Ndërgjegjja

Shkruan: Driton DEMIRI, Gostivar

Jetonte një kohë një njeri, një burrë shtatgjatë grabitës dhe hajdut. Shpeshherë, kështu fillonte një legjendë, apo një tregim, që na e rrëfenin e tregonin prindër e xhaxhallarë, në fëmijëri, përgjatë acarit të dimrit, ulur në shilte afër koftorit. Në këtë dije, shumë herë në antikitet, mbase edhe në mesjetë kishte shumë rrëfenja e tregime (legjenda) të llojit, me përbindësha që krijonin telashe e gllabëronin njerëz, legjenda këto të përcjella deri më ditët e sodit. Ose kur xhindi lirohet (lëshohet) nga llamba, më pas, çfarë do të ndodh, do të ndodh. Në atë kohë, pra, për ta përcaktuar, në antikitet, Platoni mendonte se çdo shpirt e ka një yll deri në vdekje, nëse bën një jetë të ndershme. Derisa gjatë kohës së mesjetës Rumi çonte fjalë dikujt dhe ua thoshte vendimin, Mos e shit shpirtin në këmbim të asgjëje. Ke ardhur vetëm në këtë botë. Dhe vetëm me të do ikësh.

Edhe pse, përderisa, koha ka fluturuar, ndërsa kthehemi prapa, një legjendë e vjetër norvegjeze na flet për një burrë që besonte se po ndiqej nga një krijesë, një përbindësh i keq që përpiqej t’ia bënte jetën të mjerueshme. Përbindëshi i tmerrshëm ia rrëzoi çatinë e shtëpisë, i theu dritaret, shkatërroi kopshtin e korrat verore, më në fund ia vrau dhe gjithë bagëtinë. Ky burrë sikur nuk mundi më, kështu që(ndaj) vendosi të luftonte përbindëshin. Filloi një luftë e madhe. Një dyluftim. Ata ranë në tokë dhe u rrotulluan përreth. Rezultati ishte i pasigurt për një kohë të gjatë. Më në fund, duke mbledhur të gjitha forcat, burri e shtypi dhe shtrëngoj përbindëshin dhe e mbajti fort. Por, kur nxori thikën për ta vrarë, meqë ishte një natë e hirtë, në atë moment fryu një erë e ndau retë, dhe një rreze e ndritshme e dritës së hënës ndriçoi fytyrën e përbindëshit. Fytyra që pa, ishte e tij!

Ja, me një përshkrim, oreksi i dëmtuesit me kokë e mendje është i kënaqur. Më pas, një fytyrëvrarë e qejfprishur, si një mollë e kalbur, gërmo, gërmo, ta gjejmë në kosh.

Për të mos e zgjatur, gjithmonë sipas “legjendës”, pikërisht, dikush për këtë burrë, përbindësh, “mjaft burrë” përvijon se, ishte një maskara gjysmakë i cekët, dështak zvarritës, i pazëvendësueshëm. Një turp i turpit, shoqëruar me hiç, me asgjë. Një picirruk! Aty do ngelet gjithë jetën. Si një përtacë dhe i paaftë për të sjellë dobi. I “zgjuar”, shumë i zgjuar, sipas shumicës së manipuluar, moskokëçarës të marrë nga mendtë, interesxhinjsh mediokër, si dhe disave (pak sa) hallexhinjsh përreth. E duartrokitnin, e shikonin në sy dhe e përqafonin në një radius thuajse me pa cak e pa fund. Si pasojë, me prirje për keq bërje e dëmtim. Gjithnjë për burrin përbindësh, me ca krahë, e kam fjalën, para se të hy brenda. Ashtu ishte i gjithë perceptimi për këtë gjësend.

