Në dhjetor 1990 u godit diktatura, por… djallëzorja mbeti gjallë

Ndonëse kanë kaluar 35 vite nga kjo lëvizje triumfuese, Shqipëria ndodhet sërish në krizë të thellë politike. Dhe, duket se hijet e kulturës së të shkuarës kanë ndikuar jo pak në krizat e njëpasnjëshme. Kjo më së shumti për faktin se shumë vende europiane që e kaluan mallkimin e diktaturave komuniste, mundën që të ringrihen pasi arritën të shihnin në sy vetveten, me të gjitha gabimet e së shkuarës. Ndërkaq, në Shqipëri, nuk ndodhi asnjë proces pendese nga aktorët e së ligësisë kriminale të diktaturës.

Agim BAÇI, Tiranë

E shtuna e ftohtë e 8 dhjetorit 1990 ka kohë që ka nisur të lexohet ndryshe, madje dhe me dyshim për mënyrën se si erdhi e shkaktoi atë tërmet. Ajo më e dukshmja është fakti se rreth 300 studentë marshuan nga Kinoklubi i Qytetit Studenti drejt qendrës së Tiranës, fillimisht duke kundërshtuar kushtet e vështira dhe ikjen e dritave në godinat ku strehoheshin studentët. Marshimi i nisur nga studentë e profesorë ndaloi mes qytetit të Tiranës, ku një pjesë e policisë speciale përdori dhunën. Të nesërmen, më 9 dhjetor, personat mbështetës të protestës u shtuan. Dy ditë më pas, më 11 dhjetor, pasuesi i diktatorit Hoxha, Ramiz Alia, pas një takimi me një grup prej 15 vetash me student e pedagogë, pranon pluralizimin politik, duke i dhënë jetë edhe organizimeve të themelimit të Partisë Demokratike, 46 vite pas jetës vetëm me një “Partinë-shtet”.

Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, për të kërkuar heqjen e emrit të diktatorit Hoxha nga Universiteti i Tiranës. Gjithçka kulmuoi mesditën e 20 shkurtit 1991, kur qindra qytetarë të Tiranës tërhoqën zvarrë bustin e diktatorit nga sheshi “Skënderbej”, deri në Qytetin Studenti.

E megjithatë, 8 dhjetori 1990, edhe pse vijon të shkëlqejë, ka dritëhijet e veta për ato ngjarje që e paraprinë këtë lëvizje të shumëvonuar. Nga janari deri në 2 korrik, kur u shpërthyen dyert e ambasadave, kishte pasur lëvizje të heshtura në Shkodër, Kavajë e Tiranë. Pas ngjarjes në ambasada, Ramiz Alia kishte mbledhur intelektualët në gusht 1990, duke i kërkuar të flisnin. E sërish heshtje. Disa artikuj të botuar të “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” mbi çështjet e demokracisë, nga Sali Berisha e Ylli Popa, ishin një sforcim nga vetë regjimi, që kontrollonte çdo shkrim që publikohej. E, megjithatë, u desh Lëvizja Studentore e 8 dhjetorit që të niste rrokullima, pas disa paralajmërimeve edhe mes vetë studentëve se nga dita në ditë do të ndodhte një zemërim.

Por, ku ngecëm me demokracinë?

Ndonëse kanë kaluar 35 vite nga kjo lëvizje triumfuese, Shqipëria ndodhet sërish në krizë të thellë politike. Dhe, duket se hijet e kulturës së të shkuarës kanë ndikuar jo pak në krizat e njëpasnjëshme. Kjo më së shumti për faktin se shumë vende europiane, që kaluan mallkimin e diktaturave komuniste, mundën të ringrihen pasi arritën të shihnin në sy vetveten, me të gjitha gabimet e së shkuarës. Ndërkaq, në Shqipëri nuk ndodhi asnjë proces pendese nga aktorët e së ligësisë kriminale të diktaturës. Në vendet ish komuniste europiane fitoi kërkesa e fortë e shoqërisë për të zbardhur të shkuarën e vet. Ndërsa në Shqipëri, në 35 vite, në vend të ndëshkimit të së keqes, e lamë të shkuarën të ishte pjesë e përditshmërisë pa asnjë ndjenjë faji, pa asnjë pendesë. E, për pasojë, rifituam servilizmin, hipokrizinë dhe një shoqëri të gënjeshtërt, që mbeti peng e së shkuarës.

Të edukuarit me fabrikimin e së keqes na drejtuan në gjykata, prokurori e, për më tepër, në politikbërje, duke ia lënë rrugën të keqes që të bashkëjetojë pa u turpëruar për atë që ndodhi në gati pesëdhjetë vite krimesh e dhunimesh. Ky mosdënim i së shkuarës është edhe “ridënimi” ynë si shoqëri – një ridënim që e lamë vetë të ndodhte, sepse “dëshmitarët e rremë” të së ardhmes i morëm nga ata që diktatura i kish përgatitur për të mbajtur gjallë perversitetin e përditshëm, pa u penduar për asgjë kriminale që bënë në atë sistem.

Kështu, pasi kemi lënë këtë të keqe të triumfojë, nuk ka pse habitemi sot që Spaçi ose Qafë Bari të shkojnë drejt rrënimit, drejt zhdukjes, e në vend të tyre të lulëzojë turizmi te ish Piramida ose te ish shtëpia e diktatorit, duke e sjellë të shkuarën kriminale të estetizuar për turistë. “Nuk ndërtohet parajsa me muratorët e ferrit”, shkruan shkrimtari Kim Mehmeti. Por, ne e sfiduam këtë shprehje, duke i lënë projektuesit e ferrit të djeshëm të na shesin projektet e tyre për parajsën e demokracisë. Dhe, harruam që demokracia bëhet nga ata që mendojnë si të tillë, që veprojnë si të tillë e jo nga nostalgjikët e një sistemi që vetëm Njeriun me Dinjitet dhe të Drejtën nuk e përfillte kurrë.

