Narrativet e gabuara shqiptare mbi luftën në Gazë

Cilat janë narrativet joobjektive dhe të shtrembëruara në sferën publike të shqiptarëve mbi luftën në Gaza? Pse përdoret shpesh mosnjohja e Kosovës nga Palestina si pretekst që të bëhet thirrje që të mos reagohet për Gazën? Si tentohet të relativizohet kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e ndërlidhur Holokaustin më Gazën? Sa ndikojnë media dhe politika ndaj diskursit publik shqiptar mbi luftën për territore në Gazë?

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Në hapësirën publike shqiptare hasim shpesh në vrojtime të opinionit publik që ndërlidhen me luftën në Gaza dhe të cilat bartin me vete paragjykime e stereotipa të thella, që ndërlidhen me dimensione historike, religjioze dhe kombëtare-politike! Pa dyshim se vrojtimet e këtilla të një pjese të qytetarëve, por edhe të atyre që hiqen si intelektualë e opinionbërës, janë rezultat i trajtimit sipërfaqësor mediatik të luftës në Gaza, e cila është tepër e ndërlikuar në shumë rrafshe. Në mediat tona shumë pak ka trajtim më të thellë analitik dhe shumëdimensional të kësaj lufte, e cila shpesh reduktohet në informacionet ditore për numrin e viktimave dhe në deklaratat e politikanëve ose diplomatëve. Ky trajtim, i cili çështjen e kundron vetëm duke u ndalur në shtresën e parë të raportimit, është rezultat edhe i faktit se ka shumë pak njohës dhe ekspertë të çështjeve të Lindjes së Afërt, ndërsa gazetaria e politikës së jashtme është shumë pak e zhvilluar. Ajo lëvrohej shumë në vitet e ish sistemit ose edhe pas rënies së komunizmit, ndërsa gazetarët e specializuar për çështjet ndërkombëtare mund të numërohen me gishtat e një dore. Ky diskurs i vakët mediatik mbi luftën në Gaza, i stilit buletinesk ose telegrafik statistikor mbi viktimat, prodhon qasje bardh e zi në spektrin mediatik shqiptar, ndërsa ai politik e ka zgjedhur modelin e heshtjes. Indiferenca ose injorimi i luftës në Gazë nga politika shqiptare është veprim oportunist, që e ka gjenezën tek pozicionimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj luftës në Gazë, ndërsa pozicionimi eventual kundër Izraelit lexohet si kundërshtim i Uashingtonit zyrtar, aleatit më të madh të shqiptarëve, i cili i shpëtoi nga “Holokausti” i pushtuesit serb në vitin 1999 dhe ndihmoi në krijimin e Kosovës si shtet i pavarur.

Palestina s’e njeh Kosovën, pse të solidarizohen shqiptarët!

Interpretimi i parë i gabuar, që është i pranishëm në sferën publike shqiptare dhe që trumbetohet nga një pjesë e intelektualëve, e që shpesh burimin e ka tek etnocentrizmi i skajshëm, i cili në sfond tenton ta prezantojë religjionin si “opium për popullin” dhe që e dëmton qenien kombëtare, ndërlidhet me faktin se Palestina nuk njeh shtetin e Kosovës. Antagonizmi i mosnjohjes, sipas etnocentrikëve, prodhon qasjen se shqiptarët, në përgjithësi, e ata të Kosovës, në veçanti, nuk kanë pse të reagojnë, të solidarizohen ose të shprehin ndonjë shqetësim për atë që ndodh në Gaza!

Është e vërtetë se edhe pse Palestina vetë nuk e ka fituar pavarësinë si shtet, ajo nuk e njeh Kosovën dhe kjo mund të ndërlidhet me një sërë faktorësh, që kryesisht bazën e kanë tek fakti që Palestina nuk pranon shpallje të njëanshme të pavarësisë, siç bëri Kosova, pa pëlqimin e Serbisë, por kërkon pavarësi përmes negociatave të gjera ndërkombëtare. Nëse Palestina do ta shpallte pavarësinë, edhe Izraeli do të kërkonte ta konsiderojë si legjitim shpalljen e Jerusalemit si kryeqytet të vetin. Ndonëse i gabuar dhe nuk është aspak i njëjtë me rastin “sui generis” të Kosovës, Palestina nuk e njeh shtetin e dytë shqiptar, duke u nisur nga pikëpamja këmbëngulëse për ruajtjen e tërësisë territoriale, si njëri nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, gjë që analogjikisht do të thotë se ajo mund të kërkojë kthimin e territoreve të veta të pushtuara. Kjo do të thotë se Palestina ose qeveria e saj, parimin e moscenimit të integritetit territorial e kupton në atë mënyrë që Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë, sepse – sipas saj – ndarja e Kosovës e ka cenuar tërësinë e shtetit serb, që nuk është aspak përkatës me realitetin. Serbia ka dashur ta mbajë me dhunë dhe presion Kosovën dhe shqiptarët si pjesë të saj, ndërkaq pikërisht parimi i njohur ndërkombëtarisht i vetëvendosjes së popujve, përkatësisht i Kosovës si entitet me subjektivitet juridik-shtetëror (si krahinë autonome e ish Jugosllavisë, gati se me kompetenca të republikës në federatë), ia ka mundësuar pavarësinë dhe njohjen nga bota demokratike.

