjo xhami kanë luajtur rol të rëndësishëm në rilindjen e Islamit në këto troje të shenjta”, potencoi Melara.
Ai shtoi se Xhamia e Madhe vizitohet nga afërsisht 200 mijë njerëz në vit dhe se ajo bashkon muslimanët nga shumë kombe të ndryshme. “Ne kemi vëllezër muslimanë që vijnë nga e gjithë bota”, tha Melara duke dhënë shembullin e muslimanëve që vijnë nga Malajzia apo SHBA-ja vetëm për të kaluar muajin e Ramazanit.
Supë tradicionale marokene “Harira” në tryezën e iftarit
Drejtori i Xhamisë së Madhe theksoi se periudha më intensive e aktiviteteve të tyre është muaji i Ramazanit dhe shpjegoi se imami i xhamisë jep mësim para iftarit dhe se agjërimin e tyre tradicionalisht e hapin me ujë, qumësht dhe hurma.
“Pasi falim namazin e akshamit së bashku, si Fondacion i Xhamisë, shërbejmë supën tradicionale marokene ‘Harira’ (qiqërr, thjerrëza, domate dhe petë (jufka). Më pas familjet mblidhen për një kohë të shkurtër, bëjnë biseda dhe më pas kalojnë në namazin e teravisë. Ne ofrojmë ushqim edhe për syfyr”, shtoi Melara.
– “Sfida më e madhe me të cilën përballemi është edukimi i fëmijëve tanë”
Melara thotë se kanë marrëdhënie shumë të mira me Komunën e Granadës dhe Qeverinë Autonome të Andaluzisë. Ai tha se kanë kërkesa për zgjerimin e varrezave ekzistuese të muslimanëve dhe shpresojnë që kjo të japë rezultate pozitive.
“Por, sfida më e madhe para nesh është arsimimi i fëmijëve tanë. Rritja e numrit të muslimanëve sigurisht që është e rëndësishme, por ne duhet të forcojmë mësimin e Islamit tek brezi i dytë. Gjëja kryesore në të cilën duhet të fokusohemi është edukimi”, tha drejtori i xhamisë, Emir Hisham Melara.