Ndotja e ajrit në Shkup, mjekët: Rritet numri i sëmundjeve respiratore

Shkupi, për dy ditë radhazi, është renditur ndër dhjetë qytetet më të ndotura në botë. Ajri u kategorizua “i pashëndetshëm”, ndërsa grimcat kryesore ndotëse ishin ato PM 2.5 dhe PM 10. Sipas pulmologëve, për shkak të ndotjes enorme të ajrit është rritur edhe numri sëmundjeve respiratore. Personat me sëmundje kronike thonë se gjatë kësaj periudhe ata nuk dalin jashtë dhe kërkojnë që urgjentisht të merren masa.

“Gjatë kësaj periudhe janë shfaqur probleme asmatike, faringjite, sinuset, sëmundje bronko-pneumonike dhe komplikohet gjendja shëndetësore gjatë periudhave të ndotjes te personat që janë ftohur paraprakisht”, theksoi pulmologia, Elizabeta Ivanovska.

“Unë jam i sëmurë me zemrën dhe gjatë kësaj periudhe më shumë rri në shtëpi. Kur shoh që pak më mirë është gjendja, dal jashtë, përndryshe është problem”, tha një qytetar.

“Në shtëpi kam fëmijë me astmë, si mos të jem e shqetësuar?”, tha një qytetare.

“Fillimisht në mushkëri nga ndotja, pastaj bëhet kancer”, u shpreh një qytetar.

“Duhet të gjendet ndonjë zgjidhje për këtë problem, që të përmirësohet cilësia e ajrit”, u shpreh një qytetar tjetër.

Pas një studimi të realizuar gjatë viteve 2020-2023, ndotja në Shkup kryesisht buronte nga transporti (30%), ngrohja e qytetit (20%), nga ndërtimtaria dhe të tjera. Shkupi edhe vitin e kaluar është gjendur disa herë në krye të listës së vendeve më të ndotura. Por, gjendja nuk është më e mirë as në qytetet tjera të vendit. Gjatë stinës së dimrit, edhe Manastiri, Tetova, Gostivari, Kërçova, por edhe Ohri, kanë përqendrime të larta të grimcave PM 2.5 dhe PM 10.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button