Në sulmet izraelite në Rripin e Gazës vriten 50 palestinezë
Të paktën 50 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet ajrore dhe tokësore të ushtrisë izraelite në shumë pika të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Në vitin e parë të luftës gjenocidale, ushtria izraelite ka vazhduar sulmet kundër pjesës veriore, jugore dhe qendrore të Rripit të Gazës.
Sipas informacioneve të marra nga burimet shëndetësore, 3 palestinezë u vranë në një sulm me mjet ajror pa pilot (UAV) në një tendë pranë xhamisë Al-Furqan në kampin e refugjatëve Al-Bureij në pjesën qendrore. Ndërsa në dy sulme ajrore në pika të tjera të kampit, u vranë 5 palestinezë dhe 18 të tjerë u plagosën. Të vdekur dhe të plagosur ka pasur edhe si pasojë e zjarrit të hapur nga tanket dhe artileria.
Një palestinez i cili po përpiqej të migronte nga qyteti verior i Gazës në pjesën qendrore, u plagos si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë në rrugën Er-Rashid dhe u dërgua në spitalin Al-Awde.
Një palestinez u vra në sulmin ndaj shtëpisë së familjes Abu Acve në distriktin Et-Tuffah të Gazës. Ndërkohë një palestinez u vra në lagjen Sheikh Ridwan dhe katër palestinezë u vranë në sulmin në një shtëpi në lagjen Es-Saftavi.
Në sulmin ajror ndaj shtëpisë së familjes Al-Hulu në qytetin verior të Beit Lahia u vranë katër palestinezë dhe shumë të tjerë u plagosën. Një grua ka humbur jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga një mjet ajror pa pilot izraelit i tipit “Quadcopter” në kryqëzimin Abu Sharh në kampin e refugjatëve Jabalia dhe 5 palestinezë u vranë në një sulm ajror në rajonin Bi’r en-Nace.
Më tej thuhet se një vajzë u vra dhe një grua u plagos si pasojë e zjarrit të artilerisë së hapur nga ushtria izraelite në qytetin Abesan në lindje të qytetit Khan Younis në jug. Helikopterët izraelitë hapën zjarr intensiv ndaj qytezave Abesan dhe Beni Suheyla dhe rajoneve të Al-Fuhari-t. Pas thirrjeve të ushtrisë izraelite për evakuim, një lëvizje intensive migrimi u vu re në rajonet e përmendura.
Ndërkohë 16 palestinezë u vranë në sulmet në lindje dhe perëndim të Khan Younis.
Në sulmin e avionëve luftarakë izraelitë që shënjestruan shtëpinë e familjes Abu Mashi në rajonin Al-Miraj në qytetin Rafah u vranë 8 palestinezë ndërsa një tjetër humbi jetën në sulmin kundër shtëpisë An-Nahhal në rajonin Khurbat Al-Ades. Katër palestinezë u plagosën në sulmin izraelit ndaj shtëpisë së familjes Al-Berki.