Po vdisja shumë për gjumë, por nuk shkoja për qamet të flija, shtie (hedh) fjalën shkrimtari britanik Çarlls Dikënsi tek romani Dejvid Koperfildi. Më bën të qesh, e të kërcej pupthi, rasti domethënës. A është e mundur që të ishin  kaq gagaritësh marifetçi, mashtrues të vërtetë, me përbërje parodish gjelbërimesh e kana gjegjesh. Pas kësaj, do lozim kukafshehtas, hambarin stërmbushur me drithë e me bollëk të grabitur,… në kohë tona valixhet me miliona. Po, nuk jetohet tërë kohën me mashtrime e gënjeshtra. Më prapa, rruga pa krye. Epo, nuk ka qetësi e rehati për të ligjtë. E, kurrë ndonjëherë nuk ka patur e s’do ketë. Si në legjenda, si në të vërtetë.

Ose po t’ua tregoj (rrëfej) librin me krokodilin. Apo të vazhdoj me një citim nga Shekspiri, a për gjeneralin gal Bren kur pushtoi e plaçkiti Romën në shekullin e katërt p.e.s. Ose ose si u vra Cezari, dhe Qentë nga rezervuari, (filmi i Tarantinos), që tentojnë të grabisin diamant, po ashtu zënë vend. Apo një me karkalecat që ua bënin me sy njerëzve, para se ti hanë, ose si e morri emrin Meduzë, kandili i detit. Ka shumë e shumë, një sërë, një mal e oqean, tregimesh e legjendash. Ose si përfundoi Kaligulla, Luigji i 16-ë bashkë me Maria Antoanetën që ua prenë kokat në gijotinë, si përfundoi dhe Napoleoni dhe shumë e shumë regjime dhe diktatura, mbretër të paskrupullt, sulltan e perandorë. Përndryshe, kur jemi te Meduza, me pa leverdi për të mos ju ngelur borxh, është një banor i pazakontë i detit. Zakonisht e tejdukshme, si një qese e mbushur me ujë e cila noton në det. Thuhet se, në të prek meduza, mund t’ju djeg si hithra. Ekzistojnë edhe disa lloje helmuese, të kihet edhe kjo parasysh. Realisht, kjo shtazë e pazakontë ka marrë emrin nga Grekët e vjetër, sepse i ka përkujtuar në Meduzën, vajzën e perëndisë së detit Forki (një sirenë me bisht peshku, me këmbë gaforreje dhe lëkurë të kuqe me gjemba), së cilës në vend të flokëve në kokë- i janë rritur gjarpërinj.

Sido që të jetë puna, gjersa, çdo gjë ndodh për një shkas a një arsye, t’i biem shkurt. Sami Frashëri, visar i kombit, në dramën, Ndërgjegjja, që i mbeti në dorëshkrim, tanimë siç dihet e transkriptuar dhe përkthyer në gjuhën shqipe, ka si temë bosht ngjarjet e hidhura në Granadën e Andaluzisë së Spanjës, kur kjo provincë u pushtua  nga mbreti Ferdinand dhe mbretëresha Izabelë, në vitin 1492 pas më shtatë shekujsh sundimi nga arabët. Drama e shkruar në (pesë) V akte, me krye personazh Fatmën, ku nëpërmjet së cilës dëshiron të kthjellon ndërgjegjen njerëzore për mizoritë në përgjithësi, e në veçanti, si në prapaskenë, vë, brengën e popullit të vetë, të popullit shqiptar. Fatma, sikur një erë e madhe, njëjtë, shumë identike, me erën tek legjenda norvegjeze, ngritet e ngritet dhe fryn habinë, (pa mos përmbushur përsenë): … “Asnjëri nga prijësit tanë nuk është duke menduar për të mirën e vendit. Secili mendon vetëm për rehatinë dhe madhështinë e vet.” Këto fjalë, kjo ndjenjë dramatike, që duket mbi një milion e ca orë larg, shumë shpejt u bë sërish tema e preferuar e bisedave, ndër njerëz. Orë të cilat duket se koha nuk ekziston, e s’kam për të shtuar gjë tjetër.

