Nacionalizmi digjital dhe shqiptarët

Me zhvillimin teknologjik dhe rritjen e nevojës së komunikimit virtual, tregtar dhe financiar, natyrshëm shtrohet pyetja: A ndodhemi përballë pushtimit të gjuhës shqipe nga termat e huaj? Studiuesit theksojnë se nëse nuk ndërmerren masa për të promovuar përdorimin e shqipes në internet, ekziston rreziku që gjuha të humbasë një pjesë të rëndësishme të përdorimit të saj në hapësirën digjitale.
Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren
Nacionalizmi digjital është një fenomen që i referohet përdorimit të teknologjisë dhe mediave digjitale për të promovuar, mbrojtur ose forcuar identitetin kombëtar dhe interesat politike të një shteti ose grupi etnik. Ky lloj nacionalizmi përfshin përdorimin e platformave online, si rrjetet sociale, si TikTok, Twitter dhe Facebook, për të shpërndarë mesazhe kombëtare, propagandë dhe ideologji politike.
Identiteti digjital kombëtar
Koncepti i etnicitetit dhe kombësisë është një konstruksion politik që e forcon idenë e komunitetit të imagjinuar, ku njerëzit ndihen të lidhur me një komb edhe pse nuk njihen personalisht. Në hapësirën digjitale, ku mungojnë kufijtë fizikë, kjo ndarje përforcohet përmes gjuhës dhe ndërveprimeve në platformat sociale, duke ndikuar në mënyrën se si njerëzit i perceptojnë të tjerët. Identiteti nacionalist formohet përmes diskursit, ku gjuha luan një rol kyç.
Ruajtja e gjuhës shqipe është një sfidë për shqiptarët në vend dhe diasporë. Por, teknologjia e informacionit ka sjellë mundësi të reja për ta përballuar këtë sfidë. Interneti dhe platformat digjitale e kanë lehtësuar qasjen në materiale edukative në gjuhën shqipe, duke mundësuar përdorimin e librave digjital, kurseve online dhe aplikacioneve të dedikuara për mësimin dhe praktikimin e gjuhës shqipe. Këto mjete ndihmojnë në ruajtjen e gjuhës, veçanërisht tek brezat e rinj që rriten jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Përmes këtyre platformave, shqiptarët në diasporë mund të lexojnë, të ndajnë përvoja dhe ta mbajnë gjallë interesin për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Për më tepër, rrjetet sociale dhe forumet online krijojnë një hapësirë interaktive, ku shqiptarët mund të diskutojnë në gjuhën shqipe dhe të praktikojnë përdorimin e saj në mënyrë të natyrshme.
Teknologjia e informacionit ka ndikuar gjithashtu në ruajtjen e identitetit kulturor shqiptar. Përmes faqeve të internetit, videove edukative dhe grupeve të diskutimit në rrjetet sociale, shqiptarët në diasporë kanë mundësi të mësojnë më shumë rreth historisë, traditave dhe vlerave kombëtare. Këto zhvillime e bëjnë më të lehtë transmetimin e gjuhës dhe kulturës tek gjeneratat e reja, duke siguruar që shqipja të mos shuhet, por, përkundrazi, të mbetet një element i rëndësishëm i identitetit shqiptar në mbarë botën.
Tregu ndërkombëtar botëror dhe rrjeti teknologjik global është ai që e ka mbërthyer çdo aspekt të jetës sonë. Një prej tyre është edhe gjuha. Studiuesit pohojnë se për shkak të rritjes së nevojës së komunikimit virtual, tregtar dhe financiar, terminologjia e huaj dhe shkurtimet e fjalëve po shndërrohen çdo ditë në një cikël dominues në komunikimin e të rinjve sot.
Fjalët e huaja, të huazura dhe përdorimi pa kriter në median e shkruar dhe vizive, për të trajtuar ose përshkruar ngjarje a fakte të ndryshme çdo ditë e më shumë, po i rrezikojnë rrënjët e gjuhës shqipe. Thuajse në çdo rast në komunikimin e të rinjve me mesazhe ose në rrjetet sociale, përdorimi i shkurtimeve është një cikël tjetër që dominon strukturën e fjalorit të përditshëm gjuhësor. Me zhvillimin teknologjik dhe rritjen e nevojës së komunikimit virtual, tregtar dhe financiar, natyrshëm shtrohet pyetja: A ndodhemi përballë pushtimit të gjuhës shqipe nga termat e huaj? Studiuesit theksojnë se nëse nuk ndërmerren masa për të promovuar përdorimin e shqipes në internet, ekziston rreziku që gjuha të humbasë një pjesë të rëndësishme të përdorimit të saj në hapësirën digjitale.
