Ndikimi i zbulimeve shkencore, sovraniteti, “perdja e injorancës” për të ardhmen, “vendimmarrje optimale nën pasiguri”

Përfundimi më bazik që e shpjegon shqetësimin e shteteve në regjion është se Ballkani shndërrohet në fushë graviteti multipolar. Turqia bëhet “trupi më i afërt masiv”, Europa e humb aftësinë kohezive, SHBA-ja kalon në rol garantues sigurie, Rusia vepron përmes identitetit, ndërsa Kina përmes kapitalit.
Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup
Çka është sovraniteti? Si mund ta përkufizojmë? Si u zhvillua ky koncept gjatë historisë? Pse është me rëndësi në marrëdhëniet ndërkombëtare? Cila është lidhja e kuptimit për sovranitetin me zhvillimet shkencore? Më e rëndësishmja, a ka përplasje konceptuale për kuptimin e sovranitetit në ditët e sotme, veçanërisht në relacionin BE-SHBA, më saktë Trump? Pyetje që më shumë se kurdoherë aktualizohen në kohën kur Trump-i pretendon ta marra Grenlandën, kidnapon Maduron, kryetarin e Venezuelës, mendon se Kanadaja duhet të bëhet shtet i Amerikës, Europa nuk ka kapacitete të vetëmbrohet dhe, më pas, shumë deklarata të tjera, sa kontroverse, aq të pakuptimta për mendësinë tonë.
Në një përkufizim më të thjeshtë, sovraniteti nënkupton autoritetin suprem dhe përfundimtar të pushtetit politik brenda një territori të caktuar, pa një autoritet më të lartë mbi të, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në marrëdhëniet e jashtme. Ai përfshin të drejtën për të nxjerrë ligje, për t’i zbatuar ato dhe për të marrë vendime politike pa ndërhyrje të jashtme.
Në kuptimin klasik, sovraniteti i ka tre elemente kryesore: Supremacia (pushteti më i lartë), Territorialiteti, Pavarësia politike dhe juridike. Jean Bodin-i e përkufizon sovranitetin si “pushteti absolut dhe i përhershëm i shtetit” (J. Bodin, 1955). Ky koncept është një distancim i qartë prej kuptimit që kishte në shoqëritë primitive dhe antike, kur nuk mund të flitet për sovranitet të shpërndarë (fisi, pleqtë, prijësi), i lidhur me sakralen (zotat, rendin kozmik), i personalizuar dhe jo institucional. Aristoteli e koncepton pushtetin si funksion të telosit moral të bashkësisë, jo si autoritet absolut (Aristotel , 1984). Në Romën republikane dhe perandorake, koncepti i imperium-it afrohet me sovranitetin, por mbetet i lidhur me ligjin dhe traditën, jo me një autoritet abstrakt shtetëror (Cicero, 1991). Në Mesjetë, sovraniteti është i fragmentuar ndërmjet mbretit, kishës, feudalëve, perandorit – në rastin e Perandorisë së Shenjtë Romake. Thomas Aquinas-i e vendosi autoritetin politik nën ligjin hyjnor dhe ligjin natyror, duke e kufizuar sovranitetin absolut. Pra, nuk kemi një sovranitet unik, por një pluralizëm autoritetesh.
Kur Jean Bodin-i e përkufizoi sovranitetin si të pandashëm, në fakt ai ishte në shërbim të forcimit të monarkisë absolute dhe ndërtimin e shtetit territorial. Thomas Hobbes-i e radikalizoi kuptimin në Leviathan, kur tha se buron nga kontrata sociale, ka pushtet absolut, garanton paqen dhe rendin (Thomas Hobbes, 1996). John Locke e kufizon sovranitetin që buron nga populli, duke e kushtëzuar me të drejtat natyrore, që edhe mund të hiqet nëse abuzohet (John Locke, 1980). Jean-Jacques Rousseau thotë se i përket vullnetit të përgjithshëm, është i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, duke e distancuar nga qeveria për t’ia dhënë popullit (Jean-Jacques Rousseau , 1968).
