Ndryshimi i kontrolluarNdryshimi i kontrolluar

Partitë e reja, që u krijuan në periudhën 1990-1991, të cilat supozohet se përfaqësonin ndryshimin, u krijuan në një atmosferë ndryshimesh të kontrolluar rreptësisht nga PPSH. Çdo vendimmarrje që u bë në atë periudhë kontrollohej dhe bëhej me miratimin e Byrosë Politike, e cila ishte organi më i lartë i PPSH-së. Të mendosh se PPSH-ja punonte kundër interesave të saj në procesin e ndryshimeve që ndodhën është kundër logjikës dhe kundër rrjedhës së ngjarjeve.

Çelo HOXHA, Tiranë

8 dhjetori i vitit 1990 në Shqipëri përkujtohet si datë e rënies së komunizmit, si dita kur nisën protestat e studentëve të Universitetit të Tiranës. Këto protesta dhe gjithçka që pasoi, përfshi krijimin e partive politike të reja dhe zgjedhjet shumë partiake më 31 mars 1991, ndodhën ndërkohë që kushtetuta sanksiononte se Shqipëria ishte shtet i diktaturës së proletariatit, se Partia e Punës e Shqipërisë (PPSH) ishte partia e vetme politike në vend dhe se Shqipëria zhvillonte një revolucion të pandërprerë, bazuar në luftën e klasave, me qëllim që të siguronte fitoren përfundimtare të rrugës socialiste mbi rrugën kapitaliste. Në të njëjtën frymë, kodi penal vazhdonte të ishte, referuar nenit 1 të tij, një “armë e fuqishme e diktaturës së proletariatit në luftën e klasave” dhe që kishte “për detyrë të mbrojë shtetin socialist, Partinë e Punës të Shqipërisë si forcë e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë, pasurinë socialiste, të drejtat dhe interesat e shtetasve, gjithë rendin shoqëror socialist…”

Më 1989, kur regjimet komuniste në Europë por ndryshonin, udhëheqja e regjimit komunist në Shqipëri e kishte gjithçka nën kontroll, por e kuptonte se kjo nuk do të zgjaste përgjithmonë dhe që presioni do të shtohej, kështu që nxitoi ta merrte fatin e saj në dorë, herë duke lundruar sipas rrjedhës e herë duke kontrolluar rrjedhën.

Në plenumin e 8-të të PPSH-së (25-26 shtator 1989), Ramiz Alia, sekretari i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH), i paralajmëroi anëtarët e KQ të PPSH se nuk duhej ta shihnin si tabu “diskutimin për gjetjen e rrugëve të përparimit të revolucionit në bazë të mësimeve të marksizëm-leninizmit”. Duke parë çfarë po ndodhte në Europën Lindore, Alia parashikonte ndryshime edhe në Shqipëri, prandaj foli për kërkimin e rrugëve të reja, se nuk duhej ta shikonin me frikë ndryshimin dhe se nuk duhej të trembeshin nga braktisja e doktrinës.

Në tre muajt që pasuan gjërat përparuan me shpejtësi – Muri i Berlinit u rrëzua, regjimi komunist rumun u përmbys me dhunë dhe, ajo që vendosi një precedent të frikshëm për regjimet e tjera komuniste, diktatori rumun me të shoqen u ekzekutuan. Udhëheqësit e regjimit komunist të Tiranës nxituan të vepronin sa e kishin situatën ende nën kontroll.

Plenumi i 9-të i PPSH-së, më 22-23 janar 1990, e hodhi idenë e për demokratizimin e vendit. Ky plenum, i mbajtur me dyer të mbyllura, synonte popullarizimin brenda partisë idenë e ndryshimeve që për shumicën e partisë ishte një blasfemi.

