Në pamundësi të përballjes, ikja ofrohet si shteg, mjerisht

Shkruan: Iljasa Salihu

Përkundër vullnetit të mirë të disa politikanëve, të cilët janë tepër të rrallë, ndaj edhe ndikimi i tyre duhet të presë radhë, punëtorë të prodhimit të papunësisë janë elitat politike, pasojat e të cilëve njëherë për njëherë po i bartë një pjesë bukur e madhe e shoqërisë dhe ende jo plotësisht këta politikanë. Në pamundësi të kësaj bartjeje dhe shporrjes së kësaj elite prej pozitave të rëndësishme, shoqëria e shporri dhe e dëboi veten prej vendlindjes, qoftë edhe me çmimin e vetmisë së prindërve, mjerisht. Ata, meqë nuk po mund ta sjellin të mirën e përgjithshme në vendlindje, ikjen nga vendlindja po e shohin si sjellje dhe vendim të mirë për të mirat e tyre materiale, paçka se ata që e ndjejnë praninë e shpirtit të tyre, shpirtërisht rrojnë të copëtuar dhe të drobitur. Në gjithë këtë mishmash, nuk mund të thuash se fajtorë të vetëm janë elitat politike, por edhe ata që i sollën këto elita në pushtet, si dhe ata që në mungesë të guximit dhe gatishmërisë për t’u ballafaquar me të keqen, zgjodhën punën më të lehtë dhe njëherësh më të vështirë; migrimin, mu sikurse dallëndyshet që ende pa trokitur mirë i ftohti, ato ia mbathin për në vende të ngrohta.

Heshtja dhe fjala vallëzojnë nën tingujt e interesit

Aty ku gjenden njerëzit e mirë, të drejtë dhe të aftë, nuk mund të jenë njerëzit debilë, tuhafë dhe injorantë. Prandaj, nëse sot njerëzit e mirë ankohen për gjendjen e keqe, atëherë është mirë ta pyesin veten se përse heshtën, përse ia futën gjumit dhe përse u mërdhinë në kohën kur punohej dhe vendosej për dërgimin e njerëzve nëpër institucione dhe vende të rëndësishme? Shkaku i prapambetjes sonë shumë lehtë mund të kuptohet. Po të mendonin dhe punonin me kohë intelektualët, nuk do të qeveriseshin prej atyre që tani e sa kohë gjithkush po ankohet dhe po rënkon. Për më keq, lëre se intelektualët tanë u fshehën nën sqetullën e parruar dhe të djersitur të majmunit, ose majmunëve, por ata në pamundësi të veprimit në fushëbetejë, pranuan vasalitetin ndaj injorantëve, prej të cilëve po ankohen vetëm përgjatë bisedave të pasdarkës, sepse haptas as të ankohen nuk po guxojnë, ngaqë heshtjen dhe fjalën ia dhanë xhaxhait të quajtur interes material.

Mbytja e pak atyre shkrimtarëve të mirëfillt përmes plumbit të mosleximit

Si janë këta lexuesit tanë? Duan t’i mbysin shkrimtarët me moslexim të librave të tyre, madje pak ata shkrimtarë që nuk i kaploi ndryshku i korrupsionit. Ndërsa, përkundër kësaj amullie, shkrimtarët vijojnë të duken në vullnet të mirë, sepse këta përpos që janë shkrimtarë, në anën tjetër janë edhe lexues. E rëndësishme, asnjëherë tregu nuk do të rrijë pa lexues, për aq kohësa do të ketë shkrimtarë. Vetë shkrimtarët do ta shpëtojnë dhe mbajnë në jetë tregun e lexuesve, fundja, duke i lexuar vetë librat e tyre, ngaqë kështu mbahen në jetë dy koncepte të shenjta; shkrimin dhe leximin. E keqja është kur dikush mëton se leximit mund t’i gjendet shteg tjetër, ose zëvendësues. Megjithatë, nëse dikush mendon se libri mund të zëvendësohet me ndonjë send tjetër, atëherë unë i pyes ata se vallë a ka mundësi që roboti ta zëvendësojë plotësisht njeriun? Nëse po, atëherë i kisha këshilluar këta që mos ta shikojnë tutje Terminatorin! Nëse edhe më tej mendoni se roboti do ta zëvendësojë njeriun plotësisht, atëherë jam i sigurt se vetë fjala robot do të humbiste, ngaqë nuk do të ketë kush ta shqipëtojë këtë fjalë, pse jo edhe nuk do të ketë kush ta programojë këtë “zëvendësues njeriu”!