Po përse nuk e rrëzuam dot vërtet fuqinë e diktaturës?

Dhjetori ‘90 dhe 20 shkurti ‘91, sidomos për ne që e kemi përjetuar si ngjarjet që spërkatën errësirën e gjatë nën komunizëm me ngjyra shprese, me dëshirën për të besuar se e keqja tashmë s’mund të na merrte sërish përdore, vijojnë të jenë data që mund të rikthejnë fuqinë për të besuar se një popull mundet gjithnjë të zgjohet e ta dëbojë të keqen edhe nëse ajo ka jetuar me dekada mes shoqërisë.

E, megjithatë, pavarësisht shumë ngjarjeve që kishin ndodhur në disa vende ish-komuniste, sidomos në Rumani, ku u vra publikisht Çaushesku, sërish në Shqipëri kishte shumë frikë, një frikë që duhej ta kishim lexuar në kohën e duhur, që mund të shporrej nëse do të gjenim rrugën për te e vërteta jonë.

Por, për fatin tonë të keq, sistemi komunist e kishte formatuar atë që njihej si “Njeriu i Ri” – njeriu që mbeti gati t’i mbronte krimet duke u bërë ndoshta edhe pengesa më e fortë për të instaluar një të menduar ndryshe – një mendim në Liri.

Kështu, edhe pse arritën të dokumentoheshin me fakte e dëshmi vrasjet makabre në kufi, edhe pasi kishin ndodhur ngjarjet e hyrjes në ambasada më 2 korrik 1990 ose Lëvizja e Studentëve në dhjetor ’90, sërish mëkatarët nuk arritën të nxirrnin asnjë zë pendese. Pra, edhe pse ndodhën krime, edhe kur ishte e qartë se diktatura nuk rikthehej, sërish nostalgjikët e kohës së diktaturës mbetën në të njëjtat linja të mungesës së kurajës.

Në mbajtjen gjallë të nostalgjisë ndaj diktaturës e luajti rolin e saj edhe mungesa e dekomunistizimit. U deshën shumë kohë të kemi ndonjë muze tek-tuk për krimet në diktaturë, ndërkohë që vijon të jetë në fuqi mosndryshimi i teksteve të historisë, duke ua lënë hapësirën nostalgjikëve të kohës së diktaturës të shprehnin adhurim për atë kohë.

Nostalgjia ndaj diktaturës, djallëzorja që mbeti gjallë

Ata që vijojnë nostalgjinë edhe pas daljes në pah të krimeve vetëm në emër të ruajtjes së pushtetit, janë thjesht djallëzorja, që në mënyrë gati kriminale e pengon zbardhjen e plotë të së shkuarës. Shumë prej tyre kanë këmbëngulur të mos ketë një dënim të fortë publik të atyre krimeve ku shqiptari që mendonte ndryshe vritej me dru, me hekur, me mbytje në ujin e kënetës, me uri, me pagjumësi, me punë jashtë fuqive njerëzore, me zhveshje lakuriq në netët e ftohta ose i lidhur për shtylle.

Gjyqet e munguara ndaj atij sistemi ose, më saktë, mungesa e një studimi për madhësinë e së keqes që kishte mbjellë ai sistem, bënë që në shoqërinë shqiptare të rikthehej gjatë këtyre viteve tranzicioni ridiskutimi për “të mirat dhe të këqijat e komunizmit”, të cilat, në thelb, janë formë e talljes së hapur me shqiptarët, pasi janë vazhdimësi e kënetës të së keqes.

Nobelisti lituanezo-polak, Çesllav Milosz, që ka shkruar një nga rrëfimet më interesante për devijimin njerëzor nën udhëheqjen komuniste, ku kishte kaluar edhe vetë disa vite në bashkëpunim me ta, e quante “mendja e robëruar” mendjen e prodhuar nga autocensura që pësojnë njerëzit nën një diktaturë.

Një autocensurë që e ndjejmë edhe sot kur flitet pak për gjërat që duhet të thuhen me zë të lartë për të vërtetat e shoqërisë. Dhe, në fakt, të gjitha llojet e diktaturave e kanë armën më të fortë autocensurën, atë frikën e njeriut për t’u dalë përballë të vërtetave.

Ajo që Milosz-i e ka thënë për shoqërinë polake dhe për shumë shoqëri të tjera, që ishin nën diktaturat komuniste, natyrisht që për Shqipërinë vlen me disa marshe më të larta se në ish-vendet e tjera komuniste në Europë, për shkak se diktatura shqiptare rezulton të ketë qenë më mizorja.

E, megjithatë, shumica e atyre shoqërive që kaluan sistem të ngjashëm me Shqipërinë arritën ta pohojnë me zë të lartë humbjen e vetvetes gjatë diktaturave që kaluan, duke zgjidhur kështu edhe mjaft nga enigmat e deformimit të njeriut. Ndërsa ne, si shoqëri, nuk bëmë asgjë më shumë se sa struci, që fsheh kokën para të së vërtetës.

E, tashmë, shkelmat e mungesës së guximit për të vërtetën, e mungesës së guximit për ta pohuar atë regjim antihuman, vijojmë t’i ndjejmë në përditshmërinë tonë. E do t’i ndiejmë për aq kohë sa nuk do të guxojmë ta pranojmë të vërtetën e asaj që ndodhi me qytetarët e këtij vendi, duke lënë të hapur një derë për çdo diktaturë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button