Murtezani: Ligji për Përfaqësim të Drejtë e bën vizionin e Marrëveshjes së Ohrit plotësisht të institucionalizuar

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka kujtuar 24-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, duke e cilësuar atë si “bashkëkohore dhe plot me vizion për barazi dhe përfaqësim të drejtë, marrëveshje që është themeli i shoqërisë dhe shtetit që është i drejtë dhe i barabartë për të gjithë”.
Ai theksoi se koalicioni VLEN ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, duke sjellë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe të Barabartë. “Me këtë, ky vizion bëhet plotësisht i institucionalizuar, dhe këtë e arritëm së bashku,” shkroi Murtezani.
Sipas tij, ligji garanton se “të gjithë qytetarët, pa dallim nga përkatësia e tyre etnike apo fetare, do të kenë vend të drejtë dhe të merituar në institucionet e shtetit”.
“Kjo është hap thelbësor në ndërtimin e shtetit të bazuar në mundësi të barabarta, drejtësi dhe respekt për diversitetin. Këto janë vlera që shtetin e bëjnë më të fuqishëm dhe më të drejtë për të gjithë, dhe për çfarë shteti do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë,” përfundoi Murtezani.