Ky botëkuptim për sovranitetin përjeton krizë dhe transformim pas dy luftërave botërore. Nisur nga përvoja e hidhur e sovranitetit absolut, ndjehet nevoja e kufizimit të tij që edhe do të ndodhë përmes ngritjes së të drejtës ndërkombëtare, themelimit të organizatave mbikombëtare (OKB, BE) për llogari të ndërvarësisë globale. Sot flitet për sovranitet të ndarë, sovranitet funksional, sovranitet të kushtëzuar nga të drejtat e njeriut që na shpien në konkludimin se ai nuk është koncept statik, por kategori historike dhe politike, që transformohet sipas strukturave sociale, juridike dhe teknologjike. Një shikim kronologjik bën të kuptojmë se sovraniteti, si koncept gjatë historisë, ka pësuar transformimin nga autoriteti sakral → te shteti absolut → te sovraniteti popullor → te sovraniteti i kufizuar global, që do të thotë se koncepti e pasqyron evoluimin e rendit politik njerëzor.
Nëse kemi arritur në këtë përfundim, është koha ta shtrojmë pyetjen, që për momentin na shqetëson: në çka dallojnë sot koncepti “europian” për sovranitetin karshi atij “trampist”?
Pa hyrë në polemikë politike, mund të themi se në doktrinën politike të Donald Trump-it, sovraniteti i shtetit kuptohet si e drejta absolute dhe ekskluzive e çdo shteti për të vendosur interesat e veta kombëtare mbi çdo angazhim ndërkombëtar, normë multilaterale ose autoritet mbikombëtar, pa detyrim moral, juridik ose politik ndaj rendit liberal ndërkombëtar. Ky koncept është i përmbledhur në parimin “America First”, i cili duket se nuk është thjesht slogan elektoral, por kornizë sovraniste e politikës së jashtme. Ai e refuzon idenë se shtetet kanë detyrime morale ndaj rendit global liberal – të drejtat e njeriut, demokracia, ndërhyrjet humanitare – duke e parë këtë si cenim të sovranitetit. Trump-i i kundërshton hapur organizatat multilaterale (OKB, NATO, OBT..), marrëveshjet ndërkombëtare që e kufizojnë veprimin e shtetit ose idenë e sovranitetit të përbashkët. Në këtë kuptim, ai e sheh sovranitetin si zero-sum, që nënkupton se çdo kompetencë e dhënë jashtë shtetit është baras me humbjen e sovranitetit kombëtar.
Si mund t’i kuptojmë më lehtë këto dy qasje në politikën e jashtme? Për këtë mund të na ndihmojnë dy zbulimet epokale shkencore që e nderuan botën e që patën ndikim edhe në shkencat shoqërore: Teoria e Njutonit dhe ajo e Ajnshtajnit.
Kur Isaac Newton-i (1643–1727) i shpalosi ligjet e lëvizjes dhe ligjin e gravitetit universal, që përkon me kontekstin historik të revolucionit shkencor, ai në esencë bëri kalimin nga kozmologjia aristoteliano-skolastike te një univers i rregulluar nga ligje matematikore universale. Ky zbulim tek një numër shkencëtarësh dhe filozofësh, të njohur si natyralistë, krijoi bindjen se ekzistojnë ligje universale, racionale, të rrënjosura në natyrë, që vlejnë edhe për etikën, politikën dhe të drejtën. Eksponentë të kësaj ideje ishin Hugo Grotius-i, John Locke, kurse më herët Thomas Aquinas-i. Për ta, nëse natyra qeveriset nga ligje universale, edhe shoqëria njerëzore duhet të ketë ligje të zbulueshme racionalisht, mjaftueshëm të motivojë drejtpërdrejtë teorinë e kontratës sociale, shtetin ligjor, konceptin modern të sovranitetit dhe kushtetutës. Teoria e Njutonit nuk e ndryshoi vetëm shkencën, por edhe mënyrën se si njeriu e kupton veten, shoqërinë dhe rendin kolektiv. Nëse në epokën paranjutoniane etnia shihej si fakt natyror dhe i dhënë, në epokën moderne etnia bëhet kategori administrative, identiteti rregullohet nga shteti (gjuhë, ligj, arsim) që mat, regjistron, klasifikon.