Nata jonë është dita e tyre

Dikur nëpër fshatra, buka vinte në ora shtatë të mëngjesit, edhe pse shumë pak u shiste buka, ngaqë të rrallë ishin ata që nuk gatuanin bukë në shtëpi. Ndërsa, për një kohë shumë të shpejtë ndryshuan gjërat. Nëpër fshatra është rritur dukshëm  kërkesa për bukë, kurse buka vjen diku në ora nëntë të mëngjesit në ikje dhe njëkohësisht me rritjen e kërkesës për bukë, dukshëm është rritur çmimi i bukës, por sërish ajo vazhdon të kërkohet dhe të konsumohet shumë. Po i pyete bukëpjekësit dhe  bukëshitësit, se përse vonoheni në sjelljen e bukës, ata ndoshta me të drejtë do të përgjigjen se kërkesa për bukë aq sa është shtuar aq edhe është shtyrë për më vonë. Sot njerëzit qëndrojnë zgjuar me llampë, ndërsa flejnë përgjatë dritës së diellit, ndaj ne u përgjigjemi shprehive të atyre që kërkojnë dhe jo asaj që njëmed duhet të jetë. Në vazhdën e kësj nate sterrë, thuajse gjithkush po ankohet se kanë humbur mysafirët, edhe pse duket se gjithkujt sikur po i vjen mirë vetëm të ankohet dhe në anën tjetër ta shijojnë jetën vetjake, mirëpo harrojnë, apo frikësohen të thonë se mysafirët humbën për arsye se interesi, inati, përgojimet, tendosjet, koprracitë, egoizmi, egocentrizmi, bisedat toksike, thumbat, shakatë pakripë, mosnjohja e rregullave themelore i të qenit mysafir, arritën qiellin e shtatë për sa i përket paradoksit dhe kësisoj, sadopak përmes ankesave po mëtohet një shqetësim i sinqertë, edhe pse në fakt zbulohet një farsë.

Përtesa në përsiatje

Kishte menduar se nuk është i denjë për të menduar. Këtë e kishte kuptuar, vetëm pasi që ishte kredhur thellë në oqeanin e cektë të të menduarit! Mendoni njëherë mirë e thellë, edhe pse të menduarit e juaj mund të jetë i cektë. Mendoni se si të mendoni më mbarshëm, sepse në të kundërtën ju mbërthen mbrapështia. Mos mendoni thellë për të tjerët që mendojnë cektë për ju. Mendoni dhe përmes rezultatit të mendimit, përpiquni ta kuptoni se cila është njësia matëse e mendimit të tyre. Kjo nuk ka rëndësi, me rëndësi është se edhe ju lexues të nderuar, jeni duke menduar se çfarë desha të them me këtë “golgotë” të të menduarit. Me rëndësi është që shqiptarët iu kthyen realitetit të zymtë dhe të vërtetë, pas asaj mpirjeje të bashkimit të tokave shqiptare, kuptohet vetëm përgjatë shënimit të festave të nëntorit, që me sukses politikanët tanë nëpër kokat e atyre që mendojnë se ata gjithherë mendojnë mirë për neve, ndërtuan një koncept të tillë rrenacak dhe sadopak arritën ta shpërlajnë veten. Sa pjellorë të fortë që janë, madje edhe demave ua kalojnë. Megjithatë, ata vazhdojnë ta mbajnë të gjallë buzëqeshjen, kurse ata që ia ujisin këtë buzëqeshje, vijojnë ta mbajnë në jetë shtegin e lirisë jo, por atë të ikjes.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button