Ndaj qëndrimit të këtillë antikosovar nga Palestina kanë ndikuar sidomos relacionet e ngushta historike që i ka pasur Serbia (ish Jugosllavia) me Palestinën, një fakt i evidentuar në Kombet e Bashkuara, por edhe në forume ndërkombëtare. Po ashtu, fakti që një pjesë e shteteve të Lindjes nuk e njohin Kosovën si shtet, po ashtu ndikon ndaj pozicionit mohues të Palestinës ndaj shtetit të Kosovës.

Kosova është njëri ndër shtetet e rralla që ka hapur ambasadën e saj në Jerusalem dhe jo në Tel Aviv. Ky hap i qeverisë së Kosovës, kur kryeministër ishte Abdulla Hoti dhe që u bë në mandatin e parë të presidentit amerikan, Donalld Tramp, nga pala palestineze është parë si veprim që e mbështet pozicionin e Izraelit që Jerusalemi të jetë kryeqendra e tij, i cili bie ndesh me atë të Palestinës. Në të ardhmen, pikërisht Jerusalemin Perëndimor shteti i ri palestinez e ka projektuar si kryeqytet të tij.

Qasja negative e Qeverisë së Bregut Perëndimor ndaj Kosovës nuk duhet të jetë pretekst ose sebep që qarqe të caktuara shqiptare, pavarësisht a janë të instruktuara apo ndikuara, të kërkojnë indiferencë, që në sfond është edhe një lloj justifikimi i heshtur i zhvillimeve në Gazë. E para është veprim politik dhe diplomatik i një qeverie, ndërsa e dyta është zhvillim që ndërlidhet me civilizimin human, në epokën kur mendonim se luftërat makabre janë e kaluar dhe mësim për njerëzimin.

Narrativi i dytë i gabuar shqiptar: ndërlidhja e Holokaustit me Gazën

Narrativi i dytë, tërësisht i gabuar dhe i pamenduar mirë, është ai që luftën izraelite-palestineze e vrojton me dioptrinë religjioze ose duke e parë si konflikt mes myslimanëve dhe hebrenjve. Kjo, në fakt, nuk është tërësisht e vërtetë, pasi lufta bëhet në radhë të parë për territore e jo për dominim religjioz dhe nga kjo luftë nuk pësojnë vetëm pjesëtarët e Islamit, por edhe hebrenjtë dhe pjesëtarët e feve të tjera. Por, parë nga këtu, pa u dhënë shpjegimet e nevojshme historike dhe gjeopolitike, lufta interpretohet si fetare.

Ky narrativ sugjeron se, për shkak të Gazës, shqiptarët, përkatësisht institucionet e tyre shtetërore ose organizatat joqeveritare, nuk duhet të merren shumë me pjesën e lavdishme të historisë shqiptare, e cila evidenton me të dhëna të argumentuara se shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore i kanë shpëtuar hebrenjtë.

Ky akt human, që buron nga besa si kod identitar i shqiptarëve, është vlerë e shtuar e humanizmit kombëtar, i cili tashmë është verifikuar shkencërisht nga bota akademike globale.

Dëshmitë e fundit, përmes dokumenteve, nxjerrin në pah se pjesa e popullatës prej 2 për qind është shpëtuar falë guximit të familjeve shqiptare, të cilat i kanë strehuar dhe, njëkohësisht, kanë ndihmuar në transferimin e tyre në Shqipëri përmes Kosovës. Asgjësimi fizik i 98 për qind të hebrenjve në Maqedoninë e Veriut filloi më 11 mars të vitit 1943. Nga Shkupi u nisën 7144 hebrenj në Treblinkë të Polonisë dhe nuk u kthyen më.

Të mohosh apo të tentosh të fshish si me gomë një pjesë të konsiderueshme të së kaluarës së shqiptarëve, e cila i nxjerr në anën e ndritshme të historisë, duke e vënë në kontekstin e sotëm të të bëmave izraelite në Gazë, ky nuk është veprim i duhur dhe nuk u bën nder vetë shqiptarëve.

Fenomenet historike duhet analizuar në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur dhe jo duke i parë me perspektivën e sotme ose postmoderne, sepse Holokausti është ngjarja me e dhimbshme e historisë njerëzore. Kontributi i shqiptarëve që Holokausti të jetë i përmasave më të vogla, natyrisht se nuk e minimizon aspak faktin që në Gazë ndodh tragjedi e përmasave të “ferrit” të kësaj bote.

Holokausti dhe kontributi i shqiptarëve nuk duhet dhe nuk guxon të relativizohet, duke u përdorur argumente që përkojnë me zhvillimet e sotme, meqë askush nuk ka të drejtë ta nxijë historinë e lavdishme të shqiptarëve, pavarësisht që motivet apriori mund të mos jenë “djallëzore” ose të luajtjes së “avokatit të djallit”!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button