Identiteti kombëtar ruhet dhe forcohet në sferën digjitale përmes strukturës së sistemeve të emrave të domeneve në internet, algoritmeve të njëanshme të platformave sociale dhe ekosistemeve kombëtare digjitale. Këto elemente ndihmojnë në vazhdimësinë e nacionalizmit të zakonshëm dhe integrimin e elementeve kombëtare në infrastrukturën digjitale. Shtetet kombëtare përdorin teknologjitë digjitale për të avancuar interesat dhe identitetet e tyre në një nivel global, një fenomen i njohur si kibernacionalizëm. Kjo përfshin propagandën online, sulmet kibernetike dhe manipulimin e informacionit për të ndikuar në opinionin publik.
Ndërsa Shqipëria ka domenin zyrtar shtetëror “.al”, Kosova ende nuk ka një domen përfaqësues kombëtar në hapësirën digjitale. Mungesa e një kodi shtetëror të nivelit të lartë (ccTLD) për Kosovën, siç do të ishte “.ks” ose një variant tjetër i njohur ndërkombëtarisht, reflekton sfidat e saj në procesin e njohjes ndërkombëtare në fushën e teknologjisë dhe komunikimit digjital. Aktualisht, institucionet dhe bizneset në Kosovë shpesh përdorin domene nga vende të tjera, si “.com”, “.net” ose edhe “.al”, gjë që kufizon ndërtimin e një identiteti unik digjital për shtetin e Kosovës. Kjo mungesë ndikon jo vetëm në përfaqësimin simbolik në internet, por edhe në aspekte praktike, si siguria kibernetike, promovimi i bizneseve vendase dhe ndërtimi i një pranie digjitale të dallueshme në arenën globale.
Në epokën e luftës hibride, ku sulmet kibernetike janë bërë një mjet i fuqishëm për ndërhyrje dhe destabilizim, Shqipëria renditet ndër vendet më të cenueshme në Europë. Infrastruktura digjitale e vendit përballet me sfida serioze, duke përfshirë mbrojtjen e të dhënave qeveritare, sigurinë e rrjeteve kritike dhe ekspozimin ndaj sulmeve të sponsorizuara nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë.
Një rast i rëndësishëm që theksoi dobësitë e sigurisë kibernetike të Shqipërisë ishte sulmi i madh kibernetik i vitit 2022, i atribuuar Iranit. Ky sulm, i cili synoi sistemet qeveritare dhe shërbimet digjitale të vendit, paralizoi përkohësisht infrastrukturën shtetërore dhe detyroi qeverinë shqiptare të ndërmerrte masa drastike, përfshirë ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Teheranin. Ky incident demonstroi qartë se sulmet kibernetike mund të përdoren si mjete të presionit politik dhe destabilizimit rajonal.
Mungesa e kapaciteteve të avancuara mbrojtëse, varësia nga teknologjitë e jashtme dhe niveli ende i ulët i ndërgjegjësimit për rreziqet kibernetike e bëjnë Shqipërinë një objektiv të lehtë për fushata të sofistikuara sulmesh. Rritja e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike, zhvillimi i politikave efektive dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë thelbësorë për garantimin e integritetit digjital të vendit dhe mbrojtjen nga kërcënimet e ardhshme.
Në maj të vitit 2024, disa grupe hakerësh prorusë morën përgjegjësinë për sulmet kibernetike ndaj disa faqeve qeveritare në Kosovë, të cilat u bllokuan përkohësisht. Grupi “Server Killers”, i cili operon në Telegram, pretendoi se sulmi ishte hakmarrje për mbështetjen që ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, shprehu për Ukrainën në një konferencë ndërkombëtare në Poloni. Hakerët publikuan imazhe që tregonin bllokimin e faqeve të institucioneve kryesore si Kryeministria dhe Presidenca, duke paralajmëruar sulme të tjera. Qeveria e Kosovës konfirmoi sulmet e tipit DDoS, por theksoi se nuk pati humbje të të dhënave dhe funksionaliteti u rikthye shpejt.
Ekspertët e sigurisë kibernetike e konsideruan këtë sulm si një paralajmërim për nevojën e forcimit të mbrojtjes digjitale në Kosovë, e cila përballet me sfida të shumta. Sipas Kujtim Kryeziut nga kompania Sentry, sulmet DDoS shpesh sinjalizojnë kërcënime më serioze. Mungesa e një domeni shtetëror (.ks) për Kosovën dhe burimet e kufizuara njerëzore mbeten pengesa kryesore për mbrojtjen kibernetike. Edhe pse Kosova e ka miratuar Projektligjin për Siguri Kibernetike dhe ka funksionalizuar Njësinë Kombëtare për Siguri Kibernetike (KOS-CERT), sfidat për një infrastrukturë më të sigurt digjitale mbeten ende të mëdha.
Së fundmi, dyshimet për sulme kibernetike ndaj ueb-faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me qëllim minimin e besimit në institucionet e Kosovës, nxitjen e trazirave dhe krijimin e kaosit politik tregon nevojën dhe rëndësinë e kësaj sfide për të siguruar stabilitetin politik në vend nga sulmet e ndryshme.