Me teorinë e relativizmit të Ajnshtajnit, u rrëzua ideja e rendit absolut, të njëjtë për të gjithë. Në shoqëri kjo prodhoi pluralizëm identitar, politika të njohjes, rikthim të etnisë dhe kulturës. Identiteti nga statik, mekanik filloi të shihet si dinamik dhe i negociueshëm. Botëkuptimi i romantikëve që luftonin racionalizmin e ftohtë, duke promovuar kulturën dhe gjuhën si thelb i identitetit si protestë ndaj universalizmit njutjan dhe mbronin qëndrimin se shkencat e shpirtit dallojnë nga shkencat natyrore, gjetën pandanin e vet në shkencat natyrore.
Cila është nyja lidhëse e këtyre dy teorive me realitetin që përjetojmë sot në politikën ndërkombëtare? Konkluzioni më bazik është se integrimi europian është projekti politik më i avancuar që mishëron logjikën njutoniane në rendin shoqëror, por që sot përballet me kufijtë e këtij modeli. Nëse BE-ja funksionon mbi idenë se shoqëria mund të rregullohet si një sistem racional, ligjor dhe universal që e ka burimin në botëkuptimin e Njutonit, ajo sot përballet me sfidat e një thyerje të madhe. Ku thyhen shtizat? Problemi lind pasi identitetet kulturore, emocionet kolektive, traditat historike, nuk sillen si grimca fizike, gjegjësisht shoqëria nuk sillet si mekanikë klasike. Kriza e sotme e BE-së – Brexit, populizëm, migracion, sovranitet – dëshmon se shoqëritë nuk janë sisteme lineare, dhe me të, identitetet nuk i binden ligjeve universale, pasi reagimet shoqërore janë të pa paparashikueshme. Kjo sfidë mund të përshkruhet përmes analogjisë së kalimit nga fizika njutoniane → fizika e kompleksitetit, te pas-Newton-i – integrimi si sistem kompleks. Konceptet, si “Europa me disa shpejtësi”, subsidiariteti e sovraniteti i ndarë janë shenja të një modeli kompleks, jo mekanik. Gjegjësisht, Europa po përballet me një fakt shumë domethënës; ligji pa identitet nuk integron, racionaliteti pa kuptim nuk mobilizon. Kjo do të thotë se kriza e integrimit është edhe krizë kuptimi, jo vetëm rregulli. Këtë krizë në përditshmërinë tonë më së qarti e perceptojmë përmes “përplasjes” Trump-BE, si në pikëpamje të politikave të brendshme të demokracisë, lirisë së njeriut, por më së shumti në politikën e jashtme.
Bashkimi Europian pas-Newton-ian, që asocon me modelin “Einsteinian”, në politika ndërkombëtare bazohet në multilateralizëm, diplomaci normative e fuqi rregullatore. BE-ja nuk “tërheq” me forcë, por e deformon fushën përreth – standarde, treg, ligj – krijon varësi strukturore, si graviteti einsteinian, ndikim përmes strukturës, jo goditjes. Analogjia Newton–Einstein tregon se Trump-i përfaqëson rikthimin e rendit mekanik të modernitetit të hershëm, se BE-ja përfaqëson eksperimentin e një rendi post-klasik, kompleks dhe të ndërvarur. Konflikti mes tyre nuk është vetëm politik, por konflikt mes dy ontologjive të rendit politik.
Pse kjo përplasje mbi konceptin e politikës së jashtme ngre shqetësime tek ne në Ballkan, por jo më pak edhe në Europë? Arsyen do të duhet ta kërkojmë në përgjigjen e pyetjes “si do të dukeshin forcat e ndikimit në regjion nëse do të fitonte koncepti njutjan i politikës ndërkombëtare?”.
Një modeli teoriko–analitik, jo krejt shkencor, duke përdorur një formulë të adaptuar të Ligjit të Njutonit për gravitetin, për të matur forcën e ndikimit gjeopolitik në Ballkan, nën supozimin hipotetik të triumfit të konceptit njutjan, që do të shpinte në shpërbërje të BE-së dhe rikthimit të shteteve europiane si aktorë veç e veç, do të na jepte përgjigjen për shqetësimin tonë. ּ
Formula origjinale e Njutonit, F=Gּּּ m1ּ m2/r², e adaptuar në model gjeopolitik, Ixb= Kxּ Px ּ Vb / Dxb², ku: Ixb = forca e ndikimit të aktorit x në Ballkan, Pxb = fuqia strukturore e aktorit (ekonomi + ushtri + teknologji + soft power), Vb = vlera strategjike e Ballkanit (korridor energjetik, ushtarak, kulturor), Bxb = distanca efektive (gjeografia + kultura + historia + institucionale), K = konstanta sistemike (epoka historike, rendi global), na shpie në konstatimin se sa më e madhe fuqia dhe sa më e vogël distanca, aq më i fortë ndikimi i aktorit.
