Në Berlin hap dyert panairi më i madh shqiptar, ‘Global Albanian Gastronomy Festival’

Panairi më i madh tregtar shqiptar “Global Albanian Gastronomy Festival” (GAG Festival), ka hapur dyert të mërkurën, më 02.10.2024 në Berlin të Gjermanisë.

Inaugurimi i këtij panairi tërhoqi më shumë se 1000 vizitorë dhe ekzibitorë, duke bërë bashkë shqiptarë nga të gjithë trevat dhe gastronomë nga e gjithë bota, për të treguar potencialin shqiptar, kulturor dhe ekonomik.

Organizatorët e “GAG Festival” kanë bërë të ditur se 110 kompani ekzibitore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po tregojnë se janë gati për tregun europian me produktet dhe shërbimet e tyre cilësore.

“GAG Festival”, përgjatë 2 dhe 3 tetorit, përveç panairit tregtar do të ketë 50 panelistë, 10 cooking show, 1 mbrëmje gala dhe një ceremoni të ndarjes së çmimeve.

“Inaugurimi u nderua me praninë e figurave të rëndësishme politike shtetërore, të cilët ndanë mesazhe frymëzuese për potencialin e gastronomisë shqiptare dhe impaktit të saj në gastro-diplomaci dhe gastro-turizëm.  Ndër ta ishin znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës; z. Florian Hauer, Sekretar Permanent për Çështje Federale dhe Evropiane në Shtetin e Berlinit, z. Igli Hasani, Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë. z. Izet Mexhiti, Zëvendës Kryeministër i Maqedonisë së Veriut; znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftimin e organizatorëve të këtij panairi.

Pas fjalimeve inauguruese, “GAG festival” vazhdoi me katër panele të ndryshme që trajtuan tema të rëndësishme për “Agroturizmin Shqiptar – mundësitë për të investuar në Shqipëri dhe Kosovë”, për “Potencialin  Kapitalit të Diasporës Shqiptare në Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor”, e për historitë frymëzuese të gastronomëve shqiptar kudo në botë.

“Një vëmendje e veçantë iu kushtua shkollave profesionale, të cilat luajnë një rol kyç në formësimin e të ardhmes së sektorit të gastronomisë shqiptare. Në një skenë paralele kuzhinierë të ndryshëm nga trevat shqiptare performonin ‘Cooking Shows’. Gjithashtu, u inaugurua edhe në Berlin, gati për t’i eksportuar jashtë vendit edhe Bar’i Modular i gjithi ‘Made in Kosova’”- thuhet në njoftimin e organizatorëve të  “GAG Festival”.

Ky panair, thuhet më tej në njoftim, jo vetëm që promovoi kuzhinën shqiptare, por gjithashtu e shndërroi Berlinin në një qendër të kulturës dhe traditave shqiptare për një ditë, duke e bërë atë të flasë shqip.

“GAG Festival” është një dëshmi e pasurisë kulturore dhe një mundësi e shkëlqyer për të festuar identitetin shqiptar në një skenë ndërkombëtare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button