Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Sali apel për vetëdije dhe angazhim

Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, ka theksuar rëndësinë e gjuhës në ruajtjen e identitetit dhe kohezionit shoqëror, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe angazhim të vazhdueshëm institucional.
“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, ndiej detyrimin moral dhe institucional të rikujtoj rëndësinë që ka gjuha në ruajtjen e identitetit, të trashëgimisë kulturore dhe të kohezionit shoqëror. Kjo ditë për mua përfaqëson një thirrje për përgjegjësi, vetëdije dhe angazhim të vazhdueshëm në mbrojtje dhe promovim të gjuhës amtare”, thuhet në njoftimin e tij.
Ai thekson se gjuha amtare është shumë më tepër sesa një mjet komunikimi, duke e cilësuar atë si themel të kujtesës historike dhe vetëdijes kolektive.
“Për mua, gjuha amtare përfaqëson themelin e kujtesës historike, të trashëgimisë kulturore dhe të vetëdijes kolektive. Ajo nuk është vetëm mjet komunikimi, por bartëse e vlerave, traditës dhe kontinuitetit shpirtëror ndërmjet brezave”, ka deklaruar Sali.
Në mesazhin e tij, ai ka cituar edhe albanologun e shquar Eqrem Çabej, duke theksuar se “Gjuha është pasqyra më e qartë e historisë dhe e shpirtit të një populli”, vlerësim që, sipas tij, e obligon çdo qytetar ta ruajë dhe promovojë gjuhën amtare si pjesë të pandashme të identitetit.
Duke u ndalur te dimensioni institucional, Sali theksoi se në një shoqëri shumetnike dhe demokratike, përdorimi dhe respektimi i gjuhës amtare në jetën publike dhe institucionale përbën të drejtë themelore dhe standard demokratik.
“Zbatimi i saj përfaqëson jo vetëm përmbushje të normave ligjore, por edhe respekt për barazinë, dinjitetin dhe kohezionin shoqëror. Diversiteti gjuhësor është vlerë e shtuar dhe potencial zhvillimor, i cili duhet të promovohet si element bashkues dhe jo përjashtues”, thuhet në reagimin e zëvendëskryeministrit të parë.