Nëse vlerësimin relativ të faktorëve e mbajmë në diapazonin, 0–10, vlera strategjike e Ballkanit – si korridor euro-aziatik, nyje NATO–Lindje, energji, identitet fetar – do të vlerësohej me, Vb = 9, me supozimin se do të dominonte koncepti njutnjan i politikës ndërkombëtare, që do të kulmonte me zhbërjen e Bashkimit Europian, shtetet europiane veç e veç, me një, P ≈ 6, D ≈ 2, ndikimi europian (IEUROPIAN = 6ּּ 2/2² = 13.5), do të kishte qenë 13.5, kjo si rezultat i afërsisë gjeografike, lidhjeve ekonomike e historike dhe përkundër fragmentimit politik dhe mungesës së strategjisë politike, që do të thotë një ndikim i qëndrueshëm, por jo dominues. Përkundër kësaj, ndikimi i Turqisë, njësuar sipas së njëjtës formulë do të kishte qenë, ITURQI = 28, nën supozimin, P ≈ 7, D ≈ 1.5, duke mare për avantazhe trashëgimin osmane, afërsinë kulturore/fetare, praninë ekonomike dhe ushtarake – një aktor dominues në Ballkanin mysliman. Nga ana tjetër, Rusia, nën supozimin, P ≈ 8, D ≈ 3, do të kishte pas indeksin e ndikimit, IRUSI = 8, duke pasur si avantazhe lidhjen fetare ortodokse, energjinë dhe sigurinë, kurse si hendikap sanksionet dhe distancën institucionale. Në këtë rast do të ndjehej një ndikim selektiv nga Serbia, Republika Srpska, Bullgaria. Për rrjedhojë, Kina me, P ≈ 9, D ≈ 5 të supozuar, me avantazhin e kapitalit financiar, projektet infrastrukturore, por me mungesë kulture/identiteti, ndikim indirekt, IKINË = 3.2, një ndikim ekonomik pa dominim politik. SHBA-ja, me, P ≈ 10, D ≈ 4, duke pasur si përparësi NATO-n, prani ushtarake, hegjemoni normative, ISHBA = 5, që do të thotë se do ta ruante ndikimin strategjik përmes sigurisë, jo përmes integrimit.
Përfundimi më bazik që e shpjegon shqetësimin e shteteve në regjion është se Ballkani shndërrohet në fushë graviteti multipolar. Turqia bëhet “trupi më i afërt masiv”, Europa e humb aftësinë kohezive, SHBA-ja kalon në rol garantues sigurie, Rusia vepron përmes identitetit, ndërsa Kina përmes kapitalit. Në terma schmittianë, Nomos-i (Carl Schmitt, 1950) i Ballkanit kalon nga rendi normativ europian në rend hapësinor të fuqive.
Nëse mbi të njëjtën metodologji e vazhdojmë analizën në përmasa globale, duke futur në lojë edhe aktorë tjerë si Indinë dhe “Botën myslimane” në një perspektivë deri vitin 2050, në dy skenarë të mundshëm, një, më optimist, BE-ja të vazhdojë të funksionojë dhe tjetri, pesimist, nën ndikimin e konceptit njutjan të zhbëhet, me një metodologji të thjeshtuar, ku indeksi, 0–100 nuk është e dhënë reale statistikore, por një model historik i ndërtuar mbi faktorë demografikë, ekonomikë, ushtarakë dhe civilizues, një tregues sintetik i ndërtuar mbi kombinimin e faktorëve strukturorë afatgjatë: (a) madhësia dhe dinamika demografike; (b) kapaciteti ekonomik dhe teknologjik; (c) fuqia ushtarake dhe projeksioni strategjik; (d) kapaciteti institucional dhe normativ; (e) kohezioni civilizues dhe potenciali kulturor, do të kemi një hartë interesante të ndikimeve politike.
