Në 27 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, presidentja Osmani: Kosova nuk harron

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kanë kujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në përvjetorin e 27-të të kësaj ngjarjeje, transmeton Anadolu.
Presidentja Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale tha se 27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO-ja veproi.
“Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”, shkroi Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale ku publikoi edhe videon e ish-presidentit amerikan Bill Clinton në konferencën e tij pas fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se ndërhyrja e NATO-s ishte e suksesshme dhe solli lirinë e Kosovës dhe paqen që sot e gëzon gjithë rajoni.
“Sot shënohet 27-vjetori i ndërhyrjes ushtarake të Aleancës së NATO-s kundër regjimit shtypës serbomadh të Millosheviqit, fushatë e cila përfundoi me sukses duke sjellë lirinë e Kosovës dhe paqen që gëzojmë sot në të gjithë rajonin. Shqipëria, sot e përgjithmonë, i është falënderuese Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj të NATO-s!”, shkroi Begaj.
Më 24 mars të vitit 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake policore të ish-Jugosllavisë dhe pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).
24 marsi i vitit 1999 shënoi momentum të ri për Kosovën dhe përpjekjen e saj për liri dhe shtet të pavarur.



