NATO është e kënaqur me praninë e fortë të Turqisë në stërvitjen “Steadfast Dart 26”

Zëdhënësi i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Brunssum (JFC Brunssum) në Holandë, koloneli gjerman Matthias Boehnke deklaroi se Forcat e Armatosura Turke ishin kontribuesi më i madh në stërvitjen “Steadfast Dart 2026” dhe se performanca e mjeteve ajrore pa pilot të armatosura Bayraktar TB3 ishte gjithashtu e suksesshme.

Stërvitja “Steadfast Dart 2026”, e organizuar nga JFC Brunssum në Holandë, një nga tre komandat operative të forcave të përbashkëta të NATO-s së bashku me Napolin dhe Norfolkun, vazhdon nën kujdesin e Gjermanisë.

Pas një eventi për mediat dhe ditën e vëzhguesve të shquar të mbajtur dje në poligonin e stërvitjes Putlos në bregdetin e Detit Baltik për fazën detare të stërvitjes, zëdhënësi i JFC Brunssum të NATO-s, koloneli Boehnke dha vlerësimet e tij për Agjencinë Anadolu (AA).

Boehnke theksoi se “Steadfast Dart 26” është stërvitja më e madhe e NATO-s këtë vit. “Turqia është vendi që kontribuon më shumë në këtë stërvitje. Prandaj, forcat kryesore, shumica e njësive, vijnë nga Turqia”, tha ai.

TCG Anadolu po operon kaq larg nga Turqia për herë të parë për shkak të kësaj stërvitjeje, tha Boehnke duke shtuar se “Ndër elementët që shohim sot është edhe anija e madhe që ndodhet menjëherë pas meje. Kjo anije është Anadolu. Besoj se kjo është hera e parë që Anadolu ka qenë në një mision jashtë Mesdheut, në Detin Baltik”.

Ai transmetoi se në aktivitetin për shtyp dhe ditën e vëzhguesve të shquar gjatë fazës detare të stërvitjes, ata kanë ndjekur një operacion zbarkimi amfib me pjesëmarrjen e njësive nga Spanja dhe kryesisht nga Turqia. “Kontributi është vërtet i jashtëzakonshëm” shtoi Boehnke.

Boehnke vuri në dukje se mjeti ajror pa pilot i armatosur Bayraktar TB3 u shfaq për herë të parë në skenën ndërkombëtare me këtë stërvitje dhe theksoi rëndësinë e aftësive operacionale të një droni të tillë të lançuar nga TCG Anadolu.

“Mendoj se performanca (e Bayraktar TB3) ishte jashtëzakonisht e suksesshme. Për UAV-të, ose dronët, siç thamë, po flasin të gjithë. Të gjithë po flasin për to dhe kjo çështje është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme në aspektin e shpëtimit të jetëve, e rëndësishme për sa i përket zbulimit, e rëndësishme për sa i përket luftës moderne. Nga kjo perspektivë, kontributi i TCG Anadolu i ka sjellë shumë dobi stërvitjes”, tha Boehnke.

– Ushtarë ukrainas të ftuar në “Steadfast Dart 26” për ndarjen e përvojave

Lidhur me pyetjet në lidhje me vërtetësinë e thashethemeve në Gjermani se ushtarë ukrainas po marrin pjesë në stërvitje, Boehnke u përgjigj: “Kjo është tërësisht brenda kornizës së Forcës Aleate të Reagimit (ARF). Kjo forcë përbëhet kryesisht nga njësi turke, italiane dhe spanjolle, por ushtarët ukrainas nuk janë të përfshirë”.

Më tej Boehnke tha: “Ukrainasit nuk janë pjesë e stërvitjes. Megjithatë, gjatë stërvitjes po mbahen disa demonstrime statike dhe dinamike. Në këtë kontekst, ushtarët ukrainas janë ftuar të demonstrojnë përvojën e tyre në luftën moderne, përvojën e tyre në luftën me dronëve, si të luftojnë sulmet e dronëve dhe si përdoren dronët për qëllime ofensive”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button