Ndërroi jetë ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi

Ka vdekur në moshën 78 vjeçare ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, raporton Anadolu.
Bukoshi ishte udhëheqës i Qeverisë së Kosovës në mërgim, në periudhën 1991 deri në 1999 dhe një nga themeluesit e partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndërsa pas luftës së Kosovës ai ishte zëvendëskryeministër në mandatin e dytë të Hashim Thaçit 2011-2014, ministër i Shëndetësisë, po ashtu edhe deputet.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke ngushëlluar familjen Bukoshi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit, tha se ai do të kujtohet përherë për kontributin e tij për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë e të pavarur në kohët më të rënda për popullin kosovar.
Osmani shtoi se kontributi i tij si mjek urolog, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Për dekada me radhë, ai i shërbeu vendit me dinjitet, dije dhe vendosmëri. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Bujar Bukoshit me rastin e vdekjes së tij.
Krasniqi ka thënë se ish-kryeministri në ekzil gjatë viteve të ’90-ta, ka qenë figurë e rëndësishme në periudha kyçe të historisë së Kosovës.
“Dr. Bukoshi ka qenë një figurë e rëndësishme në periudha kyçe të historisë sonë, si kryeministër në ekzil gjatë viteve ’90 dhe si njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Kontributi i tij do të mbetet pjesë e kujtesës institucionale dhe të historisë së shtetformimit të vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, duke shprehur ngushëllime për vdekjen e Bukoshit, ka vlerësuar se jeta dhe veprimtaria e tij janë mishërim i përkushtimit atdhetar dhe angazhimit të palëkundur politik për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Kontributi i tij në momentet më të vështira për vendin tonë është përjetësisht i çmuar. Dr. Bukoshi ishte ndër figurat themeluese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke mbajtur pozitën e sekretarit të përgjithshëm në atë kohë. Me vizion dhe guxim, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin tonë drejt lirisë”, ka vlerësuar Abdixhiku.
Bujar Bukoshi lindi në qytetin e Therandës, kreu arsimin fillor në vendlindje, ndërsa atë të mesëm në Prizren, ndërsa Fakultetin e Mjekësisë e mbaroi në Beograd më 1971.