Në hetimin për zjarrin në Koçan deri më tani janë të dyshuar gjithsej 52 persona

Prokuroria Themelore Publike në Koçan njoftoi se sot është lëshuar urdhër për zgjerimin e hetimit për zjarrin në kabarenë “Puls” në Koçan për 19 persona të rinj.
Sipas Prokurorisë, të gjithë këta persona dyshohen për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, sipas nenit 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal. Këto janë të njëjtat vepra për të cilat dyshohen edhe 34 personat e mëparshëm të përfshirë në hetimin që u hap më 21 mars.
“Bëhet fjalë për persona zyrtarë, të cilët në periudhën nga viti 2012 deri më 16.03.2025, në mënyrë të përbashkët por secili sipas pozitës, kompetencave dhe përgjegjësive të veta, nuk kanë vepruar sipas rregullave për masat e mbrojtjes, dhe kështu kanë shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e njerëzve si dhe për pasurinë në përmasa të mëdha. Në mesin e të dyshuarve të rinj janë inspektorë ndërtimorë të autorizuar në komunën e Koçanit, drejtorë dhe inspektorë të përgjithshëm nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ministra të ekonomisë, sekretarë shtetërorë dhe persona të tjerë zyrtarë nga ajo ministri, si dhe inspektorë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Siç publikoi më herët sot “360 Gradë”, policia ka arrestuar ish-ministrat e Ekonomisë Valon Saraçini dhe Bekim Neziri, kuadër i BDI-së, si dhe ministrin aktual pa portofol dhe ish-drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Shaban Saliu. Në mesin e të arrestuarve është edhe drejtori aktual i DMSH-së, Xhevat Selami, kuadër i VLEN-it.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se veprimet dhe lëshimet e paligjshme të të dyshuarve në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë të mundur që kabareja “Puls” në Koçan që nga fillimi, për një periudhë të gjatë kohore, e deri në shpërthimin e zjarrit, të vazhdojë të ushtrojë veprimtari hotelierike pa i plotësuar fare kushtet ligjore dhe duke shkelur të gjitha rregullat e sigurisë për jetën e njerëzve që e kanë frekuentuar objektin.
“Si pasojë e kësaj, gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike më 16.3.2025 gjatë performancës së grupit muzikor DNK, ka shpërthyer zjarr, në të cilin kanë humbur jetën 61 persona, mes tyre 6 fëmijë, dhe janë lënduar edhe 197 persona, prej të cilëve 25 fëmijë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Koçanit.
Sot, Prokuroria do t’i dorëzojë Gjykatës Themelore në Koçan propozime për caktimin e masave për sigurimin e pranisë së secilit prej të dyshuarve të rinj.
“Me këtë, deri në këtë moment, Prokuroria e Koçanit në lidhje me zjarrin ka nisur hetim ndaj gjithsej 45 persona fizikë dhe tre juridikë. Njëri prej tyre, pas hapjes së hetimit ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra në zjarr, dhe për këto arsye, pas marrjes së plotë të dokumentacionit mjekësor, procedura për të do të ndërpritet”, thuhet nga Prokuroria e Koçanit.
Në mesin e të dyshuarve të rinj është edhe Driton Kuçi, ish-ministër i ekonomisë nga radhët e BDI-së, i cili aktualisht është ambasador i Maqedonisë së Veriut në Mbretërinë e Norvegjisë.
Ai reagoi në profilin e tij në Facebook pas njoftimit se policia po e kërkon si të dyshuar në hetimin për zjarrin në Koçan. Ai shkroi se beson në drejtësi dhe se me fluturimin e parë do të kthehet në Shkup.
“Sot familja më informoi se përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë qenë në shtëpinë time në Shkup, duke kërkuar një takim informues. Nuk kam asgjë për të fshehur dhe gjithmonë kam vendosur të veproj me ndershmëri dhe qetësi, edhe kur rrethanat kanë qenë të vështira. Gjithmonë kam zgjedhur të ndjek rrugën e drejtë, edhe kur ajo ka qenë më e vështira. Kam folur kur të tjerët kanë heshtur dhe kam qëndruar drejt edhe kur jam ndier vetëm. Besoj në drejtësinë për të mirën e përbashkët. Me fluturimin e parë do të jem në Shkup – jo për t’u justifikuar, por për të dëshmuar se transparenca dhe besimi janë rruga e vetme përpara. Jam këtu. Me ndërgjegje të qetë, i pastër para vetes, me vullnet të palëkundur – para Zotit dhe para ligjeve të shtetit!”, ka shkruar Kuçi.