Në Spanjë, prindërit mblidhen te portat e shkollës për të kujtuar fëmijë e vrarë të Gazës

Ndonjëherë kanë qenë vetëm dy ose tre persona, ndonjëherë deri në 15.

Por, pavarësisht numrit, çdo mëngjes gjatë javëve të fundit, në shkollën fillore Jose Hurtado në qytetin spanjoll të Granadës, një grup prindërish pasi lënë fëmijët në shkollë, mblidhen në heshtje pranë dy pankartave të thjeshta, por të fuqishme pro-Gazës: “Jo më fëmijë të vrarë” dhe “Kundër gjenocidit”.

“Filloi kur në një nga grupet tona të WhatsApp-it u shpërnda një video fiktive e vendosur në vitin 2040, për shkatërrimin e Gazës. Dhe aty fëmijët pyesnin prindërit: çfarë bëtë gjatë gjenocidit?”, tha për Al Jazeera Mar Domech, e cila ndihmoi që kjo protestë të merrte jetë.

“Nisa të them – në vend që ta shpërndajmë thjesht videon, të bëjmë diçka në praktikë, siç bëmë gjatë pandemisë kur duartrokisnim personelin shëndetësor çdo mbrëmje në orën tetë. Dhe 15 minutat para hyrjes së fëmijëve në klasë dhe 15 minuta pas daljes së tyre ishin më të përshtatshmet për shumicën e prindërve.”

Forma e protestës është e thjeshtë. Një rresht i vetëm protestuesish mban dy pankarta të gjata pranë një muri të lartë shkollor dhe kujdeset të mos pengojë kalimtarët.

Nuk ka thirrje apo slogane me zë të lartë. Por fakti që janë vetë prindër shkollash që protestojnë për vrasjen e fëmijëve – shumë prej të cilëve janë në moshën e fëmijëve të tyre – e bën këtë shfaqje solidariteti veçanërisht domethënëse. Vendndodhja e shkollës në një rrugë të ngarkuar afër qendrës së Granadës i jep jehonë mesazhit të tyre.

“Nuk duam të shqetësojmë askënd, por nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur po vdesin kaq shumë fëmijë dhe ligjet ndërkombëtare po shkelen”, tha Domech. “Ajo që po ndodh atje është gjenocid dhe ne duhet të jemi kundër tij, kushdo qofshin viktimat.”

Pas pothuajse dy vitesh sulmesh izraelite, Gaza ka numrin më të lartë për kokë banori të fëmijëve të gjymtuar. Më shumë se 17,000 fëmijë janë vrarë. Dhe sipas Save the Children, më shumë se 930,000 fëmijë në Gaza – pothuajse çdo fëmijë – janë tani në rrezik urie.

Fakti që më shumë prindër nuk janë bashkuar në këtë shfaqje solidariteti përjetohet me një përzierje zhgënjimi, qëndrese dhe humori të hollë nga rreth një duzinë “të rregulltësh”, siç kujtojnë ata ditën kur dy oficerë policie civilë erdhën për të kontrolluar identitetet.

Rastisi që atë ditë të ishin vetëm dy prindër pro-palestinezë të pranishëm, por, siç kujton Domech me të qeshur, falë pranisë së policisë, dukej sikur numri i protestuesve ishte dyfishuar papritmas.

Gjithsesi, reagimi i kufizuar nuk ka ndikuar fare në vendosmërinë e tyre për të vazhduar.

Një grua kalon pothuajse çdo ditë dhe ndalet për të bërë një fotografi që t’ia dërgojë një mikeshe në Palestinë. Disa makina apo turistë në autobusë që ngjiten drejt monumentit mesjetar Alhambra japin borinë dhe përshëndesin në shenjë mbështetjeje.

Këto momente janë të rëndësishme për moralin, po aq sa edhe bindja e prindërve se edhe kjo protestë e vogël, por këmbëngulëse, ka rëndësi.

“Nuk e përballoja më idenë e të qëndruarit si spektator, ajo që po ndodh është aq e tmerrshme”, tha Alberto, një tjetër prind. “Jam i kënaqur që e kemi vazhduar. Po përgatitem për provimet e administratës publike kështu që jam fleksibël me kohën, por nuk është e lehtë ta bësh këtë çdo ditë kur punon apo ke angazhime të tjera. Megjithatë, mendoj se është thelbësore që ta bëjmë.”

Spanja është ndër pak shtetet evropiane që ka treguar vazhdimisht mbështetje për Palestinën dhe ka kritikuar veprimet izraelite në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

Së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë, në maj 2024, Spanja e njohu shtetin palestinez dhe një vit më parë shprehu mbështetje për çështjen e gjenocidit ndaj Izraelit të paraqitur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Pas publikimit këtë javë të raportit të fundit të BE-së për Gazën, Spanja ishte i vetmi shtet që kërkoi drejtpërdrejt pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, ndërsa ministri i saj i Jashtëm kërkoi embargo armësh.

Sa për protestën te portat e shkollës në Granada, “Do ta vazhdojmë kur të rifillojë viti shkollor në shtator,” tha Domech, “edhe pse shpresojmë që të mos jetë e nevojshme.” /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button