Murtezani: Gjuhën shqipe vazhdojmë ta mbrojmë me të gjitha mjetet politike dhe juridike

Orhan Murtezani, ministër për çështje evropiane në një deklaratë për A2CNN midis tjerash ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth gjuhës shqipe, ku ai ka theksuar pozicionin e VLEN se ata vazhdojnë ta mbrojnë gjuhën shqipe me të gjitha mjetet politike dhe juridike.
“ Si e para, ne mendojmë që nuk duhet të vazhdoj praktika e mëhershme e presioneve politike mbi gjyqësorin. Duke qenë plotësisht të vetëdijshëm dhe duke e bërë të qartë qëndrimin tonë se ky nuk është vetëm një vendim formalo-juridik. Është një vendim i cili ka edhe implikime tjera. Andaj, ajo që duhet ta dije opinioni sidomos në Shqipëri është që kjo parashtresë deri te Gjykata Kushtetuese ka ndodhur në vitin 2019 kur në qeveri ka qenë Bashkimi Demokratik për Integrim, madje deputet aktual i Frontit të tyre ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese në atë periudhë. Pyetja që kërkon përgjigje është pse nga 2019 deri në vitin 2024 kjo cështje është mbajtur në sirtar dhe tani kthehet si pjesë e opinionit publik? Ne, si koalicion VLEN, koalicion shqiptarë brenda Qeverisë, e kemi pozicionin të qartë. Gjuha shqipe, e cila për fat të keq, me ligjin aktual nuk është zyrtarizuar, por është avancuar përdorimi i gjuhës shqipe, kjo thuhet edhe në Konkluzionin e Komisionit të Venecias e cila dha sugjerime pasi Qeveria e dërgoi ligjin për mendim atje. Andaj neve nga ky pozicion na vjen shumë keq që Bashkimi Demokratik për Integrim më herët ka gënjyer kryeministrin Edi Rama dhe opinionin në Shqipëri se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare. Për fat të keq nuk është gjuhë zyrtare. Është avancuar përdorimi i saj dhe ne vazhdojmë ta mbrojmë me të gjitha mjetet politike dhe juridike. ”, deklaroi midis tjerash Murtezani.