Diplomacia digjitale dhe ndërtimi i narrativave digjitale kombëtare
Diplomacia digjitale është përdorimi i teknologjisë digjitale dhe platformave online nga shtetet dhe institucionet për të komunikuar, për të ndikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të avancuar interesat kombëtare. Ajo është një zgjerim i diplomacisë tradicionale, duke përfshirë mjetet e reja si rrjetet sociale, inteligjencën artificiale dhe analizën e të dhënave për të formuar dhe zbatuar politikat e jashtme.
Narrativat digjitale kombëtare janë të rëndësishme për formësimin e identitetit dhe kulturës kombëtare përmes platformave digjitale dhe përmbajtjeve arsimore, duke forcuar mesazhet kombëtare. Rrjetet sociale dhe komunikimi digjital lejojnë përhapjen e mesazheve nacionaliste, ndikojnë në opinionin publik. Tregimi digjital interaktiv ofron mundësi për përfshirje dhe empati historike, duke përdorur veçoritë e internetit për të arritur audienca më të gjera dhe për të formësuar narrativat kombëtare.
Në epokën e informacionit, narrativat që lidhen me Kosovën dhe shqiptarët formohen dhe zhvillohen në mënyrë të ndjeshme në hapësirën digjitale. Rrjetet sociale, platformat e lajmeve online dhe forumet e ndryshme janë kthyer në arenën kryesore ku debatohet dhe ndërtohet imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përmes mediave alternative dhe blogjeve, shqiptarët kanë mundësi t’i kundërshtojnë dezinformatat dhe të promovojnë një histori të saktë për Kosovën.
Narrativat digjitale kombëtare janë mjetet që përdoren për të formësuar perceptimet dhe qëndrimet e publikut për ngjarje të rëndësishme dhe zhvillime politike, duke përdorur platformat digjitale dhe mediat sociale. Kosova është një vend që ka përjetuar një histori të vështirë lidhur me pavarësinë e saj dhe njohjen ndërkombëtare dhe, si rezultat, narrativat digjitale luajnë një rol kyç në formësimin e mënyrës se si shikohet nga bota dhe si e perceptojnë shtetet e tjera, përfshirë Serbinë dhe aleatët e saj, si Rusia.
Serbia, e mbështetur nga Rusia, ka përdorur narrativat digjitale për të delegjitimuar shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e tij. Në këto narrativa shpesh përdoren argumente të tilla si: “Kosova është pjesë e Serbisë”, “Pavarësia e Kosovës është e paligjshme” dhe “Kosova është një shtet të cilin shumica e vendeve të botës nuk e kanë njohur”. Në këtë mënyrë, Serbia dhe Rusia mundojnë të krijojnë një imazh të Kosovës si një entitet të padëshiruar dhe të pasigurt në arenën ndërkombëtare. Këto narrativa shpesh janë të pranishme në mediat sociale, portale online dhe kanale të ndryshme digjitale.
Një shembull i rëndësishëm është përdorimi i mediave sociale, por edhe i platformave si Wikikpedia, për të kundërshtuar narrativat propagandistike që mund ta minojnë imazhin e Kosovës në nivel ndërkombëtar. Aktivistët dhe gazetarët shqiptarë e përdorin teknologjinë për të shpërndarë informacione të sakta dhe për t’i kundërshtuar përpjekjet e grupeve të ndryshme për ta shtrembëruar të vërtetën historike dhe politike. Ky angazhim digjital ka qenë kyç në promovimin e kauzave shqiptare dhe në fuqizimin e një narrative të bazuar në fakte dhe realitete të verifikueshme.
Përmes diplomacisë digjitale, Shqipëria e ka mundësinë t’i sfidojë dhe ndryshojë narrativat e gabuara që shpërndahen në internet dhe të krijojë një imazh të ri si një vend i zhvilluar dhe me mundësi të mëdha. Kjo është një mundësi për Shqipërinë që të pozicionohet si një aktor i fuqishëm në arenën ndërkombëtare, duke promovuar jo vetëm turizmin dhe kulturën, por edhe duke luftuar për të drejtat dhe mundësitë e qytetarëve të saj në një botë gjithnjë e më të lidhur digjitalisht.
* * *
Nacionalizmi digjital është një forcë e rëndësishme për ruajtjen e identitetit shqiptar, por gjithashtu mbart sfida të konsiderueshme. Ruajtja e gjuhës shqipe, ndërtimi i narrativave të sakta, diplomacia digjitale dhe ballafaqimi me keqinformimin janë disa nga aspektet kyçe që shqiptarët duhet t’i adresojnë në epokën digjitale. Teknologjia mund të përdoret si një mjet i fuqishëm për të forcuar lidhjet kombëtare dhe për të promovuar një imazh pozitiv të shqiptarëve në botë, por kjo kërkon një strategji të mirorganizuar dhe një angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë aktorët e shoqërisë.