Mbi këto premisa dhe këtë qasje na rezulton: në skenarin BE vazhdon – rend multipolar (2050), aktorët do të ishin pozicionuar si në vijim: BE: 65, SHBA: 65, India: 60, Kina: 55, Bota Myslimane: 55, Rusia: 50, Turqia: 45. Leximi vizual që bie në sy është: dy qendra (BE–SHBA), tre shtylla në rritje (Kinë–Indi–Bota Myslimane), dy aktorë mesatarë. Mesazhi: multipolarizëm i balancuar me stabilizim euro-atlantik.
Skenari: BE-ja zhbëhet – rend post-europian (2050), aktorët do të ishin pozicionuar në këtë radhitje: BE: 0 (ose hiqet fare nga grafiku), India: 65, Bota Myslimane: 65, Kina: 60, SHBA: 60, Turqia: 45, Rusia: 45. Leximi i të dhënave na shpien ka konstatimi: Europa zhduket si subjekt; qendra zhvendoset drejt Azisë dhe botëve civile. Mesazhi: zhbërja e BE-së nuk prodhon Europë të fortë, por rend post-europian.
Duhet thënë se qasja që kemi për këto simulime nuk është krejt shkencore, por jo edhe jashtë mendimit akademik, pasi ka një bazë solide në literaturën e realizmit strukturor, gjeopolitikës kritike dhe teorive civilizuese të rendit ndërkombëtar (Waltz; Mearsheimer; Schmitt; Huntington; Wallerstein). Rezultati edhe pse nuk paraqet parashikim determinues por një ilustrim teorik, është mjaftueshëm provokues për mendim analitik, qoftë edhe abstraksion.
Të dhënat e fituara shumë më tepër paraqesin një hartë konceptuale të transformimit të rendit botëror sesa një grafik krahasues. Ajo sugjeron se e ardhmja e sistemit ndërkombëtar nuk do të përcaktohet nga fitorja e një hegjemoni të vetme, por nga aftësia e civilizimeve për të ndërtuar rend, kuptim dhe kohezion strukturor. Se si do të duket ai rend nuk e dimë. Por, nëse mbetemi në linjën e trajtimit të ndikimit të shkencave natyrore në ato shoqërore, për të pritur është se rendi i ri botëror do të jetë ndikuar nga teoritë që lidhen me inteligjencën artificiale. Meqë Inteligjenca Artificiale nuk bazohet në një teori të vetme, por në një bashkësi teorish që vijnë nga matematika, logjika, statistika, neuroshkenca, filozofia dhe shkencat kompjuterike, neve do të veçojmë një nga ato, Teoria e probabilitetit dhe statistika (Thomas Bayes, 1763), që do të mund të përmblidhej nën sloganin “vendimmarrje optimale nën pasiguri”. Kjo nënkupton se tanimë dija nuk është absolute, por përditësohet vazhdimisht me informacione të reja. Gjegjësisht, vendimet politike nuk bazohen në dogma fikse, por në besime të përkohshme, që përditësohen vazhdimisht nga faktet. Kjo mund të identifikohet lehtë edhe nga vendimet hëpërhë, pa një lidhje të dukshme me vlera dhe principe, por në kalkulime dhe vlerësime të momentit. Politika ndërkombëtare që do të bazohej në këtë doktrinë do ta përcaktojë kuptimin për sovranitetin pas “perdes së injorancës” për të ardhmen. Rrjedhimisht, strategjia e ankorimit të barkës në një shtyllë të sigurtë si NATO, BE ose OKB, si garanci për sovranitetin e një shteti, ka marrë fund. Alternativa është të mësohesh të notosh me barkë në oqeanin që nuk dihet se kur do të ngrihen valët dhe nga do të fryjnë ato. Gjegjësisht, pasiguria, ankthi, duhet të mishërohen në mendësinë tonë, kurse sovraniteti të kuptohet si çështje thellësisht dinamike, që bazohet në “vendimmarrje optimale nën pasiguri”. Jetojmë në kohën e relativizmit absolut dhe “perdes së injorancës” për të ardhmen.



