Murtezani nikoqir i delegacioneve austriake dhe sllovene: Mbështetje e fuqishme për të ardhmen tonë evropiane

Ministri për Çështje Evropiane i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, i priti delegacionet nga Republika e Austrisë dhe Republika e Sllovenisë, të cilat po qëndrojnë për vizitë pune në vendin tonë. të cilat janë të udhëhequra nga Ministrja Federale për Çështje Evropiane, integrim dhe familje e Republikës së Austrisë, Kllaudija Pllakollm, dhe Sekretarja shtetërore në Ministrinë për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Sllovenisë, Neva Grašič.. Në kuadër të vizitës u mbajtën takime dypalëshe dhe një takim trilateral i përbashkët, në të cilin u konfirmua mbështetja e vazhdueshme dhe parimore nga Austria dhe Sllovenia për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Në takim u theksua rëndësia e jashtëzakonshme e thellimit të bashkëpunimit me të dyja shtetet, të cilat, si miq dhe partnerë të dëshmuar të vendit tonë, me konsekuencë mbështesin perspektivën e saj evropiane. Ministri Murtezani shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme të fuqishme dhe të dukshme që Austria e jep në kuadër të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe për rolin e saj aktiv në afirmimin e konceptit të integrimit gradual, si mjet për përafrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane. Me këtë rast ai theksoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve dhe reformave bazuar në merita, dhe pret që procesi evropian të vazhdojë me një dinamikë të qartë dhe meritokratike.

Gjatë bisedimeve me palën austriake u theksua rëndësia e angazhimit të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) në rajon, veçanërisht në fushat e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, si dhe mbrojtja e mjedisit jetësorë dhe politikat klimatike. Ministri Murtezani shprehu gatishmërinë për një përfshirje më të fuqishme të Agjencisë në mekanizmat koordinues të Qeverisë, si dhe interesin për vendosjen e një përfaqësie të përhershme të ADA-s në vendin tonë, me qëllim të realizimit edhe më efikas të prioriteteve të përbashkëta zhvillimore.

Në kuadër të bisedimeve me delegacionin slloven, u konfirmua tradita shumëvjeçare e miqësisë dhe bashkëpunimit të ngushtë mes dyja vendeve, të cilat nuk kanë çështje të hapura dhe karakterizohen me marrëdhënie të jashtëzakonshme të partneritetit. Sllovenia edhe më tej mbetet një nga përkrahësit më të zëshëm dhe më konsistentë të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe pjesëmarrës aktiv në realizimin e projekteve dypalëshe dhe rajonale për përforcimin institucional dhe zhvillimor. Në këtë kontekst, u theksua edhe implementimi i suksesshëm i disa projekteve infrastrukturore dhe energjetike të financuara me mjete zhvillimore sllovene, të cilat janë të orientuara drejt mbrojtjes së mjedisit jetësorë, digjitalizimit, inovacioneve dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Ministri Murtezani e theksoi gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të intensifikuar më tej dialogun politik dhe për të thelluar bashkëpunimin me Republikën e Austrisë dhe Republikën e Sllovenisë, në frymën e vlerave të përbashkëta evropiane dhe solidaritetit rajonal. Ai potencoi se miqësia e sinqertë dhe mbështetja konkrete që vendi ynë po i merr nga këto dy shtete paraqesin nxitje të rëndësishme për vazhdimin e procesit reformues dhe përshpejtimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button