Plenumi, që ishte mbledhur nën presionin e ndryshimeve në Europën Lindore, pohoi që ndryshimet ndodhën për shkak të diskreditimit të komunizmit si ideologji dhe konfirmoi që ishte nën presion nga “borgjezia ndërkombëtare” dhe parashikonte që ky presion do të shtohej. Hapi më serioz i regjimit në Plenumin e 9-të ishte vendimi për përmirësimin e legjislacionit në fushën e të drejtave të njeriut, pa i përmendur të drejtat e njeriut si koncept, për shkak të anatemimit që regjimi komunist u kishte bërë për një kohë të gjatë. Këto të drejta përfshinin: rikthimin e mbrojtjes ligjore (avokatinë) për të dënuarit, ndryshimi i disa neneve të kodit penal lidhur me veprimtarinë fetare, agjitacionin e propagandën si krim kundër shtetit, ndryshimin e internimit nga vepër penale në masë administrative, ndryshimi i arratisjes jashtë shteti nga krim kundër shtetit në kundravajtje penale etj. Nga këto ndryshime, të cilat u miratuan nga Kuvendi Popullor më 8 maj 1990 përfitonin kryesisht pjesa e persekutar politikisht e shoqërisë.

Para ndryshimeve ligjore në fushën e të drejtave të njeriut, ndryshimet në ekonomi, të cilat nisën me vendimin e Byrosë Politike më 5 prill 1990, e forcuan bindjen që regjimi komunist po shembej. Vendimi lejonte që fshatarët të mbanin një lopë ose 10 bagëti të imëta, lejonte të mbanin rreth një dynym tokë për të ushqyer lopën, por dhe për të kultivuar perime. Me pak fjalë, u dha mesazhi që niste zhvillimi i pronës private. Në shtyp, propagandistët e partisë filluan të turmpetonin se iniciativa private nuk ishte në kundërshtim me ideologjinë etj.

Sapo panë sinjalin e ndryshimit në vendimet e Plenumit të 9-të, qytetarët reaguan me organizime publike dhe me hedhjen e parullave kundër regjimit. Në disa rrethe pati demonstrime të heshtura, të cilat në një raport të përgatitur nga ish-ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, për Plenumin 10-të të PPSH, u quajtën “tentativa për organizim demonstratash. Në një përpjekje për të zhvleftësuar reagimin politik të qytetarëve, personat e përfshirë në demonstrata etiketoheshin si “rrugaçë e aventurierë”. Të njëjtat etiketime u përdorën dhe për mijëra qytetarë që hynë në ambasadat e huaja të akredituara në Tiranë, më 2 korrik 1990-të.

Pas 2 korrikut, udhëheqja e PPSH-së nisi të bënte ndryshime në qeveri dhe në Byronë Politike, pa dhënë shumë shpjegime, por ajo që po ndodhte ishte zëvendësimi gradual i gardës së vjetër me një brez më të ri, në një përpjekje për transferimin e pushtetit. Këto ndryshime vazhduan deri në dhjetor 1990-të, kur u krijua dhe partia e parë opozitare e regjimit, e cila shumë shpejt u pasua nga krijimi i partive të tjera. Në fund, regjimi u detyrua të organizonte, për herë të parë në gjysmë shekulli, zgjedhjet e para pluraliste.

Partitë e reja, që u krijuan në periudhën 1990-1991, të cilat supozohet se përfaqësonin ndryshimin, u krijuan në një atmosferë ndryshimesh të kontrolluar rreptësisht nga PPSH. Çdo vendimmarrje që u bë në atë periudhë kontrollohej dhe bëhej me miratimin e Byrosë Politike, e cila ishte organi më i lartë i PPSH-së. Të mendosh se PPSH-ja punonte kundër interesave të saj në procesin e ndryshimeve që ndodhën është kundër logjikës dhe kundër rrjedhës së ngjarjeve. Ajo që ndodhi realisht ishte kjo: regjimi komunist pranoi të ndryshonte rrënjësisht mënyrën e organizimit politik dhe ekonomik, kjo në shkëmbim të ruajtjes së pushtetit edhe në sistemin e ri.

Deri më 29 prill 1991, kur u abrogua kushtetuta e vitit 1976, në terren kishin ndodhur disa gjëra: PPSH-ja kishte fituar zgjedhjet “pluraliste” të 31 marsit 1991; PPSH-ja kishte krijuar qeverinë e re; Kuvendi Popullor, i dominuar nga deputetët e PPSH-së, kishte zgjedhur president të republikës ish-diktatorin komunist Ramiz Alia. Shkurt: kushtetuta u abrogua pasi komunistët, përgjegjës për sundimin totalitar për gjysmë shekulli, garantuan vazhdimësinë e pushtetit.

Proceset e quajtura “demokratike”, të cilat mendohej të sillnin ndryshim, dhanë rezultate në përputhje me vullnetin e kupolës së diktaturës komuniste.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button