Nata e parë e Gazës pa zhurmën e dronëve dhe shpërthimeve izraelite

Palestinezët kanë përjetuar një natë në Gaza që nuk e kanë ndier për gati dy vjet – një natë pa zhurmën e dronëve dhe shpërthimeve izraelite.
“E vetmja gjë që qëndron mbi Gazën sonte është shpresa. Pa dronë. Pa bomba. Pa qiell portokalli. Vetëm heshtje – një tingull aq i rrallë këtu, sa të duket i çuditshëm,” tha gazetarja e Al Jazeera-s, Hind Khoudary, duke shtuar se ishte nata e parë pas shumë muajsh pa sulme ajrore apo ambulanca që garojnë nëpër rrugët e shkatërruara.
“Sot dronët janë ndalur dhe nuk ka më zhurmë. Jemi të sigurt, fëmijët tanë janë të sigurt. Jemi mbledhur me bijtë dhe bijat tona në paqe – është ndjenjë e mirë,” tha një burrë për Al Jazeera.
Në kampet e mbipopulluara të përkohshme në jug të Gazës, familjet që janë zhvendosur disa herë më në fund po gjejnë një moment qetësie.
“Pavarësisht gjithë dhimbjes dhe gjërave që kemi parë gjatë këtyre dy viteve, jam e lumtur për armëpushimin,” tha një grua për Al Jazeera.
“Frika brenda nesh është zhdukur dhe tani mund të shohim të dashurit tanë, familjet, fqinjët e miqtë që ende janë gjallë. Qëkur ndaluan luftimet, jam vërtet e lumtur. Sot shkova në treg dhe vizitova motrën time – nuk e kisha parë prej dy vitesh. Kam gëzim të vërtetë në zemër sepse e pashë.”