Në ditët e Epopesë së UÇK-së, zv/kryeministri Sali: Liria e Kosovës u ujit me gjakun e dëshmorëve

Zv/kryeministri i parë Bekim Sali në ditët e Epopesë së UÇK-së ka thënë se, beteja e 5,6 dhe 7 marsit 1998 ishte pika që i dha hov një populli të tërë për ta mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar i lirë.
“Sot kujtojmë me krenari dhe përulje Epopenë e UÇK-së, ditët që u bënë themel i lirisë së Kosovës së lirë e të mosvarme. Me atë sakrificë, ku ranë dëshmorë dhjetëra anëtarë të familjes Jashari dhe mbështetës të tyre, u ujit liria dhe pavarësia e Kosovës. Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 ishte pika që i dha hov një populli të tërë për ta mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar i lirë.
Prandaj emri i Adem Jasharit nuk është më vetëm emri i një personaliteti të historisë. Ai është simbol i qëndresës, feniks i guximit dhe flakë e besimit të palëkundur për liri. Bashkë me të, familja Jashari u bë emri i përveçëm i sakrificës më të madhe që njeh historia jonë moderne.
Por, gjaku i dëshmorëve nuk është vetëm dhimbje. Ai është betim për një të ardhme të lirë dhe më të mirë. Ashtu u shtrua rruga drejt shtetndërtimit të Kosovës, drejt një shteti që mbart në themel kujtimin dhe amanetin e tyre.
Sot përulemi me respekt para të gjithë dëshmorëve të kombit, lutemi për shpirtin e tyre dhe kujtojmë se liria është arritur me shumë mund e sakrificë. Ajo u pagua me jetët më të shtrenjta të bijve dhe bijave të këtij kombi.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve!
Lavdi Adem Jasharit dhe familjes Jashari!
Kosova jeton, sepse ata nuk u dorëzuan kurrë”, ka shkruar Sali.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button