“Ndihma që hyn në Gaza, plaçkitet nga bandat kriminale nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite”
Qeveria në Gaza deklaroi se Izraeli ka lejuar hyrjen e 87 kamionëve me ndihmë humanitare, shumica e të cilëve u plaçkitën nën kontrollin e saj, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e qeverisë thuhet se “Sot, deri në 87 kamionë të ngarkuar me ndihma hynë në Rripin e Gazës, por shumica e tyre u plaçkitën në kaosin e krijuar qëllimisht nga Izraeli”.
“Ushtria izraelite ka kryer një ‘masakër komplekse’ gjatë këtij procesi”, thuhet në deklaratën në të cilën shpjegohet se hyrja e kamionëve fillimisht u kundërshtua, më pas anëtarët e fisit të caktuar për të ruajtur kamionët u shënjestruan dhe 11 prej tyre u vranë para se kamionëve t’u lejohej të hynin, dhe se në këtë mënyrë ndihma ra në duart e hajdutëve dhe bandave kriminale nën mbrojtjen e ushtrisë.
Lidhur me ndihmat e dërguara nga ajri, në deklaratë theksohet se këto përkojnë më pak se gjysmë kamioni dhe se janë lënë në vendet e kontrolluara nga ushtria izraelite në lagjen At-Tuffah dhe Jabalia, ku palestinezët e kanë të pamundur të arrijnë.
“Ngjarjet në Gaza janë tregues i qartë se Izraeli përpiqet qëllimisht të përhapë kaos dhe uri dhe pengon qëllimisht ndihmën të arrijë te pronarët e saj të ligjshëm”, bëhet e ditur në deklaratën e Zyrës për media të qeverisë në Gaza.
– Gaza po “vdes nga uria”
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.
Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.
Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke bombarduar edhe infrastrukturën civile, shpeshherë shënjestron palestinezët që ka zhvendosur me urdhra të dëbimi në zonat ku ata strehohen.
Numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e dëbimit të Izraelit në Gazën e cila ka popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, raportohet të ketë arritur në 2 milionë dhe se shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku mungojnë furnizimet higjienike ndërsa lavamanët janë të pamjaftueshëm dhe sëmundjet infektive po përhapen.
Ndërkohë, ushtria izraelite me sulmet e përditshme që kryen bombardon tendat dhe strehimoret civile të të zhvendosurve. Të paktën 59.921 palestinezë janë vrarë dhe 145.233 të tjerë janë plagosur në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.