Në këtë gjendje, pa patur asnjë dyshim, të vjetrit kanë thënë se, “e mira për të keqen s’do ishte e mirë”. Dhe flas vetëm për vetëm me një çehre të mirë. Por, le të ndalemi, në një hapësirë më të madhe, tek ndërgjegjja. Lexova me kujdes e konsideratë, me përqendrim të qëndrueshëm se, fjala ndërgjegje si emër, ose si mbiemër (në disa gjuhë) që konvertohet edhe në emër, sipas psikologjisë tradicionale është aftësia njerëzore për të përvetësuar diturinë në mënyrë të vullnetshme. Është aftësia e vetëgjykimit, ndjenjës së pendimit dhe e keqardhjes kur bëjmë gjëra që janë kundër normave morale të individit apo të një grupi përkatës shoqëror. Fjalë e ngjashme është vetëdija. Me një shtjellim, ndjenja vetjake e përgjegjësisë morale për sjelljen e veprimit përpara të tjerëve ose shoqërisë. Pikëpamjet e zakonshme laike ose shkencore e shohin origjinën e aftësisë njerëzore për ndërgjegje si të përcaktuar gjenetikisht, ndërsa përmbajtja e ndërgjegjes ka shumë të ngjarë të mësohet dhe të brendësohet përmes procesit të socializimit. Në këtë kuadër, sipas Frojdit (themelues i psikanalizës), pasoja e mosbindjes së ndërgjegjes është “faj”, e “faj-i” është akti i mbajtjes së përgjegjësisë ose i bërjes së deklaratave dhe veprimeve negative. Kësodore, veprim a sjellje që shkel rëndë rregullat dhe normat morale të shoqërisë, të një organizate dhe që duhet dënuar. Për ti dhënë një konspekt,  kur dikush është moralisht përgjegjës për të bërë diçka të gabuar, veprimi i tij është i dënueshëm. Çfarëdo qoftë, pikëpamjet fetare, edhe pse përfshinë dhe shumë gjëra mbi ndërgjegjen, zakonisht e trajtojnë atë në të njëjtën mënyrë, si postulat i moralit njerëzor.

Në një tjetër trajtë, për të mos u dukur si një thes patatesh, “Ti nuk je vetëm, ne të gjithë po të shikojmë”, kështu ekziston një kumtesë edhe nga një tregim, shkruar në afishe dhe shpërndarë nëpër vendbanime, me urdhër të një sundimtari, gjithnjë, për të ngjallur ndërgjegjen tek njerëzit, mbi rregullat dhe normat ligjore.

Dhe; Po të jenë nëpunësit në dorë të pazotë, i zemëruar shpesh ka shënuar në defter Samiu, po t’u mungojnë armët ushtarëve, po të mbetet pas bujqësia, mjeshtëria dhe tregtia prapëseprapë shteti qëndron; por kur sundimtarët nuk respektojnë ligjin dhe të drejtën, nëpunësit e vegjël bëhen të pabindur dhe nuk zbatojnë urdhrin e dhënë, kështu që populli bjerr vetitë e mira dhe jepet pas veseve të këqija, atëherë nuk ka më shpresë shpëtimi.

Pa shqiptuar më asnjë fjalë, mes gjërave, legjendave e tregimeve dhe shumë të vërtetave, për tu shkëputur nga vijimësia, nganjëherë, më vjen keq të them, por kuvendi cikël pas cikli humbet shumë në cilësi, sekushi ta dijë. I paguajmë, dhe vazhdojmë ti paguajmë, shumë shtrenjtë, cirqet që po improvizohen pa dobi e mbarësi, që sajohen vetëm për sherr e për dreq. Për këtë pjesë, vërtet dua ta kursej ironinë. Ndaj, e lë me kaq. Mjerë ne!  Paçim fat…duhet të kishim veshur gëzof e çizme! Sepse fati, ngjashëm si moti, nganjëherë, na sjell, befasi të këndshme, e herë pas here, të paparashikuara.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button