Në Qafë Thanë privohet nga liria 34 vjeçari nga Kërçova, kërkohej me fletarrest ndërkombëtar nga Interpoli

Në vendkalimin “Qafë Thanë” në kufirin e Shqipërisë-Maqedonisë në afërsi të Strugës, gjatë hyrjes në territorin e Shqipërisë është arrestuar një banor i Kërçovës i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar.
“Është arrestuar A.A. (34), banor i Kërçovës, Maqedonia e Veriut, i cili është i dënuar me 20 vjet burg për tregti ndërkombëtare me drogë. Nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me Interpol Tiranë zbuluan se personi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Bern/Zvicër, bazuar në një urdhër nga Prokuroria publike e kantonit Argau”, qëndron në kumtesën e policisë shtetërore të Shqipërisë.
Shtohet se 34-vjeçari u dënua me 20 vjet burg për vepra penale që lidhen me tregti ndërkombëtare me drogë, siç parashikohet në nenin 19 të Ligjit për narkotikët dhe substancat psikotrope të Kodit Penal zviceran.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Bern/Zvicër, po ndërmerr hapat e nevojshëm për ekstradimin e tij në Zvicër.
“Ky arrestim është një hap tjetër në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, duke demonstruar angazhimin e organeve për zbatimin e ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe për të siguruar sigurinë e kufijve shqiptarë”, theksohet në kumtesën e policisë shtetërore të Shqipërisë.