Në janar të vitit të ardhshëm nis funksionimi i kamerave të sigurisë në trafik

Deri në fund të muajit prill pritet që në Kuvend të dorëzohen propozim ndryshimet në ligjet që kanë të bëjnë me sigurinë në trafik, ndërsa zbatimi i sistemit “Safe City” planifikohet të fillojë më 1 janar të vitit 2026. Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, tha se për të hyrë në funksion kamerat në trafik, duhet të ndryshohen së paku 5 ligje.

“Pres që periudha testuese që e kemi paralajmëruar, qytetarët do ta shohin se nuk është qëllimi të dënojmë qytetarët, por ta ndryshojmë kulturën në trafik. Do të zbatohet disa muaj, qytetarët do të marrin porosi, do të njoftohen kur do të bëjnë një shkelje të caktuar, dhe më pas i njëjti do të konstatohet, do të sigurohen se sistemi funksionon. Ndërsa prej 1 janar 2026, do të mundësojmë parakushtet ligjore, që ajo të jetë si duhet të jetë”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Por si do të parashikohet të funksionojë sistemi “Safe City”? Numri i targave lidhet me pronarin e makinës, dhe në rast të shkeljes, krijohet procesverbal me urdhërpagesë kundërvajtëse për pronarin, ndërsa me fotografi dokumentohet shkelja. Procesverbali dërgohet si njoftim përmes sms porosisë, apo adresës elektronike, te pronari i automjetit.

Brenda ka një lidhëz, apo siç njihet link, përmes të cilit merret procesverbali me urdhëresën për pagesën e shkeljes dhe fotografinë me të cilën është dokumentuar shkelja. Pas dorëzimit të njoftimit të parë, në afat prej 24 orësh dorëzohet njoftimi i dytë, ndërsa afati për marrjen e dokumenteve është 8 ditë. Nëse personi nuk i merr dokumentet nga linku, në afatin e paraparë, llogaritet se dorëzimi është i rregullt pa shkarkim dhe automatikisht fillon të rrjedh afati 8 ditor për pagesën e gjysmës së dënimit ose fillimit të procedurës gjyqësore. Pas përfundimit 8 ditor, nëse nuk është paguar dënimi, ose personi nuk ka filluar procedurë gjyqësore, urdhërpagesa e shkeljes ka fuqinë e dokumentit të ekzekutueshëm dhe paraqitet në Drejtorinë e të Ardhurave Publike.

Nëse kryerësi e pranon shkeljen, ka afat 8 ditor që të paguajë gjysmën e dënimit pa shpenzime për procedurën. Nëse e pranon por nuk e paguan në afat prej 8 ditësh, atëherë duhet ta paguajë të gjithë dënimin pa shpenzime për procedurën. Ndërsa nëse nuk e pranon përgjegjësinë, ka të drejtë që në afat prej 8 ditësh, dokumentet që i ka marrë përmes njoftimit, t’i dorëzojë në gjykatën kompetente, që do të shërbenin si kërkesë për fillimin e procedurës së shkeljes. Nëse pronari i makinës nuk e ka drejtuar automjetin, gjatë kohës që është kryer shkelja, ai është i obliguar që në afat prej 8 ditësh të jep të dhënat e identitetit të personit që ia ka dhënë makinën. Këtë do ta bëjë në stacion policor, bashkë me personin që e ka kryer veprën, ose i vetëm. Pas kësaj, shfuqizohet procesverbali dhe urdhërpagesa për pronarin, dhe jepet urdhërpagesë e re për personin që e ka drejtuar automjetin. Për shkelje të përsëritura, propozohet që Gjykata të shqiptojë dënim për përfundim të vlefshmërisë së patentës së vozitjes. Kjo të ndodh nëse shoferi në periudhën prej 4 vitesh ka dy ndalesa të drejtimit me automjet të një kategorie të caktuar. Por si do të duken veprat penale në trafik. Ekspertët propozojnë që vepër penale të jetë tejkalimi me 50 kilometra në orë, mbi shpejtësinë e lejuar.

Vepër penale të jetë edhe drejtimi i makinës nën ndikimin e alkoolit, përdorimit të substancave narkotike, vozitja në drejtim të gabuar në bulevard ose autostradë, drejtim të makinës pa patentë shoferi. Për veprat penale “ drejtim i pamatur i automjetit” do të ketë dënim me burg dhe dënim në para si dhe shqiptim të obligueshëm të ndalesës për drejtim të automjetit. Ndërsa do të shqyrtohet mundësia edhe për marrjen e automjetit, nëse një person nuk ka patentë shoferi. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button